• Today is: Monday, November 25, 2024

RIKTHIMI I MASAVE KUFIZUESE, DO TË VARET NGA VETË QYTETARËT

fakti
June01/ 2020

Përhapja e virusit korona në disa zona në Maqedoni, po shënon rritje me ritme shhqetësuese. Moskujdesi i mjaftueshëm i qytetarëve,  i shprehur  sidomos përmes grumbullimeve familjare në disa vendbanime shqiptar, ka ndikuar që ditëve të fundit të kemi më tepër raste të të infektuarve. Jozyrtarisht merret vesh për 7 te vdekur ne 24 oret e fundi, prej tyre gati të gjithë shqiptarë

Shkup, 1 qershor/Gazeta FAKTI – Ka vazhduar rritja e rasteve të reja të KOVID-19. Gjatë ditës së djeshme, janë regjistruar 62 raste të reja, por edhe dy viktima. Pas lehtësimit të masave, shfuqizimit të orës policore dhe hapjes graduale të ekonomisë, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që t’u përmbahen masave mbrojtëse siç janë mbajtja në distancë prej dy metrash, mbajtja e mbulesës mbrojtëse në gojë dhe hundë dhe mos grupimi. Pa i zbatuar këto masa, thonëautoritetet, virusi do të vazhdojë të përhapet edhe më tej, raporton MIA.
Ata njoftuan se nëse nuk respektohen masat e mbrojtjes, masat kufizuese mund të  rivendosen për disa komuna dhe zona.
Masat kufizuese për disa zona do të varen më së shumti nga qytetarët, nga respektimi i masave, ka thënë kryeministri Oliver Spasovski. Ai ka ftuar qytetarët që në mënyrë të vazhdueshme të respektojnë masat.

“Ne kemi paralajmëruar para disa ditësh se masa rigoroze ose kufizuese janë të mundura për disa zona të caktuara ku ka rritje të numrit të qytetarëve të infektuar. Kjo do të varet më së shumti nga qytetarët dhe respektimi i masave, ata që janë në izolim për shkak se janë kontakte të drejtpërdrejta nga dikush që është pozitiv në Kovid-19, duhet të mbeten atje dhe të respektojnë të gjitha masat. Sa më shumë të respektojmë masat aq më shumë do të kemi ulje të kufizimeve”, ka thënë Spasovski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse
Qeveria mendon për rivënien e masave rigoroze për disa zona ku ka numër më të madh të personave të infektuar.

Kumanovë, gjatë 24 orëve të fundit – 12 raste të reja

 

Ndonëse në Kumanovë për disa javë me radhë situata me virusin korona u qetësua dhe kishte shifra të ulta të të infektuarve, këto ditë përsëri ka rritje. Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 12 raste të reja me virusin korona, bëjnë të ditur nga Qendra për shëndet publik-Kumanovë për TV21. Prej 12 rasteve të reja, 11 janë nga Komuna e Likovës dhe vetëm nja nga Kumanova. Nga kjo Qendër bëjnë të ditur se kanë ndërruar jetë edhe dy persona si rezultat i Covid-19, një pacient nga Sllupçani dhe një nga Nikushtaki. Përndryshe këto janë të dhënat që i ka llogaritur deri në këtë orë QSHP-Kumanovë, dhe pritet raporti final nga Instituti për Shëndet Publik.

Komuna e Çarit miratoi disa masa parandaluese

1. Komuna e Çairit të vazhdojë me dezinfektimin e të gjitha hyrjeve të ndërtesave kolektive, rrugëve në kompetencë të komunës dhe ndërtesës administrative. Të kërkojë nga institucionet përkatëse me objekte në territorin e komunës të realizojnë dezinfektimin e tyre.

2. Të inicohet fushatë për ngritjen e vetëdijes kolektive rreth respektimit të masave preventive duke përdorur: billbordet në hyrje dhe dalje të komunës, si dhe në vendet kyçe me qarkullim të madh të qytetarëvе dhe të aktivizohet vetura me autoparlant për përhapjen e apelit kësaj radhe për respektim të masave

3. Të përcillet informatë për gjendjen dhe masat e ndërmarra në mbledhjen e radhës të Këshillit të Komunës së Çairit dhe të kontaktohet me udhëheqësit e bashkësive fetare për të dhënë apel të përgjithshëm për respektim të masave.

4. Të kërkohet nga organet e rendit publik që të jenë më të përpiktë në vëzhgimin e situatës që të ndërmarrin të gjitha masat që janë në kompetencë të tyre për të gjithë ata nuk i respektojnë rregullat. Të apelohet deri te të gjithë operatorët ekonomik për respektimin e rregullave strikte të funksionimit të tyre sipas rekomandimeve dhe udhëzimeve nga Shtabi Qendror i Krizës dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.