Gjasat janë reale që Albin Kurti dhe Vetëvendosje ta kenë mbeshtetjen e parezervë të BE-së dhe SHBA-së për ta marrë pushtetin, ndërkohë që të gjitha zhvillimet politike në të ardhmen do të jenë në favor të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes dhe në disfavor të LDK-së dhe të partive tjera. Pas Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, do ta kemi përseri Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, por shumë më të fuqishme dhe më legjitime për të udhëhequr me vendin
Nga Liri LOSHI
Argumenti 1 ose argumenti i menaxhimit të krizës
Nëse krahasojmë menaxhimin e krizës globale për shkak të koronavirusit në botë, Kosova po del se që nga dita e parë e tutje e ka menaxhuar këtë krizë pothuaj në mënyrë përfekte. Jo vetëm që këtë e ka bërë më se miri në rajon, por Kosova mund të radhitet nder shtetet që e kanë menaxhuar krizën më së miri në botë.
Meritat për një menaxhim të tillë të suksesshëm i takojnë qeverisë në detyrë dhe kryeministrit Albin Kurti. Suksesi, apo dështimi në menaxhimin e krizës së virusit do të jetë përcaktuese për fatin e mëtejmë të të gjitha qeverive në botë. Pavarësisht pse qeveria Kurti tani mund t’i ketë të numëruara ditët në detyrë, ajo do të mbetet në mendjen e qytetarëve si qeveri e suksesit. Sepse, një kryeminsitër që e menaxhon mirë një krizë nacionale e që në këtë rast është edhe krizë globale, lirisht mund të thuhet se e ka dhënë provimin për drejtimin me sukses të vendit.
Meqë menaxhimi i mirë i qeverisë shpëton jetërat e qytetarëve, nuk ka si të ndodh ndryshe, pos që qytetarët të jenë falënderues ndaj kryeministrit dhe ndaj qeverisë. Dhe, ky disponim do të shprehet masivisht në vota në zgjedhjet e ardhëshme. Për kohën e këtyre zgjedhjeve do të vendosë Kuvendi në bazë të Kushtetutës. Por, nuk është larg menç që nëse mes vendimit të Kuvendit dhe disponimit të shumicës popullore, ka një disproporcion të dukshëm, atëherë kohën e zgjedhjeve ta përcaktojë presioni i popullit, i cili në formë proteste do ta manifestojë frustrimin e tij për padrejtësinë që i është bërë kur në mënyrë joparimore i është mohuar qeveria që ka prodhuar ai vetë me votën e tij.
Si përfundim i tërë kësaj, koha nuk punon për LDK-në dhe “aleatët” e saj joparimorë që u bënë baskë dhe për interesa meskine rrëzuan qeverinë Kurti. Koha punon për Albin Kurtin. Në fakt, nuk është koha, por është puna e tij e mirë që ka bërë në menaxhimin e një krize që kishte potencial për të marrë qindra, apo mijëra jetëra njerëzish.
Argumenti 2, ose argumenti i taksës
Argumenti i taksës për shkarkimin e Albin Kurtit më nuk ekziston. Tani qeveria e Kosovës e ka vendosur reciprocitetin ndaj Serbisë. Kjo i bie se mocioni i LDK-së nuk kishte asnjë kuptim, ose kishte një kuptim banal – shkarkimin e qeverisë për shkak se kryeministri Kurti e kishte liruar nga detyra minsitrin Agim Veliu!
Plani i LDK-së ishte që ta hiqte taksën dhe të mos aplikonte reciprocietetin. Por, vendimi i kryeministrit në detyrë, z. Albin Kurti për ta hequr taksën kundër Serbisë e vë LDK-në në pozitën e pakuptimtë, kur ajo nuk mund ta heq një taksë meqë praktikisht ajo nuk ekziston. Sidoqoftë, LDK nëse e merr pushtetin mund ta marrë një vendim tjetër e ky vendim është heqja e reciprocitetit! Sikur Albin Kurti të mos e kishte hequr taksën dhe të mos e kishte vendosur reciprocietetin, atëherë qeveria e re do ta hiqte taksën dhe nuk do ta vendoste reciprocietetin. Kështu do të arrihej një plotesim i kërkesës amerikane që nuk do te ishte në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit, meqë recioprocieti nuk ekzistonte. Mirëpo, kryeministri Kurti reciprocitetin e ka vendosur në bazë të tri dokumentve, të cilat është e obliguar t’i respektojë çdo qeveri tjetër. Këto dokumente janë:
- Kushtetuta e Republikes së Kososovës që garanton sovranitetin e shtetit. Ky sovranitet në vetvete nënkupton recipricitetin si një element kyq në raport me çfarëdo shteti tjetër e po ashtu edhe me Serbinë.
2. Rezoluta për reciprocitet e propozuar nga Vetëvendosja dhe e votuar në Parlamentin e Kosovës në vitin 2012. Dhe,
3. Programi qeverisës i qeverisë Kurti i votuar unanimisht nga anëtarët e qeverisë e që përfshin edhe ata nga LDK-ja.
Pra, pavarësisht presionit të SHBA-ve për heqjen e reciprocitetit, qeveria e ardheshme nuk mund ta bëjë atë pa rënë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Meqenëse me vendosjen e reciprocitetit është krijuar një moment i ri kushtetues, gjasat janë reale që SHBA të tërhiqet nga presioni për heqjen e reciprocitetit, sepse shteti amerikan nuk dëshiron që të bëjë një presion që për rezultat do të kishte thyerjen e Kushtetutës së një shteti tjetër sovran. Shto kësaj situatën e krijuar pas pandemisë me virusin COVID19 që mund ta shtyjë dialogun me Serbinë deri në vjeshtë apo edhe më vonë, kauza e LDK-së për mocionin kundër qeverisë mbetet pa asnjë kuptim.
Në fakt, kuptimi i vetem mbetet dhe kuptohet të ishte kalimi i pushtetit nga një qeveri legjitime, përmes një blloku të madh jo parimor, në një qeveri të interesit, të krijuar pikërisht nga ata kundër të cilëve pritej që qeveria Kurti të luftonte pakompromis mu për shkakun se duke abuzuar me ligjin, i kishin sjellur dëme të mëdha Kosovës.
Qytetari i Kosovës e ka të vështirë ta kuptojë ndryshe rrëzimin e qeverisë Kurti, pos si një puç klasik i forcave regresive për të bllokuar qeverisjen e mirë dhe për të ndërprerë procese pozitive për vendin. Prandaj ai nuk mund ta pranojë një qeveri të tillë pavarësisht sa i madh është blloku që
e përkrahë, sepse blloku i popullit mund të jetë shumë më i madh!
Si përfundim, të gjitha zhvillimet politike në të ardhmen do të jenë në favor të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes dhe në disfavor të LDK-së dhe të partive tjera politike që ndihmuan atë në një veprim destruktiv dhe të dëmshëm për vendin. Kjo do të manifestohet me rritjen e votave për Vetëvendosjen që mund të shpjerë deri në dyfishimin e saj. Për ironi, duke ditur se kjo parti është e vetmja që ka vullnetin dhe gatishmërinë për t’u përballur me krimin e organizuar, korrupsionin dhe nepotizmin, gjasat janë reale që Albin Kurti dhe Vetëvendosje ta kenë mbeshtetjen e parezervë të BE-së dhe SHBA-së për ta marrë pushtetin. Dhe, kështu pas
Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, do ta kemi përseri Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, por shumë më të fuqishme dhe më legjitime për të udhëhequr me vendin.
(Autori është mjek dhe shkrimtar)