Në inteligjencë, si në shkencat kompjuterike, dhe në shumë fusha të tjera të lidhura me aftësitë mashkullore, gratë kanë dhënë kontribute shumë më të rëndësishme, se sa i`u është njohur merita.
Nga Liza Mundy
A janë të dobishme gratë si spiune? Dhe nëse po, në çfarë kapaciteti? Maksuell Najt, një oficer i MI5, agjencia e brendshme britanike e kundërzbulimit, nisi të reflektojë mbi këto pyetje. Jashtë zyrës së tij, Lufta e Dytë Botërore kishte filluar, dhe ndaj Evropës po përgatitej Blitzkrieg-u gjerman.
Në Angli – ashtu si në botë – komuniteti i inteligjencës ishte ende një fushë e dominuar nga meshkujt. Por, Najt mendonte se një grua spiune mund të vinte shumë në ndihmë. Përmes një shkrese “mbi çështjen gjinore, lidhur me përdorimin e grave si agjente”, Najt mendonte se një gjë që mund të bënin gratë spiune, ishte mashtrimi i burrave për nxjerrjen e informacionit.
Jo, paralajmëroi ai, jo çdo grua mund ta menaxhojë diçka të tillë, por vetëm ato që nuk janë “tepër të mbingarkuara emicionalisht.
Pra, një agjente femër nuk duhet të ishte as shumë e nxehtë dhe as e ftohtë. Nëse gruaja “nënvleftësohet”, asaj do t’i mungojë karizma e nevojshme për të arritur synimin e saj. Por, nëse ajo “vuan nga një mbidozë e të qënit seksi”, siç thotë ai, shefi i saj do ta cilësonte atë “të tmerrshme”.
“Ajo që kërkohet”, shkroi Najt ”është një grua e mençur, që mund t’i përdorë me mençuri atraksionet e saj personale”. Zyrtarët e inteligjencës, kishin kohë që hamendësonin se vetitë e veçanta të grave për spiunazh, ishin të kufizuara në disa aftësi vetëm femërore: përplasja e qepallave, biseda në shtrat, dhe natyrisht ruajtja e dosjeve dhe shkruarja e raporteve.
Mbikëqyrja e operacioneve? Jo aq shumë.
Por, ndërsa Najt ishte duke diktuar memon e tij për eprorët, ndryshimi ishte duke ndodhur. Lufta e Dytë Botërore, një “luftë totale” që kërkonte angazhimin e të gjithë njerëzve të aftë për luftë globale, ofroi mundësi të reja. Në Shtetet e Bashkuara, “Wild Bill” Donovan rekrutoi disa gra për Zyrën e Shërbimeve Strategjike (OSS), paraardhësja e CIA-s. Midis tyre ishte kuzhinierja e ardhshme, Xhulia Çaljd.
Evropa paraqiti më shumë mundësi. Agjensitë e spiunazhit po zgjeroheshin, për të përballuar nevojën për operacione të fshehta nën vendet e pushtuara nga gjermanët. Rezistenca franceze apeloi ndaj kurajos së grave, siç bëri Ekzekutivi i Operacioneve Speciale, NSH, i krijuar nga Uinston Çurçill për “t’i vënë flakën Evropës” duke vendosur bomba, duke vjedhur plane, dhe duke nxitur kundërshtimin e brendshëm.
Pas linjave të armikut, operativët e NSH rekrutonin vendasit si agjentë, krijonin rrjete, merrnin dërgesa klandestine, krijonin baza të sigurta strehimi, menaxhonin komunikimet, apo eleminonin tradhtarët. Shumë burra francezë ishin dërguar në kampet e punës në Gjermani, ndaj gratë operative ishin më në gjendje për t’u përzier me një popullsi kryesisht femërore.
Siç shkruan Sara Rouz në librin e saj “Vajzat e D-Day”, kapiteni britanik që rekrutoi 3 agjentë të NSH-së, Seluajn Xhepson, besonte se gratë ishin psikologjikisht të përshtatshme për të punuar pas linjave të armikut.
Disa oficerë, mendonin se gratë kishin ndjeshmëri dhe një insikti kujdesi më të madh, ç`ka i pajiste ato me aftësitë e duhura për të rekrutuar dhe mbështetur qytetarët e zakonshëm si agjentë. Gratë konsideroheshin si korriere të mira – një rol ky me rrezikshmëri të lartë – pasi perceptoheshin nga armiku si naive.
Në inteligjencë, si në shkencat kompjuterike, dhe në shumë fusha të tjera të lidhura me aftësitë mashkullore, gratë kanë dhënë kontribute shumë më të rëndësishme, se sa i`u është njohur merita. “Gjatë Rezistencës Franceze në tërësi, gratë luajtën role të rëndësishme”- shkruan historiani Lin Olson në librin “Lufta sekrete e madam Furkad: Gruaja që drejtoi rrjetin më të madh të spiunëve në Francë kundër Hitlerit”, një biografi mbi Mari Madlen Furkad, drejtuese e “Aleanca”, rrjetit më të madh të Rezistencës.
Ajo ishte vetëm 30 vjeç, kur u rekrutua si agjente në vitin 1940, nga “Navarra”, emri i kodit i Zhorzh Lustono Lak. Pasi “Navarra” u arrestua në Algjer në vitin 1941, Furkada u bë udhëheqësja e padiskutueshme e ”Aleancës”. Rrjeti i “Aleancës”, i mbështetur nga shërbimi sekret britanik MI6, përbëhej nga mijëra agjentë; misioni kryesor i të cilëve ishte të infiltroheshin në bazat gjermane të nëndetëseve përgjatë bregut, dhe të raportonte mbi lëvizjet e tyre.
Në vitin 1943, kur gjermanët nisën të eleminonin me egërsi sabotatorët, rrjeti i “Aleancës” ishte objektivi kryesor. Mijëra agjentë u arrestuan. Midis tyre, shumë ishin gra që u torturuan nga Klaus Barbi, “Kasapi i Lion”, që u`a dogji zemrat me cigare. “Në rrjetin tim, asnjë grua nuk u lëkund kurrë, madje edhe nën llojet më ekstreme të torturës”- kujton më vonë Furkada.
“Unë ia kam borxh lirinë time shumë njerëzve, që u morën në pyetje derisa humbën ndjenjat, por nuk e zbuluan kurrë vendndodhjen time, madje edhe kur e dinin saktësisht se ku ndodhesha”.
Një spiune tjetër e spikatur në atë kohë ishte Virxhinia Holl, njëra prej operativeve të para të NSH. Sikurse shkruan gazetarja britanike Sonia Përnell, “agjentja më e suksesshme grua e Aleatëve”, edhe pse njërën nga këmbët e kishte humbur dhe mbante protezë.
Nën mbulesën e një gazetareje, Holl funksionoi si “oficere e ndërlidhjes sekrete”, në një mision ambicioz dhe të rrezikshëm, për të ndërtuar një rrjet rezistence në Lion, ku ajo nuk njihte askënd.
“Ajo do duhej të mësonte shpejt, përndrshe do të vdiste”- shkruan Purnell. Por, Holl mësoi shpejt. Në një qytet të mbipopulluar me refugjatë nga sektorët e pushtuar të Francës, ajo rekrutoi ndihmëse gra nga komunitetet e margjinalizuara. Ajo nisi të mbledhë detaje mbi situatën politike në Francë, teksa ndihmoi në shpëtimin e disa pilotëve britanikë.
Suksesi i Holl, hapi dyert për më shumë gra agjente. Por, edhe kundërpërgjigja e nazistëve ishte makrabre. Hitleri firmosi një memo që thoshte se sabotuesit do të “asgjesoheshin pa përjashtim”, dhe nga 39 gratë e dërguara në Francë nga NSh-ja, një e treta nuk u rikthye më kurrë. Disa përfunduan në kampin e përqendrimit të grave në Ravensbryk.
Të tjera u helmuan, apo u ekzekutuan. Odeta Sansom, një nga operativet e përshkruara tek libri i Rouz, i mbijetoi torturave të tmerrshme nga gjermanët, duke mos zbuluar informacionin që dëshironin nazistët. Edhe pse u kërkua me ngulm nga Klaus Barbi, dhe u arrestua të paktën 1 herë, ajo arriti gjitjmonë të arratisej.
Në fund, shkoi dhe punoi në Spanjë deri në fund të vitit 1943. Pastaj u punësua nga SHBA, dhe OSS e dërgoi atë në Francë. Atje drejtoi forcat guerile për të mbështetur zbarkimin e D-Day duke shkatërruar linjat hekurudhore, duke organizuar bllokime dhe prita, si dhe duke prerë telat e telefonit. E maskuar si fshtatare, ajo shiste djathë dhe përgjonte ushtrinë gjermane.
Pas luftës, kontributi i këtyre grave u anashkalua dhe u harrua. Në vitin 1953, kreu i CIA-s, Allen Dulles, analizoi qëndrimet ndaj grave në agjenci. Krahasuar me burrat, ato u konsideruan më emocionale, më pak objektive, dhe jo shumë agresive. Por, ndodhte atëherë. Tani CIA drejtohet nga një grua, Xhina Haspëll, që i ka promovuar gratë veterane në drejtimin e drejtorive kryesore të agjencisë.
Marrë e shkurtime nga The Atlantic