• Today is: Sunday, November 24, 2024

RECIPROCITETI, SERBIA OBLIGOHET TA NJOH EMRIN KUSHTETUES TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

fakti
May31/ 2020

Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje online në orët e vona të së shtunës, ku ka marrë vendim për të ndryshuar dhe plotësuar vendimin për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë.

Prishtinë, 31 maj/Gazeta FAKTI – Siç bën me dije Qeveria në njoftimin dërguar mediave, plotësim-ndryshimi i vendimit të mëhershëm për marrëdhëniet tregtare me Serbinë, nënkupton ndalimin e dokumenteve për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve që përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, emrat e vendeve në Republikën e Kosovës, por pa emërtimin e shtetit, që nuk i referohen me Republika e Kosovës dhe përmbajnë çfarëdo elementi që mohon pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë obligohet të përdorë stemën dhe emrin Republika e Kosovës në certifikatat fitosanitare dhe veterinare, ndërsa operatorët ekonomikë nga Serbia duhet të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet të transportit të mallrave që hyn në Republikën e Kosovës nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Vendimi, sipas njoftimit, mbetet në fuqi për afat të pacaktuar, ndërsa nuk mund të njihet si person juridik një shoqëri tregtare e themeluar sipas rregullave të autoriteteve në Serbi, por vetëm në pajtim me Ligjin për shoqëritë tregtare.

 

Autoritetet e Serbisë nuk i pranojnë dokumentet me mbishkrimin Republika e Kosovës

Mallrat që po vijnë nga Serbia në Kosovë nuk po i nënshtrohen reciprocitetit të plotë ashtu siç ishte proklamuar nga qeveria në detyrë. Autoritetet e Serbisë nuk i pranojnë dokumentet me mbishkrimin Republika e Kosovës ndërsa autoritetet kosovare i pranojnë ato me mbishkrim të Serbisë.

Reciprociteti i vënë ndaj mallrave serbe dhe boshnjake vazhdon të mos gjejë zbatim të plotë. Shumë mallra me origjinë nga Kosova autoritetet e Serbisë nuk i lejojnë të futen në vendin e tyre edhe nëse janë të destinuara për vendet e Bashkimit Europian.

Autotransportuesit e mallrave kosovare thonë se autoritetet e Serbisë nuk i pranojnë dokumentet me mbishkrimin ‘Republika e Kosovës’ ndërsa autoritetet e Kosovës i pranojnë ato me mbishkrimet e Serbisë.

Për këtë çështje institucionet e Kosovës janë të informuara pasi që qeveria e Kosovës ka formuar një mekanizëm institucional për vlerësimin e zbatimit të reciprocitetit me Serbinë dhe Bosnjën.

“Kujtoj se rastet e tilla janë të identifikuara në raportet e punës së këtij mekanizmi ndërionstitucional për vlerësimin dhe monitorimin e masave të reciprocitetit dhe të gjitha ato të cilat janë identifikuar do të adresohen dhe për të gjitha ato raste për të cilat ka pretendime do të hetohen”, tha për RTK’në, Përparim Kryeziu, zëdhënës i qeverisë.

 

Mbi 1 milion euro taksas nga importi i mallrave nga Serbia

Dogana e Kosovës ka publikuar raportin përmbledhës për zbatimin e masave të reciprocitetit në periudhën 01-26 prill 2020.

Në njoftimin për media të Ministrisë së Financave dhe Transfereve thuhet se në të gjitha rastet ku është vërejtur ndonjë emërtim apo denominim provokues mallrat janë kthyer mbrapa në Serbi dhe nuk janë lejuar të importohen dhe të zhdoganohen në Kosovë.

Po ashtu gjatë kësaj periudhe janë importuar nga Serbia mallra në vlerë prej 12.4 milionë Euro. Ndërsa janë eksportuar mallra në vlerë prej 0.7 milionë Euro. Nga importi i mallrave të importuara nga Serbia janë mbledhur taksa në vlerë prej 1,069,441.89 eurove.

Raporti i plotë përmbledhës:

Lidhur me zbatimin e masave të reciprocitetit nga data 1 prill 2020 deri më 26 prill 2020.Fillimisht Dogana e Kosovës ka bërë plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme në sistemin ASYCUDA World dhe po ashtu në Tarifën e Integruar të Kosovës (TARIK), si dhe duke marrë në konsideratë pikat 1.1 dhe 1.2 të vendimit të Qeverisë të cilat ndërlidhen me dokumentet dhe certifikatat fitosanitare dhe atyre veterinare, kompetencë e AUV-së, gjatë zbatimit të vendimit të lartë cekur i ka kushtuar rëndësi të veçantë kontrollit të dokumentacionit doganor që përcjellin mallrat me qëllim të sigurimit që emërtimet e përdorura të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në të gjitha rastet ku është vërejtur ndonjë emërtim apo denominim provokues mallrat janë kthyer mbrapa në Serbi dhe nuk janë lejuar të importohen dhe të zhdoganohen në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe është evidentuar një rast i tillë dhe mauna së bashku me mallrat është kthyer në Serbi.

Importet nga Serbia:
Gjatë periudhës raportuese nga Serbia janë importuar mallra në vlerë prej 12.4 milionë Euro. Importet e lëndës së parë kapin vlerën prej 3.5 milionë Euro.

Eksportet në Serbi:
Nga Kosova në Serbi janë eksportuar mallra në vlerë prej 0.7 milionë Euro.
10 mallrat me vlerën më të lartë të eksportuara në Serbi janë:
• Mana të tjera
• Manaferra të buta
• Linjit

Vlera e taksave nga importi
Nga importi i mallrave të importuara nga Serbia janë mbledhur taksa në vlerë prej 1,069,441.89 Euro sipas kategorive në vijim:
• 1,983.47 Euro nga Dogana;
• 67,281.85 Euro nga akciza;
• 1,000,090.17 Euro nga TVSH;
• 86.40 Euro nga Taksa MP.

Importi nga Serbia sipas llojit të mallrave është: grurë, misër për farë, miell prej gruri të zakonshëm, ushqime për kafshë, preparate jorefrakatare sipërfaqësore për fasada, mure të brendshme, dysheme, tavane, spango lidhëse apo ambalazhuese, kontejnerë prej alumini me kapacitet më pak se 50 litra, pllaka, fleta, filma prej plastike, celularë, kuti, kasat senduiqët dhe artikuj të ngjashëm të plastikës, paleta të tjera prej druri si dhe tuba me skesion katror ose trekëndësh.

Sfidat e identifikuara në zbatim:
Nga të dhënat në terren dhe atyre të mbledhura nga Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit janë hasur problemet në vijim për të cilat është njoftuar MEPTINIS:

Gjatë datave 21 dhe 22 prill pala serbe në mënyrë sporadike nuk ka lejuar kalimin e maunave me mallra nga Kosova në Serbi apo edhe atyre të zbrazët përmes PKK-ve në Merdare, Jarinje dhe Bërnjak. Pas reagimit të instancave përkatëse qeveritare pranë BE-së këto masa janë tërhequr nga pala serbe dhe nuk ka raportime për përsëritjen e tyre.

Gjersa rastet e kthimit të transportueseve nga pala serbe në PKK-të e lartë cekura ende vazhdojnë për maunat me regjistrim të Serbisë dhe maunave me regjistrim të vendeve të tjera të cilat duan të dalin nga Kosova.

Sa i përket zbatimit të marrëveshjes për vulat doganore, nuk është prezantuar te Dogana ndonjë informacion se pala serbe ka kthyer maunat për shkak të vulave doganore të Doganës së Kosovës.