Ditën e diel me 31 maj 2020 në qendrën historike të qytetit të Padovës, në sheshin mes Komunës dhe Universitetit tetëqindvjeçar duke filluar nga ora 10 deri në orën 12 do të mbahet një protestë paqësore me qëllim të sensibilizimit të opinionit publik, kulturor, artistik dhe intelektual për dëmin e shkaktuar me rrënimin e ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë në Tiranë.
Nga Gëzim Muçolli, Padova, Itali
Saktësisht para 2 javëve, në heshtje totale të mediave italiane, u rrënua njëri nga objektet historike dhe shembujt e parë të ndërtesave prefabrikate stabile në Europë i patentuar nga firma Pater nga Milano, i realizuar në Itali e i montuar në Shqipëri në vitin 1938 brenda një kohe të shkurtër nën mbikqyrjen e arkitektit të famshëm Giulio Berté, i cili ishte frymëzuar nga veprat metafizike të shkrimtarit dhe piktorit të njohur Giorgio De Chirico
Në bazë të marrëveshtjeve të Mbretit Zog dhe Qeverisë së Italisë, arkitektëtë mirënjohur si: Gherardo Bosio, Ivo Lambertini, Ferdinando Poggi, etj. kanë punuar për të realizuar Planin rregullues të Tiranës e cila në vitin 1920 u caktua kryeqytet i ri i Shqipërisë.
Qendra e Tiranës ku janë Banka Qendrore, Ministritë, Universiteti, Stadiumi, Stacione hekurudhor, vilat rezidenciale, rrugët dhe sheshet , u ideuan dhe u konstruktuan Italia e atëhershme.
Të dielen me 17 maj 2020 duke filluar në orën 4 e 30 minuta, në kushte të masave të jashtzakonshme sanitare për shkak të pandemisë globale të Covid-19 dhe vetëm pak muaj pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 i cili la pas vetes mbi 50 të vdekur dhe mijëra shtëpi të shkatërruara deri në themel, qeveria qendrore dhe ajo lokale e Tiranës duke përdorur forcën e policisë të armatosur deri në dhëmbë, me fytyra të mbuluara e pa numër identifikimi në uniformat e tyre kanë urdhëruar përdorimin e forcës po të nxjerrë me dhunë qytetarët dhe artistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar të cilët për 27 muaj në mënyra paqësore duke u bazuar në fuqinë e fjalës dhe në kushtetutën e Shqipërisë mbrojtën deri atë ditë njërin nga pasuritë arkitektonike e kulturore të kryeqytetit, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë historike dhe artistike jo vetëm shqiptare por edhe për Europën,
Jo kot ndërtesa e Teatrit Kombëtar ishte radhitur në vendin e parë në Listën e monumenteve të rrezikuara dhe ishte e mbrojtur nga Forumi Europa Nostra (https://
Teatri Nacional i Tiranës, i cili fillimisht ishte i njohur si Circolo italo-albanese, bashkë me Cinema Lux (që tashmë është rrënuar për të ndërtuar aty pallate banimi), bashkë me Kinostudio (Cinecittà dell’Albania), edhe ky i shkatërruar) ishin pjesë e jetës artistike dhe kulturore për të cilat ka nevojë çdo qytet i mirëfilltë.
Administrata lokale (Bashkia e Tiranës) dhe ajo qendrore (Qeveria shqiptare) në vitet e fundit kanë zhdukur shumë monumente historike dhe kulturore jo vetëm në Tiranë, po edhe në gjithë Shqipërinë e cila dalëngadalë po shëndërrohet në heshtje në një vend pa të kaluarën e saj, pa memorjen historike dhe pa identitet kulturor.
Qytetarët e Padovës, e cila është e njohur si qendër e njohur e lidhjeve midis popullit shqiptar dhe italian bashkë me veprimtarë dhe mërgimtarë nga Shqipëria, Kosova etj., të prirë nga Dr. Elda Omari , historiane e njohur, në krye të këshillit organizativ shqiptaro-italian të protestës,duke dënuar me forcë shkatërrimin e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë si dhe dhunën e paarsyeshme të përdorur joproporcionalisht nga policia e pushtetit kundër artistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit të udhëhequr nga artisti dhe regjisori i famshëm Edmond Bidina ( i cili ka ndarë edhe fatin e mërgimit për shumë vite në Bassano del Grappa), si dhe ndaj qytetarëve të lirë që po protestonin paqësisht kundër rrënimit, kërkojnë me vendosshmëri që ky shkatërrom i strukturave historike të përfundojë përgjithmonë.
Në vend se të shkatërrohen duhet të mirren masa që të rindërtohen e të restaurohen ndërtesat e vjetra me rëndësi dhe vlera kulturore duke i vënë në shërbim dhe duke ua përcjellur gjeneratave të ardhshme si dëshmi faktike që kompleton historinë mijëvjeçare shqiptare.
Duhet punuar seriozisht që të ruhen dhe vlerësohen këto objekte kulturore e historike edhe si ura të lidhjeve midis dy brigjeve të Adriatikut pa iu dhënë asnjëhere ngjyrime politike por di shenja të kohës së shkuar dhe në respekt të elegancës dhe të bukurës, duke vënë në vepër detyrimet ligjore që obligojnë në bazë kushtetutore, mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë artistike, kulturore, historike dhe arkitekonike të Shqipërisë.