• Today is: Monday, November 25, 2024

Ministrja e Kulturës: “Nuk isha në dijeni për shembjen e Teatrit”

fakti
May20/ 2020

Ministrja e Kulturës Elva Margariti ka deklaruar se nuk kishte dijeni për shembjen e godinës së Teatrit kombëtar. Ajo është pyetur në Open nga Eni Vasili, nëse ajo personalisht si ministre ishte njoftuar për këtë vendim ndërsa Margariti ju shmang një përgjigje të drejtpërdrejtë.

Margariti la të kuptohet se nuk ka patur dijeni në lidhje me aksionin e shembjes nga Bashkia, ndërkohë që anashkaloi dhunën ndaj protestuesve.

“Kisha një shije jo të mirë. Isha në një mbledhje të rëndësishme kur pashë pamjet e punonjësve që po merrnin sendet me vlerë disa kohë më parë. Askush nuk më pyeti atëherë çfarë ndjesie kisha atëherë. Nuk e kuptoj pse askush nuk më pyeti për punonjëset që u dhunuan sepse po merrnin ato sende që sot pretendohet se kanë humbur”, tha ministrja.

Ajo tha se siç Bashkia e Tiranës nuk ka dijeni për mbledhjet që thërret Ministria e Kulturës, as ajo nuk kishte dijeni për vendimet e Bashkisë së kryeqytetit, ndërkohë që në fakt përvec të gjithave janë dy institucione që drejtohen nga Partia Socialiste.

“Ashtu sikur Bashkia nuk ka dijeni kur unë mbledh një Këshillë Kombëtar, as unë nuk kam dijeni për vendimet e Bashkisë. Nga ana shkresore ne ishim totalisht të pavarur nga ajo godinë”, deklaroi ajo./ Gazeta FAKTI