Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i hap udhë zgjedhjes së kryeministrit të ri dhe formimit të kabintetit të ri qeverisës, kanë ardhur reagimet e para nga LDK, Ramush Haradinaj dhe Hashim Thçi
Është deputeti i LDK-së, Arban Abrashi ai i cili e ka komentuar shkurt vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit.
“Vazhdojmë…”, ka shkruar Arban Abrashi në profilin e tij në Facebook.
Ndërkaq, lideri i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se sot është dëshmuar se shteti i Kosovës po funksionon.
Mustafa në RTV Dukagjini ka thënë se Gjykata Kushtetuese është treguar shumë e përgjegjshme.
“Konsideroj se vendimi duhet të përkrahet e zbatohet dhe se vendimi është në dobi të forcimit të demokracisë dhe shtetësisë së Kosovës”.
Kryetari i LDK-së thotë se pret që vendimi të pranohet nga të gjithë pasi është përfundimtarë dhe nga instanca më e lartë e shtetit të Kosovës.
Mustafa ka thënë se vendimi i Kushtetueses nuk është në dëshirën e Vjosa Osmanit apo dikujt tjetër.
“Thirrja e seancës nuk është çështje vullneti personal e kryetares së Kuvendit apo dikujt tjetër. Me rregullore të Kuvendit nëse 40 deputetë kërkojnë seancë ajo duhet të mbahet”, tha Mustafa.
Kurse Ramush Haradinaj e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas tij i hap rrugë formimit të Qeverisë së re.
Haradinaj fton të gjitha palët që ta respektojnë këtë vendim dhe të veprojnë konform tij, teksa shton që Kosova nuk ka kohë për të humbur, shkruan Indeksonline.
Postimi i plotë:
Përshëndes aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i hap rrugë formimit të Qeverisë së re. Ftoj të gjitha palët që ta respektojnë këtë vendim dhe të veprojnë konform tij. I mandatuari për krijimin e Qeverisë së re, Avdullah Hoti, duhet që sa më parë të kompletojë ekipin dhe Kuvendi pa humbur kohë të caktojë seancën për votimin e Qeverisë. Në rrethanat e krijuara, çdo ditë e humbur ka kosto për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve. Kosova nuk ka kohë për të humbur.
Pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me dekretin e presidentit Thaçi për mandatarin Avdullah Hoti, kreu i shtetit ka mirëpritur këtë vendim, shkruan “zeri.info”.
“Kam qenë i bindur se çdo hap që kam ndërmarr ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe më vjen mirë që këtë e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese”, thotë presidenti në postimin e tij në “Facebook”.
I pari i vendit ka kërkuar nga partitë politike dhe të gjitha institucionet që të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
“Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën”, ka potencuar ai.
Presidenti ka shtuar se Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj “tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës”.