Driton Selmanaj në të kaluarën ishte analist i “pavarur” që mbronte qëndrimet e LDK, kurse tash është deputet, por nuk ndjehet mirë në këtë pozitë, sepse ai mendon se mamaja e ka bërë vetëm për ministër.
Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë është në përfundim të emrave që do të jenë pjesë e kabinetit të kryeministrit të ardhshëm, Avdullah Hoti.
Dy deputetë të partisë së Isa Mustafës pritet që t’i lëshojnë ulëset në Kuvend dhe t’i bashkohen karvanit të ekzekutivit.
Burime të “Indeksonline”, brenda LDK-së, kanë treguar se deputeti nga Prizreni, Driton Selmanaj të emërohet në postin e zëvendës-kryeministrit.
Ndërsa, deputeti tjetër, Armend Zemaj ka shprehur preferenca që ta drejtojë Ministrinë e Bujqësisë, e cila deri më tani udhëhiqet nga Besian Mustafa.
Ndryshe, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se seanca për votimin e formimit të Qeverisë së re do të mbahet kur Gjykata Kushtetuese do të publikojë aktgjykimin e plotë në lidhje me dekretin presidentit Hashim Thaçi.
“Po e presim Aktgjykimin e kompletuar të Gjykatës Kushtetuese, për ta aktivizuar kërkesën e deputetëve të koalicionit, në krye me LDK-në, për thirrjen e Seancës së Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re”.
“Jo se nuk e kemi të qartë Aktgjykimin, por se jemi të interesuar të respektojmë Gjykatën Kushtetuese dhe të gjitha procedurat demokratike”.
Ai deklaroi se beson fuqishëm se Gjykata Kushtetuese ia mbajti anën Kushtetutës, jo Presidentit dhe jo interesit të asnjë subjekti politik.
“Jam i bindur se me këtë përgjegjësi, LDK dhe partnerët e koalicionit do ta qeverisin Kosovën, me respektim të plotë të Kushtetutës dhe të ligjit, të interesave madhore të vendit dhe të çdo qytetari, pavarësisht bindjeve të tij partiake, fetare apo përkatësisë etnike”, ka deklaruar ai.