• Today is: Monday, November 25, 2024

SENTENCA NGA RRUGA JETËSORE E MËSUESIT SEID MUSAI

fakti
May28/ 2020

Nga Ismail ARSLLANI/Tetovë

Në këtë foto historike, të shkrepur më 4 korrik të vitit 1945, shihen mësuesit e parë të kualifikuar nga trojet shqiptare. Në kursin e parë pedagogjik tremujor në Prizren, që u mbajt në periudhën 15 mars – 15 qershor të vitit 1945, ishte edhe mësuesi i njohur nga Tetova, SEID MUSAI, i cili atë e kreu me shumë sukses, duke u pajisur me njohuri të mjaftueshme pedagogjike-metodike për mësimdhënie. Në karrierën e tij, nxori 40 gjenerata nxënësish, duke punuar kryesisht në SHF “Liria” të Tetovës. Në këtë foto, bashkë me Seid Musain, është edhe MEHMET GJEVORI, hartuesi i parë i abetares shqipe në trojet shqiptare këndej kufirit, me të cilin Seid Musai ishte shok i ngushtë.
Mësuesi i popullit, Seid Musai, pas kryerjes së kursit pedagogjik, me ndihmën e Mehmet Gjevorit emërohet inspektor i arsimit në Prizren, por për shkak të insistimit të mësuesit të ri që të kthehet në vendlindje (Tetovë), ku kishte nevojë të madhe për arsimim të popullatës kryesisht analfabete, largohet nga Prizreni për të ardhur në Tetovë.
Ai jo vetëm që mbante mësim të rregullt me nxënës të moshave të ndryshme, por punonte pa kufizim orësh dhe pa kurrfarë kompensimi shtesë material edhe në arsimimin e të rriturve dhe ishte i angazhuar në kurse të posaçme për ngritjen e nivelit të arsimimit dhe shkrim-leximit të hoxhallarëve.
Mësuesi Seid Musai, në fillim të karrierës, ishte angazhuar edhe në grupin e “treshit” të organizatës ilegale patriotike të NDSH-së, për çka ishte denoncuar nga organet kompetente për transferim prej Tetove, për disa vite punë në Tearcë. Përkundër peripecive të shumta jetësore dhe trysnisë së pushtetit, Seid Musai nuk ndalet së punuari, duke shkruar dhe bërë regjinë e dramave për të rritur dhe fëmijë, ndër të cilat më e njohura është “Nesër do të jetë vonë”, e cila, me kërkesë të publikut, është shfaqur disa herë.


Në foto: Seid Musai, në rreshtin e fundit, i katërti nga e djathta