Intervista e ekspertit shumë të njohur për rajonin, Toby Vogel në radion e Departamentit Amerikan të Shtetit, Europa e Lirë, ishte shumë e rëndësishme, pasi ajo zbardhi prapaskenat e paktit të nxituar që Grenell synon të firmosë në mënyrë rrufe ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Intervista e Vogel, është në një farë mënyre si publikimi i Paktit të Fshehtë të Londrës që copëtoi Shqipërinë në 1913-n, por këtë herë ishte para kohe.
Vogel tha në intervistë se Trump do që të bëjë marrëveshjen Kosovë-Serbi shpejt e shpejt, në mënyrë që përpara zgjedhjeve për mandatin e dytë të tërheqë trupat amerikane nga Kosova, pjesë e KFOR.
Në këtë mënyrë, Trump mund të arrijë të mbushë mendjen e një pjese të elektoratit nacionalist amerikan në zonat e mbyllura dhe të brendshme të SHBA, që i urrejnë zhvillimet globale, e janë të izoluar dhe s’duan t’ja dinë për botën.
Dihet që Trump nuk merr dot vota në metropole: si New York-u, San Francissco, Boston, Chicago etj, ndaj lufton për pjesën e brendshme, rurale e të izoluar të elektoratit.
Kjo është llogaria e Trump, por në fund ajo që ndikohet nga një marrëveshje e nxituar me Serbinë është Kosova.
Ҫ’mund të ndodhë nëse trupat amerikane largohen nga KFOR?
Edhe nëse Serbia njeh Kosovën, edhe nëse OKB me shtyrjen e SHBA do ta pranojë Kosovën si anëtare e saj, sërish kjo nuk do të ishte zgjidhje.
Pasi mund të ndodhë ajo që u bë me Palestinën në kohën e Clinton, kur arriti të firmoset një marrëveshje ndërmjet Kryeministrit izraelit Itzhak Rabin dhe liderit palestinez Jaser Arafat, por ajo marrëveshje u hodh në erë shumë shpejt. U desh vetëm të vritet Rabin dhe gjithҫka të kthehet mbrapsht me vite.
E mbani mend vitin 2003, kur Bush vonoi që të mbyllte pavarësimin e Kosovës dhe në Beograd u vra Zoran Xhingjiҫ, lideri i vetëm serb, i cili ishte në gjendje dhe kishte kurajon të firmoste një marrëveshje që ta njihte pavarësinë e Kosovës.
Edhe në atë kohë, si sot, Presidenti i SHBA, George W Bush ishte në sherr me BE-në për pushtimin e Irakut. Për atë ҫështje, që ishte biznes i madh, Bush e vonoi pavarësimin e Kosovës, ҫka rriti përҫarjen brenda BE-së, forcoi faktorin serb dhe më e rëndësishmja Rusia u fuqizua shumë.
E ka thënë Holbrooke, se “Kosova duhej të ishte mbyllur në kohën kur Jelcin ishte President, NATO dhe BE ishin në qëndrim të përbashkët me Amerikën.
Edhe këtë herë kemi një gjendje të tillë, kur Trump është në përplasje të hapur me Europën dhe në veҫanti me dy faktorët kryesorë të saj Gjermaninë dhe Francën.
Siҫ e thotë edhe Vogel në REL, Gjermania nuk do të përkrahë një marrëveshje të nxituar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pasi Gjermania e di që një destabilizim i Ballkanit rrit kostot për Europën. Ndaj dhe në samitin e fundit BE jo vetëm që rriti angazhimin ndaj Ballkanit por bëri të ditur se do të ndihmojë që të mos destabilizohet rajoni.
E pikërisht në këtë aspekt, sjellja brutale e Hashim Thaҫit ndaj emisarit europian për Kosovën, Lajҫak, i cili është një diplomat i rangut të parë, edhe pse zyrtar sllovak, nuk i bën mirë Kosovës.
Kjo ngase Prishtina nuk duhet të sillet pa mirënjohje me BE e cila edhe këto ditë ka ndihmuar financiarisht Kosovën për COVID. E vërteta është se ka qenë Europa që ka financuar gjithҫka në Kosovë që nga 2001.
Serbisë i intereson një marrëveshje “gjoja” me Kosovën, pasi brenda ka ende enklavat, rrjetet kriminale, shërbimet sekrete dhe më e rëndësishmja asetet kishtare të Dukagjinit, duke u nisur nga Patriarkana.
Janë elemente që mund të shërbejnë si cassus belli kur të duash, sa herë Serbisë i nevojiten. E mbani mend 2004, që djegia e manastireve ҫoi mbrapsht gati gjithҫka që ishte arritur në 1999?
Ndaj dhe loja triumfale e Hashim Thaҫit dhe Isa Mustafës se do të udhëheqin një dialog pa një përkrahje të aktorëve shumë të rëndësishëm si Gjermania është vetëm hap gjysmak.
Që Kosovës nuk do t’i vlejë, madje mund ta zgjasë agoninë, siҫ po ndodh me Palestinën, e cila është edhe anëtare e OKB-së, madje edhe me votat e Edi Ramës…/Pamfleti