Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dinamikat e proceseve në Kosovë do të duhej të ndryshonin. Megjithatë, ato do të varen edhe nga polarizimet e mundshme në skenën politike.
Prishtinë, 29 maj/Gazeta FAKTI – Verdikti përmes të cilit Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vlerësuar se dekreti i presidentit Hashim Thaçi për ta mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën ka sqaruar shumë dilema se si duhet të interpretohen dispozitat kushtetuese edhe në të ardhmen, se si duhet të veprohet në rast të mocionit të mosbesmit ndaj qeverisë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Por, sipas tyre, cilido që do të ishte vendimi i kësaj gjykate, reagimet nga subjektet e caktuara politike do të ishin të pashmangshme.
Megjithatë, siç thonë ata, verdikti i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet nga të gjitha partitë politike, për shkak se vendimet e saj janë të paapelueshme dhe i obligojnë të gjitha institucionet që t’i respektojnë, raporton Radio Evropa e Lirë
Modifikim i qëndrimit ose rrugë e vështirë për Vetëvendosjen
Lëvizja Vetëvendosje, e cila kishte kërkuar vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e dekretimit të Avdullah Hotiti për kryeministër nga presidenti Thaçi, tashmë ka shprehur mospajtimin me verdiktin e saj, duke e cilësuar si të papranueshëm.
Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka pasur mjaft indikacione të qarta nga udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje se nuk do të pranohet një vendim i Gjykatës Kushtetuese që nuk do të jetë në përputhje me pritjet e tyre.
“Tash është e qartë që vendimi nuk është i tillë. Prandaj, përfaqësuesit e Vetëvendosjes do të duhej ose ta modifikojnë qëndrimin e tyre, që do të ishte tejet pozitive për Kosovën në përgjithësi, ose t’i hyjnë një rruge të vështirë, të rëndë të sfidimit të këtij vendimi, gjë që do t’iu humbte shumë kohë edhe proceseve të Kosovës në përgjithësi, mirëpo do të ndikonte edhe në imazhin e skenës politike në tërësi”, thotë Muhaxhiri.
Analisti Arton Demhasaj, nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, pritet që të nisin procedurat për krijimin e qeverisë së re, brenda afatit të caktuar kohor. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje. Por, sipas tij, reagimet e Lëvizjes Vetëvendosje janë krejtësisht të pritshme.
“Pra, mund të pritet reagim nga ana e Vetëvendosjes, qoftë përmes protestave dhe mbase edhe ndonjë rezistencë për sa i përket largimit nga institucionet. Por, unë nuk besoj që ka për të ndodhur, sidomos kjo e dyta. Protesta, normalisht, është demokratike dhe kushtetuese për aq sa respektohen normat dhe rregullat, si dhe është e qetë. Mund të protestojnë pa problem ata që janë të pakënaqur, por duke mos rezistuar dhe duke mos e penguar zbatimin e vendimit (të Gjykatës Kushtetuese) në praktikë”, thotë Demhasaj.
Qytetarët, për dhe kundër
Verdikti i Gjykatës Kushtetuese ka ngjallur reagime edhe te qytetarët, të cilët e kanë pritur në mënyra të ndryshme atë.
Emir Berisha, nga Drenasi, thotë se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese mund të ketë mospajtime, por ai duhet të pranohet dhe respektohet.
“Duhet të pranohet dhe nuk ka tjetër mënyrë, sepse Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar. Është problem, por ai është organi më i lartë në shtet”, thotë Berisha për Radion Evropa e Lirë.
Shefki Shabani, nga Prishtina, thotë se Gjykata Kushtetuese me veridktin e saj e ka shkelur Kushtetutën, të cilën, siç thotë ai, e ka për obligim ta interpretojë drejt.
“Më 2014, thoshin se qeverinë e formon ai që është i pari. Tash kjo po shkelet. Nuk jam në asnjë parti. Por, nëse nuk e respekton Kushtetutën tënde, atëherë çfarë shteti je ti? A të ikim, ta lëshojmë të gjithë Kosovën? Kjo nuk është mirë”, thotë Shabani.
Kurti: Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh lider i Lëvizjes Vetëvendosje ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli të ligjshëm dekretin për mandatimin e Avdullah Hotit për formimin e qeverisë së re.
Përmes një reagimi në Facebook, Kurti ka thënë se në pak vende të botës mund të gjendet ndonjë rast kur fituesi i zgjedhjeve dhe vetë qeveria në detyrë janë të gatshëm për zgjedhje të reja dhe kjo ju pamundësohet nga Gjykata Kushtetuese dhe presidenti i vendit.
“Gjykata e ka shkruar njoftimin në mënyrë të atillë thua se fituesi i zgjedhjeve nuk ekziston fare, sikur fituesi të jetë ineksistent. Ndërkaq, në anën tjetër, Gjykata shlyen dallimin midis shkarkimit dhe dorëheqjes së ekzekutivit. Gjykata paragjykon kur thotë se fituesi jo vetëm që s’ka propozuar një kandidat, por as që ka shprehur interesimin për një gjë të tillë. Kjo nuk qëndron, sepse në vazhdimësi është theksuar nga ne se fituesi i zgjedhjeve nuk po heziton dhe nuk po refuzon”, ka shkruar Kurti.
Duke shprehur kundërshtimin ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kurti tha se beteja kundër vendimit do të vazhdojnë, siç u shpreh ai, së bashku me popullin.
“Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit. Ajo foli për veten, më parë e më shumë sesa për çështjen që trajtoi. Ajo e vulosi veten, ajo e zhvlerësoi veten. Beteja jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijesuar, kundër kësaj kaste të korruptuar”, ka shkruar Kurti.
Kurti tha se nuk ka pasur shpresa të mëdha në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, porse, sipas tij, ky vendim është “përtej imagjinatës e nën çdo nivel logjik e juridik”.
Zhvillimet e mundshme politike
Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dinamikat e proceseve në Kosovë do të duhej të ndryshonin. Megjithatë, ato do të varen edhe nga polarizimet e mundshme në skenën politike.
Sipas Muhaxhirit, dinamikat e zhvillimeve do të varen sërish nga pozicionimi dhe veprimet eventuale të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërkaq, Demhasaj pret që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kosova të bëhet me qeveri të re shumë shpejt. Kjo do t’i hapte rrugë, sipas tij, përshpejtimit të procesit të dialogut me Serbinë.
“Ne e dimë se si po qëndron situata aktuale politike në vend për sa u përket çështjeve të dialogut. Në një mënyrë, Qeveria e (Ramush) Haradinajt ka rënë pikërisht për shkak të procesit të dialogut. Njëkohësisht, ka indikacione që të bindin se edhe Qeveria Kurti ra pikërisht për shkak të dialogut. Me gjasë, nëse krijohet Qeveria Hoti, dinamizimi i procesit të dialogut do të jetë shumë i madh dhe do të ketë menjëherë një rifillim të procesit të dialogut. Ndërsa, në aspektet tjera, të zhvillimit ekonomik apo të çështjeve tjera, nuk pres që do të ketë ndonjë dinamizëm kush e di se çfarë. Pak a shumë, ka për të qenë e njëjta dinamikë që e kemi tash e 20 vjet”, thotë Demhasaj.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 30 prill, ka dekretuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për mandatar për kryeministër të ri, pas votimit të mosbesimit për Qeverinë e Albin Kurtit nga Kuvendi i Kosovës më 25 mars.
Më 1 maj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme, duke pezulluar dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin nga LDK-ja për kryeministër, deri më 28 maj, kur edhe është marrë vendim i plotë.
Kurti, Konjufca e Haxhiu nuk do të jenë më në Parlament
Pas krijimit të Qeverisë së re, Vetëvendosja do ta ketë numrin më të madh të deputetëve në Parlamentin e Kosovës, por do t’i mungojnë lojtarët kyçë, që gjithmonë i kishte aty. Albin Kurti, Glauk Konjufca e Albulena Haxhiu nuk do të jenë më pjesë e legjislativit pasi kanë hequr dorë kur janë bërë ministra. Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në shumicë përbëhet nga deputetë të rinj. Nga garda e vjetër aty do të jenë Liburn Aliu e Rexhep Selimi, që pritet t’i prijnë betejës me Qeverinë Hoti në Kuvend, shkruan Gazeta Express.
Fjalimet e replikat e deputetit të tri mandateve dhe ish-shefit të Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, me kundërshtarët politikë në Kuvend, nuk do të mund të dëgjohen më nga podiumi i përfaqësuesve të popullit. Konjufca kishte marrë postin e kryediplomatit në Qeverinë Kurti dhe konsiderohet si një nga zërat më të fuqishëm të VV-së pas Albin Kurtit. Sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, secili deputet që merr post ekzekutiv është i detyruar të dorëzojë mandatin. Konjufca ka qenë dhe nënkryetar i Kuvendit dhe largimi i tij do të jetë një hendikep për VV-në. Madje, këtij subjekti do t’i hiqet edhe pjesa argëtuese në “tempullin e demokracisë”, ku Konjufca kujdesej që t’i shkrijë së qeshuri bashkëpartiakët me fjalime dhe replika.
Albulena Haxhiu që aktualisht është ministre e Drejtësisë në detyrë, po ashtu është dashur të largohet nga Kuvendi pas marrjes së postit në Qeveri. Zëri i saj është dëgjuar shumë shpesh në Kuvend, madje edhe kur nuk i është lëshuar mikrofoni e nuk i është dhënë fjala.
Haxhiu ka qenë prej deputeteve më të vërejtura edhe kur VV-ja bënte opozitë duke përdorur edhe gazin lotsjellës si mjet.
Lëvizja Vetëvendosje me një humbje të tillë ishte përballur edhe pas zgjedhjeve të vitit 2017, kur ishte ndarë në dysh, kur i ishin larguar edhe ata që konsideroheshin “si bisha politike të saj”, që tashmë janë pjesë e PSD-së, siç është rasti me Dardan Molliqajn që drejton këtë subjekt.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili i dha të drejtë Avdullah Hotit të LDK-së, për formimin e Qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje kthehet në opozitë edhe pa Albin Kurtin në Kuvend, që për tre muaj udhëhoqi ekzekutivin.
Bashkë me Kurtin që është edhe truri dhe motori i VV-së mungesa e të cilit do të jetë mangësi e madhe për opozitarizmin e VV-së, pozita ministrore kishin marrë edhe Arben Vitia dhe zëvendëskryeministri Haki Abazi.
LVV-ja ka në Kuvend 30 deputetë, e shumica prej tyre kanë fituar për herë të parë mandat. Në mesin e tyre, VV-ja ka edhe deputeten më të re të Kuvendit në përgjithësi, 22-vjeçaren Fjolla Ujkani.
Deputetë për herë të parë janë ekonomisti Hekuran Murati, i cili garoi për herë të parë dhe doli i pesti më i votuari në parti, gazetari Mefail Bajqinovci, ish-zëvendësministri i turizmit në Shqipëri, Hajrullah Çeku, dhe i aderuari nga LDK-ja, Shpejtim Bulliqi.
Kusari-Lila e quan tradhti të re për demokracinë e Kosovës vendimin e Kushtetueses
Sipas saj, “ana e errët e këtij procesi është lehtësia e manipulimit të zinxhirit institucional për skenarë të dëmshëm për demokracinë dhe të ardhmen e vendit”.
Ajo ka thënë se ana e ndritshme e procesit është identifikimi i “akterëve që lehtësisht bëhen marioneta të manipulimit, duke harruar peshën e përgjegjësisë dhe historisë që do ta mbajnë përgjithmonë si njollë në karrirën e tyre politike dhe profesionale”.
“Kosova është vend i lirë. Qytetarët e saj janë të lirë dhe me mendim të qartë se si e duan jetën dhe shtetin e tyre. Këtyre të cilëve sot mund të ju duket se kanë fituar, shumë jetëshkurtër e kanë këtë fitore, por turpin dhe tradhtinë e besimit të qytetarëve e kanë të garantuar dhe të përjetshëm”, ka përfunduar ajo.
Veseli: Vendim i drejtë i Kushtetueses, LVV është brenda skenarit të saj
11:43, 29 Maj 2020
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe e ka vlerësuar si vendim të drejtë.
Veseli ka shkruar në faqen e tij në Facebook se refuzimi i LVV-së për ta dërguar te Presidenti i vendit, për herë të dytë, emrin e mandatarit për Kryeministër, ka imponuar këtë vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese.
”Një vendim i pritur nga Gjykata Kushtetuese, i cili në bazë ka vitin 2014 kur VLAN tentoi ta deformonte vullnetin qytetar”.
”Refuzimi i LVV-së për ta dërguar te Presidenti i vendit, për herë të dytë, emrin e mandatarit për Kryeministër, ka imponuar këtë vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese”.
”LVV tashmë është brenda skenarit të saj të paramenduar”.
”Dëshiroi ta evitonte mundësinë për të qeverisur, me shpresë se do të përfitonte më shumë duke manipuluar me emocionin qytetar”.
”Tani, demokracia e Kosovës është në momente vendimtare, ashtu siç është edhe e ardhmja e shtetit”.
Arban Abrashi: Qeveria Hoti votohet në javën e ardhshme
“Është koha që edhe ata të pjekën, ta kuptojnë Kushtetutën dhe të sillem mirë me partnerin e koalicionit”, tha Abrashi.
BE: Liderët politikë të përmbahen nga gjuha nxitëse
Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe shefat e misioneve të BE-së në Kosovë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si parim kyç i sundimit të ligjit, kanë ftuar të gjithë akterët politikë të Kosovës që ta zbatojnë atë. Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e BE-së në Kosovë thuhet se tani i takon Kuvendit që t’i ndërmerr hapat e nevojshëm kushtetues, në përputhje me vendimin e Gjykatës. “BE u bën thirrje të gjithë liderëve politikë që të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe ta shprehin mospajtimin e tyre ekskluzivisht në mënyrë paqësore dhe demokratike”, thuhet në deklaratë.
A do të përfshihet Komisioni i Venecias në ‘betejën’ e Vetëvendosjes me Gjykatën Kushtetuese?
Verdikti i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që i jep të drejtë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në vendimin e dekretimit të Avdullah Hotit të LDK-së si mandatar për formimin e qeverisë së re, pas shkarkimit të qeverisë Kurti dhe mos-përgjigjes së Vetëvendosjes për të dërguar emër të ri, ka ngjallur reagime të ashpra tek këta të fundit.
Lëvizja Vetëvendosje përveç paralajmërimeve për protesta të cilat kanë marrë edhe formën e “provës për protestë”, për dy herë me radhë, është edhe kërkesa në Komisionin e Venecias për interpretim të verdiktit të Kushtetueses, shkruan lajmi.net.
Sipas kësaj, VV siç po shihet do t’i shkojë deri në fund rrugëve ligjore që të parandalojë krijimin e qeverisë së re – për legalitetin dhe legjitimitetin e së cilës nuk i ka bindur Gjykata Kushtetuese me verdiktin e dhënë.
E subjekti i kryeministrit aktual në detyrë, Albin Kurti pritet t’i drejtohet Komisionit të Venecias lidhur me dekretin e shpallur nga Gjykata Kushtetuese dje – i argumentuar si në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Një veprim të tillë e paralajmëroi dje edhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca në një debat televiziv, menjëherë pas vendimit të Kushtetueses.
Lajmi.net është interesuar në lidhje me qëndrimin e Komisionit të Venecias sa i përket një kërkese të tillë të dytë.
Komisioni i Venecias është pyetur nëse ka ende ndonjë mundësi të mbetur që ky dekret të kthehet për interpretim në Komisionin e Venecias.
Zyra për media e këtij Komisioni, për lajmi.net kanë lënë të kuptohet se janë të gatshëm, dhe se në momentin që një kërkesë e tillë vije, ata do të japin përgjigjen e tyre, mirëpo pa specifikuar nëse do ta marrin nën shqyrtim.
“Komisioni i Venecias do të merr vendim kur dhe nëse një kërkesë e tillë na vjen”, thuhet në përgjigjen e Komisionit të Venecias për lajmi.net.
Shoqëria civile kërkon që LDK-ja të publikojë marrëveshjen me Listën Serbe para votimit të qeverisë
Marrëveshjet për bashkëqeverisje të LDK-së me AAK-në dhe NISMA-n janë bërë publike, por jo ajo edhe me Listën Serbe.
Nga kjo parti janë arsyetuar se marrëveshjet i kanë publikuar vet partnerët e koalicionit të ardhshëm dhe se ajo vet nuk ka publikuar asnjë marrëveshje.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se sot se marrëveshjen me Listën Serbe do ta publikojë vet i dekretuari për kryeministër Avdullah Hoti.
Mirëpo nga shoqëria civile thonë se publikimi i marrëveshjes LDK-Lista Serbe duhet të bëhet para se qeveria e re të votohet në Kuvend.
“Jo pse duhet të konspirojmë ndonjë marrëveshje mes LDK-së dhe Listës Serbe, por është përgjegjësi ndaj publikut dhe për hir të transparencës është mëse e duhur që sa më parë, domosdo para krijimit të qeverisë të publikohet kjo marrëveshje”, ka deklaruar për RTV Dukagjinin Allen Meta nga Demokracia për Zhvillim (D4D).
Tashmë AAK ka publikuar pesë emrat e ministrave të saj në Qeverinë Hoti.
NISMA do të ketë dy ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit por ende nuk ka përcaktuar emrat se kush do të drejtojë këto dikastere.