• Today is: Friday, May 3, 2024

TË PREMTEN VENDOSET PËR ORËN E ZGJATUR POLICORE

fakti
May21/ 2020

Gjatë ditës së nesërme (të premten) do të ketë vendim të Qeverisë se çfarë orë policore do të ketë për fundjavë, gjegjësisht gjatë festës së Fitër Bajramit, ndërkohë që Bashkësia Fetare Islame publikoi udhëzimet se si do të duhet të sillen besimtarët myslimanë gjatë faljes së namazit të Bajramit

Shkup, 21 maj/ Gazeta FAKTI – Po bëhen konsultime, deri më tani janë respektuar rekomandimet, ne i ndjekim mendimet e ekspertëve. Do të duhet të shkojmë drejt lehtësimit të masave, por kjo do të
thotë respektim të masave tjera jo restriktive. Por, ato masa nuk respektohen, nuk mbahen maska, nuk respektohet distanca. Nëse dëshirojmë të kemi zvogëlim të masave, duhet të respektohen rekomandimet.
Këtë e deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, në emisionin e sontëm ku ishte mysafir në TV 24, duke potencuar se lehtësimi i masave është në proporcion të drejtpërdrejtë me respektimin e rekomandimeve, transmeton agjensia shtetëtore e lajmeve MIA.

Udhëzimet e BDI për faljen e namazit të Bajramit

Derisa pritet që Qeveria të sjellë vendim mbi propozimin e Komisionit për Sëmundje Infektive për orë policore gjatë festës së Bajramit, nga ana tjetër, Bashkësia Fetare Islame publikoi udhëzimet se si do të duhet të sillen besimtarët myslimanë gjatë faljes së namazit të Bajramit.

BFI:

-Falja e namazit të sabahut të bëhet në shtëpi

-Falja e namazit të Fitër Bajramit mos të zgjatë më shumë se 15 minuta

-Maksimalisht të largohemi nga përshëndetjet me kontakte fizike

-Largimi nga vizita e varrezave

-Gjatë ditëve Fitër Bajramit vizitat tradicionale të jenë sa më të pakta

Në masat e publikuara BFI, sugjeron që të respektohet masat për dezinfektim, distancë sociale dhe mosgrumbullim në grupe të njerëzve, transmeton TV 21.
BFI nuk pret vendimin e Qeverisë! Publikoi udhëzimet për faljen e ...

Për orën policore gjatë Festës së Bajramit kreu i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi ka rekomanduar që vendi të ndjekë shembullin e propozuar në Turqi për festën e Fitër Bajramit.

“Ne edhe pse si shtet nuk jemi pjesë në shtetet shumë të zhvilluara dhe duhet të ndjekim se si sillen shtete e zhvilluara perëndimore. Nga ana tjetër si myslimanë po ashtu duhet të ndjekim shtete e zhvilluara që kanë shumicë myslimane, e më lejoni që në këtë rast si shembull ta marr Turqinë dhe t’i besojmë këtyre shteteve. Sidomos e kam ndjekur pozicionimin e qeverisë së Turqisë, institucioneve dhe presidentit të Turqisë dhe them se Turqia si shtet me mbi 90% të myslimanëve ka një veçori prej shteteve të tjera myslimane sepse është anëtare e NATO-s dhe është e testuar me pushtet demokratik përmes votës së lirë dhe zgjedhjeve korrekte dhe demokratike”, tha Menduh Thaçi, PDSH.

VMRO-DPMNE kundërshton orën e zgjatur policore

Nga VMRO-DPMNE nuk pajtohen që të ketë orë policore gjatë festës së Bajramit dhe gjatë festës së Shën “Kirili dhe Metodi”.

VMRO-DPMNE:

“Është e palogjikshme që të paralajmërohet se restorantet do të punojnë nga e marta, ndërsa të bëhet i detyrueshëm qëndrimi në shtëpi gjatë fundjavës së zgjatur. Me fjalë të tjera e diela dhe e hëna për Qeverinë e LSDM-së janë të rrezikshme, ndërsa e marta nuk është. Në bazë të cilave kritere është sjellë ky propozim? VMRO-DPMNE pati konsideruar se edhe gjatë Pashkëve masa për orë policore të plotë është tejet shtrënguese, e njëjtë është edhe kjo e propozuara tani për festën e Bajramit.”

Komisioni për sëmundje ngjitëse ka kërkuar orë policore nga e shtuna ora 19-të, deri të martën ora 5:00.

Arsyeja se përse është kërkuar orë policore e zgjatur gjatë vikendit sipas ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe është se rritja e numrit të infektuarve kohëve të fundit është për shkak të mbledhjeve familjare.