• Today is: Monday, November 25, 2024

Veprat shqipe të botuara në Zarë të Kroacisë

fakti
June01/ 2020

Duke qenë fati i krijuesit letrar shqiptar, i lidhur edhe me fatin e krijimit të veprës së tij, ajo shtegtoi gjithandej hapësirave të botës. Kështu, shumë vepra, në mos ato që ishin të parat si histori botimi, kishin zënë fill në Romë, o në Vjenë, o në Stamboll, o në Bruksel, o në Bukuresht, o në Nju Jork, o në Mynih e tjerë.

Nga Sinan Gashi

Atje i shpuri fati, nëpër fërfllazat e kohëve personalitetet tona, të vetëdijes së lartë kombëtare dhe të aftësive e dhuntive të dëshmuara intelektuale dhe krijuese.

Kësisoj, edhe në Zarë të Dalmacisë (Kroaci), kur që nga vitet ‘700 të shekullit që lamë pas, ku ishte bërë një strofull i disa grupeve të shqiptarëve të ndjekur nga lokalitete e Rrethit të Shkodrës, kishte frymuar, me vështirësi, fjala shqipe, sa edhe ishte bërë përpjekja që edhe aty të mësohej, shkruhej e botohej në gjuhën shqipe. Aty madje ishte nisur një iniciativë për ta nxjerrë një të përkohshme në gjuhën shqipe, që qe emërtuar “Zâni i Šćyptarit”, i cili mbeti vetëm dëshirë e tyre.

Por, jo vetëm kjo iniciativë ishte ajo që e bën vendvotim të veprave letrare këtë vend. Këtu, në Zarë, ishin botuar veprat e para të krijuesve të shquar shqiptarë, autorët e të cilave kishin jetuar dhe punuar këtu, që ia shton edhe më vlerat e kësaj oaze shqiptare, nga ku është vendlindja e disa veprave të rralla dhe madje disa të njëhershme në literaturën shqiptare. Se pse ishin botuar mu këtu, në këtë mes të huaj gjuhësor, veprat e gjuhës shqipe, duhet kërkuar të vërtetën bë disa kahe: në lirinë e çfarëdo lloj shkrimi, pa frikën e censurimit, në lehtësinë teknike të nxjerrjes së një libri dhe në përkushtimin e autorit që aty edhe e kaluan njëfarë kohe të jetesës.

Kush dhe çka u botua në Zarë

Janë krijues të shquar të kulturës dhe letërsisë shqiptare ata që krijimet e tyre i bënë në formë libri në Zarë. Ndër ata që do t’i përmendim janë edhe mësues të gjuhës shqipe, të cilët ishin caktuar të ligjëronin gjuhën e tyre shtesë, për nxënësit shqiptarë atje. Mbase edhe ajo largësi nga vendlindja ua nxiti edhe më fantazinë krijuese dhe përmallimin atdhetar. Janë të ditura më se pesë vepra, të cilat janë botuar mbase edhe shkruar në Zarë.

Pashk Bardhi (1870-1947) nga Shkodra, mësues i gjuhës shqipe, gjuhëtar dhe leksikograf, e kishte shkruar me pasionin e një studiuesi një vepër, për të cilën fitoi njohur për së afërmi. Kështu kishte bërë një studim të rëndësishëm, me përkushtim, për këtë të folme arbneshe. Puna e tij u kurorëzua me botimin e veprës studimore “Gjuha shqype e arbëneshvet në Zarë”, (Zadar,1905). Ai, ngase jepte mësim në Shkollën Normale të Zarës, mblodhi edhe gojëdhëna e fjalë të rralla në këtë mes, të cilat i botoi në të përkohshmet “Ylli i dritës” dhe “Albania”, por këto materiale ishin edhe materiale plotësuese për “Fjalorin e ‘Bashkimit’”. Këtu, mbase për herë të parë u panë dhe u evidencuan lashtogjuha e këtij grupi shqiptarësh, të cilët të folmen gegërishte të veriut të Shqipërisë e kishin konservuar në mënyrën më të saktë, vetëm nga pamundësia për të komunikuar më me atdheun e tyre dhe me ndryshimet që kishte pësuar gjuha shqipe atje. Vdiq në vendlindje.

Gjergj Fishta (1871-1940) nga Shkodra, poeti i epikës kombëtare dhe atdhetari i dëshmuar, dy herë u dëshmua si autor i botimit të veprave letrare atje. Së pari ai botoi vetëm një pjesë nga vepra e tij kapitale “Lahuta e Malcis”, titulluar “Te ura e Rrzhanicës”, madje dy herë radhazi, (Zadar,1905 dhe 1907) ishte e para, dhe tjetra, po e Gjergj Fishtës, “Pika voëset”, (Zadar, 1909). Ai asnjëherë dhe në asnjë vend nuk e ndaloi veprimtarinë atdhetare dhe krijuese. Vdiq në Shkodër.

Kostandin Kotte (1889-1950) nga Korça, është intelektuali tjetër, e kishte dëshmuar talentin krijues letrar me botimin e një drame, “Shpërblimi i gjaksís”, pjesë në tri akte (Zadar, 1929). Ai ishte marrë me aktivitete politike e pushtetore. Kishte migruar për njëfarë kohe jashtë atdheut, pas pushtimit të Italisë fashiste. Pasi dorëzohet në Shqipëri, burgoset dhe vdes në burgun e Burrelit.

Ernest Koliqi (1903-1975) nga Shkodra, shkrimtari e studiuesi i shquar i letërsisë shqipe, si dhe i përkushtuari për arsimimin e shqiptarëve, në trojet shqiptare si dhe jashtë saj, botoi veprën e vlerave të rralla artistike “Hija e maleve”, (Zadar, 1929). Ai edhe para kësaj e kishte botuar një vepër në Tiranë, “Kushtrimi i Skënderbeut”, më 1924. Edhe në Itali, ku kishte jetuar pjesën e dytë të jetës, kishte qenë profesor i gjuhës e letërsisë shqipe në universitete prestigjioze atje. Vdiq në Romë.

Shtjefën Konstantin Gjeçovi-Kryeziu (1874-1929) nga Janjeva, njeriu i shumësisë së aftësive intelektuale dhe artistike, ngase njihet edhe si arkeolog, folklorist, dramaturg, poet, etj., kudo që u gjend u aktivizua në mbledhjen e materialeve nga arkeologjia shqiptare, krijoi vepra letrare përherë me theks kombëtar si dhe luftoi me çdo mjet kundër shkombëtarizimit të shqiptarëve, si në Zarë, Pejë, Rubik, Laç e vende të tjera, ku kreu shërbimin e meshtarit.. Në Zarë ai ishte në detyrën e mësuesit të gjuhës shqipe, ku e kishte shkruar po këtu një nga dramat e shumta të tij më temë atdhetare, “Tradhti gjaksore (vrasja e Marka Kulit)”, dhe atë në vitin 1906. mu për shkak të veprimtarisë atdhetare, ai u vra nga serbomëdhenjtë në Zym të Hasit.