• Today is: Monday, November 25, 2024

Të mbizotrojnë veprimet politike që e ruajnë qetësinë

fakti
May29/ 2020

Tash e tutje është vendimtare që të mbizotrojnë veprimet politike që e ruajnë qetësinë, demokracinë dhe rrugët ligjore…Siç është vendimtare të evitohet çdo skenar i përshkallëzimit të konfliktit politik të provokuar sidomos me rrëzimin e Qeverisë legjitime të kryeministrit Albin Kurti…

Nga Valentina SARAÇINI

Gjithçka e ditur dhe e pritur ndodhi…Gjykata Kushtetuese tha se Presidenti Thaçi ka vepruar në përputhje me Kushtetutën lidhur me dekretin që Abdulla Hoti i LDK-së të jetë mandatar i qeverisë së re. E, i menjëhershëm ishte reagimi i Ambasadës së ShBA, duke bërë thirrje të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës…
Le të shpresojmë që ky vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk po i mundëson ” shprint ” kumarxhinjve politik vendorë e të huaj që duan marrëveshjen për ndarjen e Kosovës, pra ndryshimin e kufijve, e që plotëson aspiratat e moçme hegjemoniste të Sërbisë…
Tash e tutje është vendimtare që të mbizotrojnë veprimet politike që e ruajnë qetësinë, demokracinë dhe rrugët ligjore…Siç është vendimtare të evitohet çdo skenar i përshkallëzimit të konfliktit politik të provokuar sidomos me rrëzimin e Qeverisë legjitime të kryeministrit Albin Kurti…
Çdo hap e veprim politik i LVV duhet t’i shërbejë vullnetit të qytetarëve për zgjedhje të reja dhe kjo kauzë duhet mbërritur vetëm me veprime politike demokratike…
Ndëkaq, shpresoj se LDK është e vetëdijshme se e mban përgjegjësinë kryesore për çdo sjellje dhe veprim politik që mund ta cenojë integritetin territorial të Republikës së Kosovës…Njëherazi LDK mbase e ka të qartë, tash më shumë se kurrë më parë, se duhet ta marrë përsipër të udhëheqë dialogun me Sërbinë, mbi të gjitha duke e marrë përsipër edhe detyrimin që mos të lejojë legjitimimin e marrëveshjes sekrete, e cila e ka motiv dhe qëllim ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës… Gjithashtu LDK dhe partitë e tjera e dinë fare mirë se populli i Kosovës nuk do ta lejojë ndarjen e Kosovës dhe kjo nuk lidhet fare me çështjen kur do të kemi zgjedhje të reja, të jashtëzakonshme!

29 maj, 2020