• Today is: Sunday, November 24, 2024

HUMANISTI I PAMPOSHTUR

fakti
May20/ 2020

Sërish ëndrrat e kthejnë Lazimin në vendlindje. Ai sërish këto ditë e nisi aksionin tjetër humanitar në Tetovë, duke ndihmuar familjet në nevojë me mjete sanitare dhe higjenike. Edhe kur shumë kompani të mëdha prodhuese dhe qarkulluese në botë janë trandur dhe i frikësohen falimentimit ose ardhmërinë e kanë të paqartë, humanisti shqiptar Lazim Destani mbetet i pamposhtur dhe me dorë të zgjatur rrin pranë popullit të vet.


 

Nga Faruk TASHOLLI/ Achen

 

Nuk kanë kaluar as gjashtë muaj, sa për shkak të fatkeqësive natyrore, sa për shkak të mbamendjes historike e kulturore, që nga një dorë njeriu, rrodhën edhe miliona euro që etnisë shqiptare në Europën Juglindore t’i zbuten plagët. Ai vargu emblematik i poetit të mërguar Fan S.Noli „Jepni për nënën!“, sikur e ndjek pas në çdo çast biznesmenin dhe fiklantropin e madh Lazim Destanin, i cili i dalë nga Malësia e Sharrit, para shumë vitesh mori udhën e mërgimit për mëkëmbje ekonomike familjare, por pas suksesit gjigand, Amës iu kthye me urtinë dhe dashurinë hyjnore. Nga suksesi i tij në biznes, së pari përfitoi rrethi familjar, pastaj ai farefisnor dhe për t’u zgjeruar këta rrathë në vendlindje, në regjione dhe deri në cepat e etnisë, ku bukës i thonë bukë e ujit ujë. Çelësi i tij shpirtëror, deri aty ku arrin, hap derën e varfanjakut, kthen shpresën për jetë të të sëmurit, kthen shkëlqimin në institucione kulturore e shkencore, me donacione vështirë të llogaritshme edhe për shumë qeveri në botë.
Por Lazim Destani mbetet i pamposhtur.Ai nuk ndalet.Ai nuk pret të bëhet top lajm në televizione e as në mediat e shumta si politikanët, që jo rrallë janë mospërfillës me hallet e qytetarëve dhe marrin poste që nuk dinë t’i menagjojnë.Atij nuk i bëjnë përshtypje falënderimet false dhe kritikat cinike të sehirgjinjve, qofshin ata politikanë, artistë, apo ndërmarrës të ligj.Ai është falënderues dhe besimtar i devotshëm te Zoti.
Lazim Destani nga të parët zbriti në Tiranë pak orë pasi tërmeti tronditi Shqipërinë, jo vetë, por me rrugët e pushtuara nga maunet me ndihmat e tij për qytetarët.
Fotografia e Faruk Tasholli

Duke shëruar sa mundi ato plagë nga tërmeti, sakaq“këceu“ në Tetovë, për ta ngritur në piedestal një figurë që bashkë me të para disa dekadash filluan ndryshimin e pamjes së jashtme e të brendshme të këtij qyteti. Ai vendosi shtatoren e profesor Fadil Sulejmanit në hyrje të Universitetit të Tetovës, institucion ky që nuk u mëkëmb vetëm nga profesori që idealin e bëri realitet. Por ishte po ky Lazim Destani që Fadil Sulejmanit i ndejti pranë që në nismë, duke ndihmuar nga Gjermania me fitimet e veta ngritjen e institucionit të lartë, duke organizuar edhe shumë bashkatdhetarë që të jenë në këtë krah.Pas rezultateve dhe sukseseve shumëvjeçare të Universitetit të Tetovës, aty ku filloi, Lazim Destani mblodhi intelektualë të të gjitha viseve shqiptare për ta shndërruar një ditë në festë madhështore në zemër të Tetovës, aty ku dikur ishte vështirë të bënte jetë edhe një shkollë e vogël shqipe.

Por kur pas përhapjes së pandimisë së Korona Virusit nëpër botë, kjo fatkeqësi trokiti edhe në portat e shqiptarëve dhe paralizoi jetën publike, pas mbylljes së shkollave, ministritë përkatëse organizuan mësimin online. Këtu më së rëndi e pësuan nxënësit e familjeve të varfëra që nuk kishin mundësi ta ndjekin mësimin. Për ta zbutur sado pak këtë mungesë, sërish doli në ballë Lazim Destani me kompanië e tij Ecolog dhe me buxhetin familjar dhe siguroi mijëra tablete që dritaret e dijes, të hapen aty ku munden që nga Korça e deri në Mitrovicë.
Ecolog dhuron qindra tableta për nxënës që nuk kanë akses në mësim ...

Nëse në këtë kohë shquhen si heronj ministrat e arsimit të shteteve përkatëse, si të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, atëherë edhe humanisti ynë duhet të zë vend aty diku pranë tyre. Por njeriu shtegton nëpër botë dhe me ëndrra kthehet aty ku e nisi. Sërish ëndrrat e kthejnë Lazimin në vendlindje. Ai sërish këto ditë e nisi aksionin tjetër humanitar në Tetovë, duke ndihmuar familjet në nevojë me mjete sanitare dhe higjenike. Edhe kur shumë kompani të mëdha prodhuese dhe qarkulluese në botë janë trandur dhe i frikësohen falimentimit ose ardhmërinë e kanë të paqartë, humanisti shqiptar Lazim Destani mbetet i pamposhtur dhe me dorë të zgjatur rrin pranë popullit të vet.

20 мај, 2020