• Today is: Sunday, November 24, 2024

Përpjekja e kastës së vjetër për qeveri të re mund të jetë e ligjshme, por demokratikisht është lojë e rrezikshme

fakti
May30/ 2020

Nëse në Izrael, në demokracinë e vetme në Lindjen e Afërt, brenda një viti janë organizuar tri palë zgjedhje parlamentare, pse në Kosovë s’mund të organizohen – brenda 6 apo 9 muajve – zgjedhje të reja? Më 6 tetor 2019 LDK ka marrë vota gati aq sa VV me premtimin se nuk do të kthehet në gjirin e partive të korrupsionit dhe klientelizmit.

Nga Enver ROBELI/ Zyrih

LDK mund të kthehet aty ku ndihet më mirë, por për këtë duhet t’u drejtohet qytetarëve brenda një afati të arsyeshëm. Nëse votuesit e përkrahin në këtë projekt, nuk ka askush të drejtë ta kontestojë vullnetin e shprehur. Por ambicia për të sunduar deri më 2023 apo 2024 me shumicë tjetër parlamentare duke deformuar vullnetin qytetar të 6 tetorit 2019 është lojë e rrezikshme – në radhë të parë e kryetarit të LDK-së, i cili është duke e mbivlerësuar peshën e tij politike dhe duke i shkaktuar dëm të madh rendit demokratik në Kosovë.

Përpjekja e kastës së vjetër për të krijuar një qeveri të re mund të jetë formalisht e ligjshme, por në aspektin demokratik është një lojë e rrezikshme – sidomos për shkak të mungesës së një plani se kur do të mbahen zgjedhjet e reja. Madje partitë që po duan të bëjnë një diçka si qeveri as që po e përmendin idenë e zgjedhjeve të reja. Kasta e vjetër ka një tendencë të sundojë deri në vitin 2023 apo 2024 pa iu nënshtruar votës së qytetarëve dhe duke përjashtuar dy politikanët tani për tani më të popullarizuar në Kosovë – Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin. Në Izrael brenda një viti janë organizuar tri palë zgjedhje. Pse në Kosovë brenda 6 apo muajve nuk është e mundur të mbahen një palë zgjedhje?

Nëse në Kosovë nuk organizohen zgjedhje brenda një afati të arsyeshëm, atëherë kemi të bëjmë me kidnapim të vullnetit qytetar të shprehur më 6 tetor 2019. LDK ka marrë vota gati aq sa VV me premtimin se nuk do të kthehet në gjirin e partive të korrupsionit dhe klientelizmit. LDK ka të drejtë të bëjë koalicion me çdo forcë tjetër politike, por për këtë duhet të dalë para votuesve. Nëse ata i japin vota të mjaftueshme për këtë, s’ka asnjë problem në kuptim të legjitimitetit demokratik.

Tani për tani ideja e aleancës së ringjallur të politikanëve që kanë ndërtuar sistemin korruptiv është që me forca të përbashkëta t’i përjashtojnë nga vendimmarrja politikanët aktualisht më të popullarizuar të Kosovës. Me zgjedhjen e qeverisë së re të politikave të vjetra, Albin Kurti nuk do të jetë pjesë e parlamentit (dhe pjesa më e madhe e politikanëve më të njohur të VV-së). Me zgjedhjen e qeverisë së re, roli i Vjosa Osmanit do të zbehet, sepse në LDK edhe më shumë do të dominojnë ata që më 6 tetor 2019 nga frika ose për arsye të tjera parapolitike i kanë ikur testimit të besueshmërisë në popull. Kjo kastë tashmë e ka paralajmëruar Vjosa Osmanin me ndëshkim. Pse? Vetëm pse nuk po pështyn si kolegët e saj mbi programin me të cilin LDK i ka marrë këto vota më 6 tetor.

Udhëheqja e LDK-së po sillet në stilin: çka na interesojnë neve pallavrat që i kemi thënë dje.

Përjashtimi faktik nga vendimmarrja i dy figurave më të votuara në Kosovë është një eksperiment i rrezikshëm që e dëmton rëndë kredibilitetin zgjedhor. Në këtë lojë cinike po prin kryetari i LDK-së, duke e mbivlerësuar peshën e tij politike dhe duke lënë pas një trashëgimi politike të ndyrë. Tallja me vullnetin e qytetarëve dhe deformimi i vullnetit të tyre gjithsesi i revolton njerëzit dhe jo pak prej tyre i zhgënjen dhe i shtyn të emigrojnë (siç kanë bërë mbi 100 mijë veta në dimrin e viteve 2014/15).

Natyrisht që duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por po aq i rëndësishëm sa vendimi i gjykatës është të respektohet vullneti demokratik që buron nga kutia e votimit. Dhe kur ka këso dridhjesh aq të mëdha politike siç kanë ndodhur javëve të fundit në Kosovë dhe kur hendeku mes popullaritetit të njërës palë dhe jopopullaritetit të palës tjetër është aq i madh (siç po tregojnë anketat më të reja), atëherë mandati duhet t’u kthehet qytetarëve brenda një kohe të arsyeshme. Sepse zëri i qytetarëve është parakusht për parlament funksional, qeveri dhe shtet funksional.

Sjellja arrogante e koalicionit të ri të politikës së vjetër (dhe të kalbur) sikur nuk paskësh nevojë për zgjedhje të reja parlamentare dhe bindja absurde e krerëve të këtij koalicioni se mund të qeverisin deri më 2023 apo 2024 pa ia kthyer mandatin qytetarëve, është papërgjegjësi e madhe dhe tendencë autoritare.

Nëse në ditët në vijim do të ndodh ajo që po përgatitet, atëherë Kosova do të ketë një qeveri me disa kryeministra. Dhe një kryeministër urdhërmarrës dhe jo urdhërdhënës. Figura të tjera të LDK-së, me më shumë peshë, nuk kanë pranuar të marrin këtë barrë në këtë situatë.

Një klasë politike e përgjegjshme do të gjente një kompromis: që Kosova të kishte një qeveri teknike, kalimtare për një vit, e cila do të merrej me përballimin e situatës së krijuar nga pandemia dhe pastaj do të organizonte zgjedhjet e reja, të parakohshme. Ikja nga ballafaqimi me vullnetin e qytetarëve është ikje nga politika serioze dhe zbritje në sundim të nëntokës.