• Today is: Friday, April 19, 2024

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e dënon diskursin publik të krerëve shtetërorë

fakti
May20/ 2020

Gjykata kushtetuese, në reagimin e saj, ka thënë se po i ndjek me shqetësim akuzat e drejtpërdrejta të presidentit Hashim Thaçi dhe të kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe thekson se ata të dy po mundohen të ndikojnë në vendimmarrje të gjykatës për rastin e dekretit të Thaçit.

Prishtinë, 19 maj – Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka dënuar diskursin publik të krerëve të shtetit ndaj saj. Në një reagim për media, Kushtetuesja i ka përmendur presidentin dhe kryeministrin në detyrë për paragjykim të vendimmarrjes së saj, duke theksuar se ajo nuk u nënshtrohet persioneve dhe kërcënimeve.

Gjykata kushtetuese, në reagimin e saj, ka thënë se po i ndjek me shqetësim akuzat e drejtpërdrejta të presidentit Hashim Thaçi dhe të kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe thekson se ata të dy po mundohen të ndikojnë në vendimmarrje të gjykatës për rastin e dekretit të Thaçit.

“Gjykata Kushtetuese po ndjekë me shqetësim diskursin publik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga Presidenti dhe Kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike, të cilët duke akuzuar njëri-tjetrin për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese nga pala tjetër, po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re. Gjykata Kushtetuese e dënon ashpër këtë ndërhyrje në pavarësinë e vet institucionale, si dhe përpjekjen e akterëve politik dhe institucional për të përfshirë Gjykatën Kushtetuese në debate politike ditore”, thuhet në reagim.

Gjykata Kushtetuese ka thënë se e dënon edhe përfoljen e gjyqtarëve individualë, si persona që kanë autorizime apo përgjegjësi vendimmarrëse individuale në këtë çështje.

“Gjykata Kushtetuese rikujton se vepron si tërësi, në bazë të dispozitave kushtetuese dhe ligjore që qeverisin vendimmarrjen e saj. Gjykata Kushtetuese siguron publikun se nuk do t’i nështrohet presioneve dhe kërcënimeve të tilla, dhe se nuk ka nevojë për mbrojtje politike apo publike nga askush, sepse Kushtetuta dhe ligji ia ofrojnë të gjitha garancitë e nevojshme për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe të paanshme”, thuhet në reagim.

Kushtetuesja u ka bërë thirrje të dy palëve që të përmbahen nga komentet dhe veprimet që ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e saj.

Lëvizja Vetëvendosje e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese dekretin e Presidentit Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër të ri të Kosovës. Gjykata e ka pezulluar dekretin deri më 29 maj. Deri atëherë pritet që kjo gjykatë të vlerësojë nëse është kushtetues ose jo dekreti i Thaçit.

Thaçi dhe Kurti, në deklaratat e tyre publike e kanë akuzuar njëri-tjetrin për ushtrim të presionit ndaj Gjykatës Kushtetuese, por të dy kanë paragjykuar se vendimi I gjykatës do të jetë në favor të secilit prej tyre.