Serbët në Veri kanë spitalin e tyre dhe atë spital ata na e grabitën dhe më kurrë nuk na e kthyen. Mitrovica një kohë të gjatë pas lufte ka qenë pa spital. Më vonë si kompenzim është ndërtuar një spital në Mitrovicën Jugore. Tani cili njeri me mendje esull pret që serbët e Veriut të pranojnë me dëshirë që atje të shkojnë 100 mjekë shqiptarë?
Nga Liri LOSHI
Kur ke nge, shtin rruza në pe! Kjo fjali e thotë të tërën kur është fjala për deklaratat e partive politike për “orën policore” të Serbisë në Veri.
Unë nuk e perjashtoj mundësinë që Serbia në urdhërin e vet për orën policore ta ketë përfshirë edhe Kosovën. Kjo është në harmoni me Kushtetutën e Serbisë dhe ne nuk mund të presim që ajo të veprojë ndryshe. Çështja tash është se sa dhe ku mund të zbatohet një masë e tillë e qeverisë serbe në Kosovë. Realisht ajo nuk mund të zbatohet askund. Për ta zbatuar një urdhër, Serbisë i duhet ta ketë një strurkturë legale policore në Kosovë. Këtë strukturë legale ajo nuk e ka. Në Veri rendin publik e mban policia e Kosovës, kurse KFORI e mban sigurinë. Cili pra është ai moment i ri që na bën të shqetësohemi për orën policore në Veri?
Së pari, të themi se “ora policore” serbe nuk ka të bëjë me asgjë tjetër pos me kufizimin e lëvizjeve të qytetarëve për shkak të pandemisë së koronavirusit. Pra, është një urdhër që ka të bëjë me prevenimin e një infeksion viral që e ka futur në krizë tërë botën. Me asgjë tjetër. Në të njëjtën kohë kemi edhe një orë të ngjashme policore të aplikuar nga policia e Kosovës gjithkund në Kosovë. Ndërkohë minsitri i shëndetësisë së Kosovës, dr. Arber Vitia ka deklaruar se është në koordimim me kryetarët e komunave serbe në Veri. Kjo është ajo çfarë është dashur të bëjë qeveria e Kosovës, pra të koordinohet me pushtetin legjitim në Veri dhe ajo këtë gjë e ka bërë.
Qeveria e Kosovës e ka për detyrë që në këtë situatë t’i kordinojë aktivitetet e veta rreth pandemisë edhe me shtetet fqinjë, në mënyrë që situata të mbahet nën kontroll dhe kriza të menaxhohet sa më mirë. Në këtë kontekst nuk përjashtohet as bashkëpunimi me Serbinë, pra me qeverinë serbe, apo me çfarëdo mekanizmi altërnativ që për rezultat do të kishte ndalimin e shpërndarjes së virusit Covid19.
Kush mundet që t’i bindë qytetarët serbë të Kosovës që ata të mos i bindën një urdhëri të qeverisë serbe, por atij të qeverisë sonë? Ne kemi qenë të okupuar nga regjimi i Millosheviqit dhe ai nuk ka mundur që të na ndalojë për t’i respektuar vendimet e qeverisë sonë në ekzil. Me rëndësi është se policia jonë në Veri merr urdhëra nga Prishtina dhe jo nga Beogradi. Qytetarët serbë vendosin vetë se ke do ta dëgjojnë. Ky është disponimi i tyre politik dhe nuk ka një masë as nuk ka një instrument me të cilin do ta ndërronim këtë disponim të tyre. Këtë antidisponim të qytetatëve serbë ndaj institucioneve tona, nuk e ka krijuar as nuk e ka ushqyer Albin Kurti dhe as qeveria e tij që tashmë është e shkarkuar. Këtë antidisponim e ka krijuar Beogradi dhe paaftësisa e politikës sonë për t’u marrë fundamentalisht me të. I vetmi Albin Kurti është ai politikan që në mandatin e tij ka paraparë dialogun me serbët në Kosovë, para se të ndodh çfarëdo dialogu me Beogradin. Tani qeveria Kurti është në detyrë dhe po merret me një krizë pandemie. Kush pret që ajo të shkaktojë kriza të reja politike në vend është i çmendur mentalisht dhe politikisht!
Edhe diçka për hyrjen e 100 mjekëve serbë në Veri. A e dini ju lexuesit e mi se sistemi shëndetsor në Veri kurrë nuk ka qenë i integruar me sistemin kosovar. Serbët në Veri kanë spitalin e tyre që dikur edhe unë kam punuar si mjek praktikant në të. Por, atë spital ata na e grabitën dhe më kurrë nuk na e kthyen. Mitrovica një kohë të gjatë pas lufte ka qenë pa spital. Më vonë si kompenzim është ndërtuar një spital në Mitrovicën Jugore. Tani cili njeri me mendje esull pret që serbët e Veriut të pranojnë me dëshirë që atje të shkojnë 100 mjekë shqiptarë? Dhe, cilët janë ata mjekë shqiptarë që do të shkonin në një mjedis serb ku nuk janë të dëshiruar?! Apo, edhe më thjesht, cilët do të ishin ata 100 budallenj shqiptarë që do ta rrezikonin jetën e tyre pa pasur as më të voglën nevojë.
Në fakt, ne duhet të ndalemi e të mendojmë se çfarë ka bërë kjo klasë politike që të krijohet besimi minimal mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Pa një besim të tillë ne nuk mund t’i imponojmë komunitetit serb sherbimet tona mjekësore. Një gjë të tillë nuk do të na lejonte asnjë normë që përcakton të drejtat elementare njerëzore. Është çështje krejt individuale se cili pacient cilit mjek i beson. Dhe në situata të tilla qeveria jonë nuk duhet ta pengojë pacientin ta zgjedh mjekun që pacienti i beson. Përkundrazi, ajo duhet të bëjë çmos që pacienti ta marrë sherbimin që kërkon.