• Today is: Sunday, November 24, 2024

NUK KA NEVOJË PËR KURRFARË ORE TË ZGJATUR POLICORE GJATË FESTËS SË FITËR BAJRAMIT

fakti
May19/ 2020

Tani kujt i nevojitet kjo orë e zgjatur policore gjatë vikendit të ardhshëm?
Politikanëve – për të shëruar ambiciet e tyre populiste, apo popullatës myslimane e cila gjatë festës së Fitër Bajramit po shkaktoka një valë të re pandemie?! Pse po aplikohet kjo simetri false, duke vendos orë të zgjatur policore gjatë festës së Fitër Bajramit vetëm për të krijuar përshtypje të rrejshme se shteti është i barabartë për të gjithë.

Nga Emin AZEMI

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe paska thënëse nesër do të merret vendimi përfundimtar nëse do të ketë orë të zgjatur policore gjatë fundjavës në Maqedoninë e Veriut , duke shtuar se Komisioni për Sëmundjet Infektive gjatë ditës së nesërme do të marrë vendim të cilin do ta përcjell në Qeveri.
Për çfarë orë të zgjatur policore flet ministri Filipçe dhe a ka lidhje me logjikën e shëndoshë kjo çka thotë ai?
Nëse i referohemi raporteve që vijnë nga Instituti i Shëndetit Publik, intensiteti i pandemisë ka shënuar rënie të theksuar, kurse masat parandaluese që u ndërmorën javë më parë, kanë dhënë efekte pozitive në mospërhapjen virusit korona.
Rikthim drejt normalitetit po vërehet edhe në shumë vende europiane dhe të rajonit, ndërkohë që shumica prej tyre kanë paralajmëruar edhe hapjen e kufijve tokësorë.
Nëse do të ketë orë të zgjatur policore gjatë fundjavës në Maqedoninë e Veriut, që i bie kjo të ndodhë gjatë festës së Fitër Bajramit, me siguri nuk bëhet fjalë për kurrfarë vendimi të bazuar në ekspertiza profesionistësh, por në kalkulime dhe driblingje politikanësh.
Në kohën kur ende nuk u mor vesh për epilogun e hetimeve dhe të përgjegjësive rreth organizimit të një liturgjie skandaloze që u mbajt javë më parë në Strugë, ku qindra njerëz kishin dalur pa maska dhe pa respektuar kurrfarë distance fizike, një tufë politikanësh në Shkup po mendon të vendos orë të zgjatur policore gjatë fundjavës së ardhshme.
Pse? Sepse javë më parë qenka zbatuar një masë e tillë gjatë festës së pashkëve ortodoksë dhe tani ora e zgjatur policore po duheshka të aplikohet që besimtarët myslimanë të mos ndjehen të privilegjuar kundrejt besimtarëve ortodoks. Paçka se këta të fundit kur t’iu teket organizojnë llakërdira publike në kundërshtim me të gjitha masat parandaluese në kohë pandemie dhe për këtë askush nuk merret në përgjegjësi, ndërkohë që një grup protestuesish shqiptarë në Hasanbeg të Shkupit javë më parë e pagoi shtrenjtë shkeljen e orës policore, sepse shteti deshi të tregojë sa i fuqishëm është kur ligjet i thyen një kategori qytetarësh.
Tani kujt i nevojitet kjo orë e zgjatur policore gjatë vikendit të ardhshëm?
Politikanëve – për të shëruar ambiciet e tyre populiste, apo popullatës myslimane e cila gjatë festës së Fitër Bajramit po shkaktoka një valë të re pandemie?!

Pse po aplikohet kjo simetri false, duke vendos orë të zgjatur policore gjatë festës së Fitër Bajramit vetëm për të krijuar përshtypje të rrejshme se shteti është i barabartë për të gjithë.

Tani jemi në pjesën e fundit të muajit maj dhe, sipas parashikimeve të ekspertëve, kjo faze shënon edhe rënien e intensitetit të pandemisë, pra nuk jemi në kohën e Pashkëve kur pandemia ishte në kulm. Mbase, këtu jo vetëm që nuk ka vend për analogji, por përdorja si alibi e masave shtërnguese gjatë Pashkëve, nuk mund të prodhojë kurrfarë fuqie efekti edhe për një festë tjetër të besimtarëve myslimanë, sepse ndodhemi në faza të ndryshme të përhapjes së pandemisë dhe jemi në një kontekst komplet tjetër global e rajonal të lehtësimit të masave shtrënguese.
Pra, jo vetëm që nuk do të ketë nevojë për orë të zgjatur policore gjatë festës së Fitër Bajramit, por shteti duhet të krijojë parakushtet e nevojshme që qytetarët të mos ndjehen fajtor dhe të paguajnë tagrin e alibive të rrejshme që institucionet shtetërore po mundohen t’i aplikojnë gjatë vikendit të ardhshëm.

Se qytetarët dinë të jenë të disiplinuar dhe t’iu përmbahen protokolleve shëndetësore, treguan edhe ritualet e faljes nëpër disa xhami, ku në opinionin publik u shpërndanë fotografi me besimtarë myslimanë me maska në fytyrë, të cilët kishin mbajtur edhe distancën fizike në mes të tyre.

Çfarë problemi do të jetë nëse një disiplinë e tillë tregohet edhe gjatë festës së Fitër Bajramit, paçka se njerëzit edhe gjatë orëve policore rrinë të grumbulluar nëpër shtëpitë e tyre dhe atyre as qimja e kresë nuk po iu mungon.

Pa orë të zgjatur policore gjatë vikendit dhe me kujdes maksimal, qytetarët do të dinë ta menaxhojnë edhe këtë festë, e cila do të shënojë edhe fundin e një torture kolektive si pasojë e stërzgjatjes së panevojshme të gjendjes së jashtëzakonshme.

 

Pamjet e mëposhtme dëshmojnë kontrastin e një gjendje, ku njerëzit në rituale të ndryshme fetare, sillen në mënyra të ndryshme

Нова ТВ | Филипче: Барам да се спроведе истрага кој дозволил собир ...

Xhamitë në Maqedoninë Veriore hapën dyert për besimtarët - Bota Sot