• Today is: Monday, November 25, 2024

Në Shqipëri ka apartamente më të shtrenjta se në Paris dhe Vjenë

fakti
May20/ 2020

Shqipëria vijon të mbetet një nga vendet më të shtrenjta për të blerë shtëpi, referuar kjo të ardhurave që kanë familjet. E thënë më thjeshtë, një apartament në Tiranë është një lloj i shtrenjtë sa një apartament në Paris apo në Vjenë.

“Nëse do të krahasojmë fuqinë blerëse me çmimet e apartamenteve do të shohim se shtëpitë në Tiranë janë një lloj të shtrenjta siç janë në Milano, Vjenë, Romë apo Paris. Sepse kjo matet me sa vjet te duhen ty për të blerë një shtëpi. Dhe kjo është e matur me një çmim mesatar prej 1200 euro. Nëse do të flasim pastaj për çmimet që kanë arritur kullat që janë 3-4 mijë euro do të duhen shumë më tepër vjet që ta blesh një shtëpi”, tregon Ornela Liperi eksperte ekonomie, raporton Top Chanel.

“Shqipëria akoma nuk ka atë lloj jetese që mund të ketë Roma, Parisi, Londra e të tjerë. Kosto në raport me atë që fitojnë banorët, me kosto të asaj që kanë ambientet rezidenciale është shumë fish më e lartë. Pra një parizien që ka një rrogë të lartë, edhe metri katror atje është relativisht i lartë. Ndërkohë që sa vite do i duhet një shqiptari që të blejë një banesë të tij në qendër të Tiranës?!”, tregon Armand Vokshi, Arkitekt

“Çmimi i shtëpive në Tiranë për dorën e zotit ose të një rregullatori mbi qeverinë apo edhe mbi atë që quhet oligarki. Nëse ndërhynë ajo dorë të jeni të sigurt që çmimi bie në mënyrë katrostofale 3,4,5 herë. Jo nga çmimi më i shtrenjtë por edhe nga një çmim që është relativisht i pranueshëm në ditët e sotme. Por që s’është real për raportin e mundësive financiare”, tregon Gent Kaprata, urbanist.

“Ka dhe një nonsense këtu te ne po ajo ishte nga varfëria e madhe që patëm dhe nga mungesa e shtëpive normale. Kjo uri e madhe për të krijuar një farë komoditeti bëri që gjithë emigracioni të investonte në banesa. Ishte një gabim shumë i madh. Ata duhet të investonin në atë sektor të ekonomisë që do të sillte fitim, të fitonte lekë e pastaj le të bënte edhe shtëpinë. Shtëpia nuk të jep gjë, shtëpia vetëm ha. Gjithë kohën do vetëm meremetime, rregullime njërën tjetrën vetëm do lekë nuk të jep lekë. Investimi që në fillim është bërë gabim po flas për njerëzit që i kishin lekët dhe kanë punuar me djersën e ballit nuk po flas për të tjerat”, tregon Luljeta Bozo, Inxhiniere Ndërtimi.