• Today is: Monday, November 25, 2024

Telekom: Nuk posedojmë fare “dhoma të përgjimeve”

fakti
May30/ 2020

Telekomi i Kosovës i ka siguruar komsumatorët se nuk ka kryer përgjime dhe nuk ka pasur as qasje të paautorizuar në rrjetin e tij.

Sipas Telekomit, deklaratat e paverifikuara, të pasakta, apo të papërgjegjshme mund ta dëmtojnë biznesin dhe imazhin e Telekomit të Kosovës, njofton Klan Kosova. 

“Kemi frikë se kjo mund të keqkuptohet si favorizim i konkurrencës apo dëmtim i qëllimshëm i reputacionit të Telekomit te Kosovës”.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë:

I sigurojmë konsumatorët tanë se nuk ka përgjime nga ana e Telekomit të Kosovës dhe as qasje të paautorizuar në rrjetin tonë

Pas deklaratave joprofesionale dhe të pambështetura në fakte të zyrtarëve të lartë të shtetit, të cilat e dëmtojnë pa të drejtë reputacionin e Telekomit të Kosovës sh.a., e ndiejmë të nevojshme të sqarojmë opinionin me sa vijon:

–          Telekomi i Kosovës sikurse edhe operatorët e tjerë të Telekomunikacionit në Kosovë nuk posedojnë “dhoma të përgjimeve” me të cilat po spekulohet në opinion.

–     Objekti ku është e vendosur drejtoria dhe administrata jonë kryesore, aktualisht nuk është pronë e Telekomit të Kosovës sh.a. por e Postës së Kosovës.

–     Në kuadër të kësaj ndërtese ekzistojnë hapësira të cilat nuk i menaxhon Telekomi i Kosovës sh.a. dhe një ndër to është edhe një hapësirë e cila menaxhohet nga Kryeprokurori i Shtetit.

–     Kjo hapësirë apo “ dhoma e përgjimeve” si është e njohur nëpër media, funksionon në bazë të ligjit 05/L-030 dhe me një Vendim të Kryeprokurorit të Shtetit. Të gjitha këto janë të bazuara në Standardet Ndërkombëtare të sigurisë.

–     Hapësira të tilla ekzistojnë tek të gjithë operatorët në Evropë, duke i përfshirë këtu edhe operatorët në Kosovë.

–     Në këtë hapësirë, e cila menaxhohet nga Kryeprokurori i Shtetit, nuk ka pasur qasje asnjëherë dhe në asnjë rast nga ndonjë i punësuar i Telekomit të Kosovës sh.a. pa autorizim dhe pa praninë e përgjegjësve nga Prokuroria e Shtetit.

–          Hapësira në fjalë është e monitoruar përmes kamerave të cilat menaxhohen nga Kryeprokurori i Shtetit.

–     Pas verifikimit nga personat kompetent, përreth hapësirës në fjalë nuk është gjetur asnjë shenjë apo element i dyshimtë për qasje me forcë apo qasje të pa autorizuar.

Deklaratat e pa verifikuara, të pasakta, apo të papërgjegjshme mund të e dëmtojnë biznesin dhe imazhin e Telekomit të Kosovës sh.a. Kemi frikë se kjo mund të keqkuptohet si favorizim i konkurrencës apo dëmtim i qëllimshëm i reputacionit të Telekomit te Kosovës.

 

Demi pyet PDK-në pse janë ruajtur të dhënat e qytetarëve në PTK për 20 vjet

 

Agron Demi nga instituti GAP, ka reagur rreth deklarimeve të fundit për çështjen e Dhomës së Dëshmive në PTK, ku presidenti Thaçi tha se zyrtarë qeveritarë, përfshirë kryeministrin në detyrë Albin Kurti, kanë hyrë brenda saj dhe për tri ditë i kanë ndalur kamerat e sigurisë në atë dhomë.

Ndërkaq po sot, Sejdi Hoxha, ish-drejtor i PTK-së, tani deputet i PDK-së, tha se VV-ja ka hyrë në atë dhomë për të mbledhur të dhenat e qytetarëve për 20 vjet.

Por Demi, përmes një statusi në Facebook, ka pyetur se si është e mundur që të dhënat të ruhen për 20 vjet, kur kjo është në kundërshtim me ligjin.

“A nuk është dashtë me u asgjësu ato të dhëna ashtu qysh e parasheh Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ligji për Përgjimin e Komunikimeve Elektronike”, ka pyetur Demi.

Hoxha: Nëse dikush ka hyrë në Dhomën e Përgjimeve të PTK-së duhet të përgjigjet

Në një lidhje direkte për “Klan Kosovën” ai u shpreh se në raste të caktuara angazhohen edhe hetues, që e kanë ndonjë përcjellje nën vëzhgim, por për personat tjerë kjo zyrë është e paprekshme dhe se askush nuk duhet të depërtojë aty, përveç kryeprokurorit dhe të autorizuarve të tij.

“Mënyra se si dikush mund të depërtojë pa autorizim, duhet të përgjigjet se si ka mundur të hyjë aty”, tha Hoxha.

“Nëse kjo ka ndodhur, sigurisht se do të përgjigjet, sepse kjo është vepër penale për ‘Zbulim të sekretit’, ‘Keqpërdorim të pozitës zyrtare’ etj., me të cilën do të merret prokurori i rastit”, u shpreh Syla.

Prokuroria nis hetimet për pretendimet e Thaçit për Dhomën e Përgjimeve

Prokuroria Speciale ka nisur hetimet pas deklaratës së mbrëmshme të presidenti të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Haki Abazin dhe me Xhelal Sveçlën, kanë hyrë në Dhomën e Përgjimeve në PTK dhe se aty kanë ndalur kamerat për tri ditë.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu, konfirmoi për “Zeri.info” se tashmë kanë filluar me grumbullimin e informatave për të vërtetuar nëse ekzistojnë elementet e veprës penale, që ndiqet sipas detyrës zyrtare.

“Ju njoftoj se Prokurori i Shtetit është në fazën e grumbullimit të informatave për të vërtetuar nëse ekzistojnë elementet e veprës penale, që ndiqet sipas detyrës zyrtare”, tha ai.

Ndryshe, presidenti Thaçi mbrëmë ka thënë se Kurti, Abazi dhe Sveçla duhet të përballen me drejtësinë, pasi që, sipas tij, kjo është një vepër shumë e rëndë.

“Pse ky grup ka shkuar në Dhomën e Përgjimeve dhe ka ndalur kamerat për tri ditë? Çka kërkon kryeministri në Dhomën e Përgjimeve? Kjo është vepër penale. Ata duhet të përballen me drejtësinë, pasi kanë bërë vepra shumë të këqija. Kanë ndalur kamerat, duke bërë shkelje penale. Nuk ka dyshim këtu”, kishte deklaruar Thaçi.

Pas deklaratës së presidentit ka reaguar edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, duke thënë se këto deklarime të Thaçit janë gënjeshtra dhe se me to duhet të merret Prokuroria e Shtetit.

Sveçla rekomandon që Psikiatria të deklarohet për akuzat e Thaçit

U.d. i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka rekomanduar që për akuzat e presidentit Hashim Thaçi për ndërhyrje në dhomën e përgjimeve në PTK të deklarohet Klinika e Psikiatrisë.

Gjatë një vizite në QKUK Sveçla u pyet nga gazetarët për akuzat e Thaçit, të bëra dje në një emision në “TV Dukagjini”, kur tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u.d. i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe zëvendëskryeministri Haki Abazi kanë ndërhyrë në dhomën e përgjimeve në PTK.

“Nuk besoj që është koha tash të flasim këtu, nuk është as vendi. Ne jemi në Qendrën e Administratës së QKUK-së. Nuk jam unë që duhet të deklarohem për këto. Mendoj se për këtë duhet të deklarohen në ndërtesën këtu ngjitur (Klinika e Psikiatrisë v.j.), pra ekspertët që punojnë aty”, u shpreh u.d. i ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.