• Today is: Sunday, November 24, 2024

ÇFARË KUPTIMI KANË ZGJEDHJET PA REGJISTRIMIN E POPULLSISË?

fakti
May24/ 2020

Shqiptarët nuk kanë arsye t’iu gëzohen projeksioneve që i nxjerrin ata kampion në parametrat demografik, për arsye se një popullsi është vitale dhe kreative vetëm nëse resurset e veta ekonomike e intelektuale i zhvillon në vendlindje. Fundja, çka të themi për ata kombe që janë edhe më të vegjël se shqiptarët por të çudisin me inovacione të çdoditshme në teknologji, arsim, ekonomi etj.

Nga Emin AZEMI, botues i Gazetës FAKTI

Shumë flitet për zgjedhje, e shumë pak për regjistrim të popullsisë. Projeksionet demografike mbi të cilat bazohen shtabet partiake, nuk janë në përputhje me gjendjen reale në terren. Jo pak tregues thonë se numri i banorëve këtu po reduktohet, si pasojë e shkaqeve të ndryshme, ku në të shumtën e rasteve përmendet shpërngulja dhe nataliteti i ulët, ndërkohë që për shumë analiza financiare e zhvillimore ende merren për bazë të dhënat e regjistrimit të vitit 2002, kur ishin 2,02 milion banorë, prej të cilëve 64% maqedonas, 25% shqiptarë dhe pjesa tjetër etnitete të tjera.
Por, ditë më parë drejtori i Entit të Statistikës, Apostol Simovski, tha se në Maqedoni nuk janë më shumë se 1.5 milion banorë, që i bie që numri i banorëve është reduktuar për 24,6 për qind nga viti 1991, kur Maqedonia kishte 1.99 milion banorë. Çuditërisht kjo deklaratë nuk shkaktoi kurrfarë kureshtje gazetareske, por as politike, ndonëse kjo e fundit nuk është e përgatitur t’iu hyj me themel punëve për të ndarë, siç thonë, shapin nga sheqeri
Regjistrimi i popullsisë ka qenë paraparë të bëhet sivjet, pra në vitin 2020, mirëpo për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ato u shtynë për vitin e ardhshëm. Sikundër dihet, regjistrimi i popullsisë në Maqedoni për herë të fundit është realizuar në vitin 2002, ndërkohë që një proces i njëjtë dështoi që në nisje gjatë vitit 2011, për shkak të mosmarrëveshjeve që dolën në mesin e anëtarëve të Komisionit për Regjistrim rreth metodologjisë së përdorur gjatë regjistrimit në terren, e që kishte të bënte kryesisht me përfshirjen ose mospërfshirjen në regjistrim të atyre që janë me punë të përkohshme jashtë vendit. Në fakt, metodologjia për zbatimin e regjistrimit, sipas EUROSTAT-it, është e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara dhe në asnjë mënyrë nuk guxon të jetë objekt pazaresh politike dhe shtrembërim të kritereve profesionale. Për më tepër EUROSTAT, ka kërcënuar se nëse regjistrimi nuk i përmban metodologjinë dhe kriteret e paracaktuara, ai si i tillë nuk do të njihet.
Kur jemi te metodologjia dhe kriteret, viteve të fundit është folur edhe për mundësinë e organizimit të regjistrimit, por pa grafikonin e përkatësisë etnike e fetare, me pretendimin se gjoja komponenta etnike qenka fare pa rëndësi në një proces regjistrimi. Regjistrimet që na tregojnë se sa banorë ka Maqedonia, janë gjysmake nëse nuk dihet se kush e përbën atë popullatë. Madje, çfarë kuptimi ka regjistrimi, nëse njerëzit e etnive të ndryshme që jetojnë në Maqedoni nuk e dinë se janë shtuar, apo pakësuar. Dikur insistohej me të madhe që të mbahet regjistrimi dhe “ta shohin shqiptarët se sa pak janë”. Këtë e thoshin nacionalistët maqedonas, kurse tani kalohet në një ekstrem tjetër.
Regjistrimi i popullsisë në vetvete përbën një filozofi zhvillimi që shtetet e ndjekin për të matur parametrat e caktuar në një rrafsh më të gjerë identifikimi të problemeve sociale, ekonomike, urbane, etno-kulturore etj. Sikur të mos ishin këto atribute, nuk do ta kishim edhe strukturën e shoqërisë. Nëse bien këto atribute, bie edhe struktura. Me fjalë të tjera, Maqedonia do të popullohej prej një grumbulli njerëzish me identitet anonim etno-kulturor dhe si i tillë ky shtet do të shndërrohej në një “lavatriçe” që ua fshin banorëve etiketën e përkatësisë etnike. Mund ta imagjinojmë se si në atë “lavatriçe” hyjnë njerëzit me idenë që të pastrojnë vetullat dhe të mbeten pa sy. Vetëm kështu, të verbër,njerëzit mund të jenë të dobishëm për një të ardhme orveliane ku “kooperativa” demografike bluan identitetet dhe e shndërron në zomb gjithë atë masë amorfe njerëzish. Anonimiteti si zgjidhje idiote mund të jetë pasioni i fundit i ndonjë
drejtori të Statistikave, i cili mundohet të fusë nën tavolinë një ofertë parapolitike, si test për të provuar .
Deri sa të mbahet regjistrimi i radhës, Qeveria ende nuk ka dalë me një Strategji për shtimin e popullsisë. Ende nuk dihen shkaqet e vërteta se pse kjo ka ndodhur, por nuk arsye që një shtet që është në proces të negociatave për anëtarësim me BE-në, të mos ketë një Strategji për shtimin e popullsisë.
Nëse i referohemi të dhënave statistikore, rritja natyrore e popullsisë sipas regjistrimit të vitit 2002, tek shqiptarët ka qenë diku 18 promil, kurse te maqedonasit ka qenë 9-10 promil. Këto projeksione statistikore i ka mbështetur në një studim edhe Dr. Ivan Savev, profesor në Universitetin e Sorbonës, sipas të cilit në vitin 2020 popullsia shqiptare gati se do të barazohet me popullsinë maqedonase, kurse në vitin 2025, ajo do të tejkaloj popullsinë maqedonase.
Shqiptarët nuk kanë arsye t’iu gëzohen projeksioneve që i nxjerrin ata kampion në parametrat demografik, për arsye se një popullsi është vitale dhe kreative vetëm nëse resurset e veta ekonomike e intelektuale i zhvillon në vendlindje. Në studimet e ardhshme do të duhej të përfshihen këta komponent, për të pa realisht se sa demografia është aleat real i zhvillimit të një kombi. Fundja, çka të themi për ata kombe që janë edhe më të vegjël se shqiptarët por të çudisin me inovacione të çdoditshme në teknologji, arsim, ekonomi etj.