• Today is: Monday, November 25, 2024

A E DUAM ATDHEUN?

fakti
June01/ 2020

Kushtetuta e vrau veten në emër të Kushtetutës. Atë e detyruan të bëjë vetëvrasje. Ngjashëm sikur ajo që ndodhte dikur (menjëherë pas përfundimit të LNC-së), kur në emër të popullit, e vrisnin popullin.

Nga Gani BYTYÇI/ Zyrih

Prej rreth 30 vjetesh e kam një mik, i cili më parë ishte mik i popullit tim. Kur e njoha, e kuptova se ai ishte mik i drejtësisë, kombëtare, sociale, politike e njerëzore. Ai, pra është luftëtar i paepur për të drejtat dhe liritë e njeriut. Shqiptarët e njohin prej kohësh. Ai, me vite i ka shkelur rrugët dhe sheshet e qyteteve të Zvicrës, duke protestuar e kërkuar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të shkelura të shqiptarëve të Kosovës.
Fotografia e Gani Bytyçi
Më bëhet se akoma i dëgjoj thirrjet e tij në protestat e Gjenevës e të qyteteve tjera: Millosheviqi vrasës, Millosheviqi kriminel, e të tjera! Në Serbi e pati të ndaluar hyrjen. Ai njeri ka bërë shumë për Kosovën. Ai ka bërë më tepër se sa të gjithë ne shqiptarët e këtushëm së bashku. Edhe pas përfundimit të luftës, ai nuk rreshti të angazhohej e të veptonte për Kosovën dhe ecjen e saj në rrugën e lirisë dhe të progresit. Dhe, jo vetëm kaq. Ky miku im, u ngjit deri në majat e pushtetit të vendit të vet, Shtetit Helvetik. Por, ai asnjëherë as Kosovës e as atdheut të tij-Zvicrës, as nuk u këkërkoi e as nuk u mori gjë. Ai, edhe më tej vazhdon të shëtisë me biçikletë rrugëve të Gjenevës dhe kudo që takon një mik, ndalet e pi kafe me të!
Dikur, (një pjesë nga këta) pushtetarët tanë të sotëm, ndodheshin këtu në Zvicër, si strehimkërkues. Ky miku im, si punëtor social që ishte atëherë, pati bërë gjithëçka për t`i ndihmuar këta bashkëkombasit tanë, të cilët atëherë ishin viktima të padrejtësisë, të shtypjes e robërisë. Por tani, që këta janë bërë milionerë, a thua a skuqen ndonjëherë para këtij mikut tim, i cili edhe më tej banon me qera në një apartament modest dhe lëvizë me biçikletën e tij të vjetër.
Fotografia e Ueli Leuenberger
Megjithatë, Ai (përherë) e ka idealizmin e tij për Lirinë dhe Drejtësinë, si kategori morale, juridike e sociale. Ky pra është nga ata që quhen idealist. Është njeri, që e respekton dhe lufton për të drejtën dhe lirinë e vet dhe lirinë universale.
Këtu detyrimisht shtrohet pyetja: A thua, këta politikanët tanë milionerë, a i njohin nocionet liri dhe drejtësi, si kategori juridike, sociale e morale?

Postimet e mikut (Ueli Leuenberger)

Dje dhe sot, në rrjetin social, gjeta dy pastime nga ky miku im (U. L.). Njëri më ngjalli kujtimin për atë dhe për epokën e idealizmit (tonë) për liri dhe u mallëngjeva. Ndërkaq, postimi tjetër i tij, më bëri të skuqesha.
Postimi I i atij mikut tim: “…Nga një luftëtar i pavarësisë (të cilin e kam mbështetur në vitet e 90-ta) ka degjeneruar dhe është kthyer në një president pak i preferueshëm. Angazhimi ynë tani duhet t`i kushtohet lirisë dhe demokracisë”.
Postimi II: “Syrprizë sot paradite…Në një terracë në Plainpalais (Gjenevë), e gjeta mikun tim Jup Ahmetin. Biseduam për epokën, kur (gati) të gjithë militantët shqiptarë, angazhoheshin me shumë ndershmeri. Por, ka kaluar shumë kohë…nga atëherë…”, Ueli Leuenberger.
Jup Ahmeti, një jetë mërgimtari, përkushtim e sakrificë për Lirinë e Atdheut. Jupi është babai i Flamurit.

Fotografia e Gani Bytyçi
Ueli Leuenberger me Jup Ahmetin/ Plainpalais (Gjenevë)

 

Takimi me luftëtarin francez

Në përfundim të luftës, një mik i imi më thotë se njihte një të ri francez, i cili kishte marrë pjesë në luftën e Kosovës dhe ishte plagosur rëndë. Isha kureshtar ta takoja dhe të bisedoja me të. Doja ta kuptoja botën e tij. Dhe kjo ndodhi. Takimin e lamë në një terracë restoranti. Kur arrita unë, ai francezi ma shtriu dorën, por nuk luajti fare nga vendi. Kjo mu duk si një shpërfillje nga ana e tij. Sapo zura vend, ia përplasa pyetjen:
-Cfarë pate ti, që shkove të luftoje për lirinë e shqiptarëve, i thashë unë!
-Jo, zotri, unë nuk kam shkuar të luftoja për lirinë e shqiptarëve, mu përgjigj ai krejt qetë.
-Atëherë përse ke shkuar atje, e pyes unë sërish.
-Unë kam shkuar të luftoj, atje ku është luftuar për Liri, mu përgjegj aq vendosmërisht, ai djaloshi luftëtar.
Pastaj vazhduam të bisedoninim për shumçka. Edhe për luftën.
Pastaj, ai i riu luftëtar, zuri të më bëhej gjithnjë e më i dashur, më i afërt. Ndjeja dhembje therrëse që kishte humbur këmbën duke luftuar për lirinë e atdheut tim. Ishte madhështor.
Ai djaloshi luftëtar (francez me gjysh e stërgjysh), nuk i kishte kërkuar as nuk i kishte marrë asgjë Kosovës. As ky miku im zvicëran, as nuk i mori as nuk i kërkoi asgjë Atdheut tim. Për t`i dhënë, vërtet i kanë dhënë shumë.
Po ju, pushtetarët e Kosovës? Edhe ju, padyshim i keni dhënë vendit tuaj. Por ju, tani jeni kthyer dhe po i rrëmbeni gjithëçka. Po ia gërryni edhe tokën. Po e përmbysni të tërin. Po e plaçkisni pa mëshirë. Po e vrisni atë dhe të ardhmen e tij!

31 maj, 2020

Fotografia e Gani Bytyçi