• Today is: Sunday, November 24, 2024

VETMIA DHE LIBRI

fakti
May24/ 2020

Sa e sa të burgosur me shumë vite apo me burg të përjetshëm, arratisjen nga burgu e kanë mësuar nga libri. Po i kujtoj këto të dhëna, herë herë të dhembshme e trishtuese, për të thënë se sa këmbëngulës, sa joshës, sa i fuqishëm, sa magjik është libri. Dhe ai është i tillë qoftë kur krijohet, qoftë edhe vetëm kur lexohet. Libri, me magjinë e tij, shëron dhembje. Ai, shëron njerëz dhe kohë. Libri, është ideal njerëzor.

Nga Gani BYTYÇI/ Zyrih

 

Në kohë të këtij izolimi vetmitar, sikur e patem një keqkuptim ndaj librit. Menduam që, pasi u myllëm, iu kthyem atij vetëm sa për të kaluar kohën me të cilën nuk dimë çfarë të bënim. Ai, disi sikur na u imponua, vetëm pse u gjetem të mbyllur. Por, ja që nuk është tamam ashtu. Libri nuk është vetmia e imponuar. Ai është vetëdija e izoluar. Ai është luksi i vetmisë. Është ekstaza e tij. Pra, libri nuk na erdhi tani në këtë mbylljen tonë. Ai ishte aty prej mijëra vjetësh… Apo thënë më drejt, që prej se nisi të shkruhej ai. Dhe ai qëndroi aty, në brendinë dhe vetminë më të thellë të bibliotekave. Në heshtjen e tyre. Dhe libri rrinte mbyllur aty në brendinë e arkivave, nëpër dhoma të errëta të shtëpive, në dhoma mësimi të shkollave e universiteteve. Pra ai ishte aty e kudo. Dhe ai qëndronte aty, herë në dritë e i hapur po ai gjendej edhe aty, ku ishte errët e më errët, ku nuk mund të depërtonte asnjë fije drite. Në burgje. Libri ishte edhe aty. Aty, libri futej edhe fshehtas dhe i heshtur. Por vinte një çast, kur ai bëhej i zëshëm, gjithë ushtimë… Pra libri gjenë mënyrën për të depërtuar edhe atje, ku nuk mund as të imagjinohet. Dhe atje libri shkon për t`i dhenë dritë e shpresë mendjes dhe shpirtit të njeriut të shtypur e të robëruar. Ai futet atje për ta dhënë kushtrimin e lirisë në formë të një ëndrre a jehone të një këngeje. Ndaj libri, qoftë kur shkruhet apo kur lexohet, ai është vetmia, është durimi e pasioni. Sa e sa libra në historinë e përbotshme i ka shkruar vetmia e skajshme dhe durimi, e shpresa e pafundme, pasioni. Të gjithë e kemi të njohur se si e shkroi ditarin e saj, ajo Goca e re e quajtur Ana Frank… Edhe ne e kishim një Ana Frank shqiptare. Sa herë e kujtoj atë gocë, ndjej dhembje therëse. Ajo quhej Drita Coma. Ajo vajzë e re dhe shumë e talentuar, jo vetëm që shkroi libër (ditar) me shumë talent e vështirësi të pafundme por, deri në frymën e fundit, ajo u përball me dy përbindësh, që të dy vdekjesjellës: Sëmundja e pashërueshme dhe njolla e të qenit fëmijë e prindërve të dënuar si armiq të popullit. Pra, libri, qoftë kur shkruhet, apo kur lexohet, ai detyrimisht i kërkon një raport vetmie edhe shkrimtarit po edhe lexuesit.
Të burgosurit politik (shqiptarët e Kosovës), ankesa e parë, nga të paktat, që i kishin para autoriteteve të burgut (në ish-Jugosllavi), ishte mungesa e librit në hapësirën e burgut.
Vrasësi korsik i Prefektit të Korsës (z.Eriniak), i dënuari me burg të përjetshëm (Ivan Colona), kur u kap pas dy vjetesh arratie, në stanin ku ishte strehuar, po lexonte një nga romanet e Kadaresë. Sa e sa shkrimtarë, veprat më të mëdha i kanë shkruar (edhe i kanë lexuar) në qelitë e bugut. Të burgosurve politik (shkrimtarëve) në Shqipëri, pos çdo gjëje të nevojshme, u ka munguar edhe letra e lapsi. Një pjesë të madhe të poezisë së tyre, ata (Visar Zhiti) e kanë shkruar me të përsëritur dhe mbamendje. Ç`pasion magjik e tortures është letërsia! Sa e sa të burgosur me shumë vite apo me burg të përjetshëm, arratisjen nga burgu e kanë mësuar nga libri. Po i kujtoj këto të dhëna, herë herë të dhembshme e trishtuese, për të thënë se sa këmbëngulës, sa joshës, sa i fuqishëm, sa magjik është libri. Dhe ai është i tillë qoftë kur krijohet, qoftë edhe vetëm kur lexohet. Ndaj pra, ai ka nevojë për atë qetësinë e vetminë apsolute. Kur i qasemi, ai ka nevojë që të jemi vetëm të tij. Ai na e kërkon që atij t`ia japim gjithë vëmendjen, tërë përkushtimin tonë.
Dhe kjo vetmi e autorit apo e lexuesit qoftë, shpreh një raport krejt magjik, gati hyjnor të tyre ndaj librit. Dhe pikërisht kjo magji hyjnore, gjatë gjithë historisë se njerëzimit, ka shëruar shpirtin e njeriut të robëruar, të mbyllur e të burgosur, të izoluar e të syrgjynosur, të sëmurë a të dëshpëruar. Ai, pra është edhe qëllimi i tij, çlirimi, emancipimi dhe fisnikrimi i shpirtit njerëzor. Libri, me magjinë e tij, shëron dhembje. Ai, shëron njerëz dhe Kohë. Libri, është ideal njerëzor!

24 maj, 2020

Fotografia e Gani Bytyçi
Fotografia e Gani BytyçiFotografia e Gani BytyçiFotografia e Gani Bytyçi