Vepra e Mexhid Mehmetit sot është e publikuar dhe mjaft e njohur dhe shumëvlerësuar në Kosovë, por jo edhe në Shqipëri!? Shkrimtarët tanë dhe shoqatat tona të letërsisë për fëmijë, janë gati inekzistente edhe për autorët tanë, brenda Republikës së Shqipërisë, pa le të bëhen aktive për letërsinë e fëmijëve në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi e në Luginën e Preshevës.
Bardhyl MALIQI
Në përpjekjet e mia për të realizuar një analizë bindëse të letërsisë shumëvëllimëshe për fëmijë të shkrimtarit kosovar Mexhid Mehmeti, m’u desh të shikoja shumë shkrime për këtë letërsi. E ndesha shpesh emrin e tij në Preshevë e në Prishtinë, por rrallë ose aspak në Shqipëri! Të ishin përmendur së paku trilogjia ÇAMARROKËT, apo romani tjetër shtatëvëllimësh ECEJAKET E HERO LINDIT, do të qe gjysma e të keqes. Por, fatkeqësisht, as emrin e autorit aq të dashur e kureshtjendjellës dhe as veprën e tij nuk e hasim pothuaj askund!?
Kjo ka ndodhur në Kosovë edhe me poezinë e tij në vitet e ’70! U deshën 30 e ca vjet që krijimtaria e tij letrare të konsiderohej vepër e çmuar e të shpërblehej me çmime kombëtare e ndërkombëtare.
Vepra e Mexhid Mehmetit sot është e publikuar dhe mjaft e njohur dhe shumëvlerësuar në Kosovë, por jo edhe në Shqipëri!? Shkrimtarët tanë dhe shoqatat tona të letërsisë për fëmijë, janë gati inekzistente edhe për autorët tanë, brenda Republikës së Shqipërisë, pa le të bëhen aktive për letërsinë e fëmijëve në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi e në Luginën e Preshevës.
Kam qenë i ftuar në Preshevë në Manifetimin e tyre kulturor, e prita me dëshirë këtë ftesë. Pashë shumëçka e mora me vete shumë impresione. Dëshiroja që mbresat e mia t’i gërshetoja me përshtypjet e thella që më la leximi i librit të poetit Mexhid Mehmeti “Përtej Harrimit”, me një parathënie solide të Prend Buzhalës, më bëri mjaft përshtypje. Kjo është edhe arsyeja themelore që poema ime impresive, në botimin e parë të saj, mban të njejtin titull dhe është krijuar në të shumtën me motivet, titujt, shprehjet e figurat e këtij libri.
Por, më pas, me trishtim vërejta se po me këtë titull ishin botuar edhe libra e shkrime të tjera! Fatkeqësisht, tek ne, epigonët dhe plagjiatorët nuk mungojnë kurrë! Kjo më bëri të vendosi që ribotimi i poemës të mbajë titullin “Presheva nuse përdëllimi”, titull që, sipas meje, shpreh thelbin e veprës së Mexhidit si dhe trishtimin e ndjesitë e mia të paharruara për Preshevën martire.