• Today is: Friday, April 26, 2024

BE-ja i del në mbrojtje OBSH-së pas kërcënimit dhe ultimatumit të presidentit amerikan, Trump

fakti
May19/ 2020

Bashkimi Europian i doli në krah Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi se do t’i ndërpresë fondet në mënyrë të përhershme këtij institucioni.

“BE-ja përkrah OBSH-në në përpjekjet e saj për ta kontrolluar dhe për ta luftuar përhapjen e COVID-19 dhe tashmë ka ofruar fonde shtesë për t’i përkrahur këto përpjekje”, tha të martën zëdhënësja e Komisionit Europian, Virginie Battu-Henriksson, shkruan “The National Herald”.

Ajo theksoi se bashkëpunimi dhe solidariteti global përmes përpjekjeve shumëpalëshe është rruga e vetme efektive dhe e zbatueshme për ta fituar betejën kundër pandemisë.

“Kjo është kohë për solidaritet, nuk është kohë për ta drejtuar gishtin ose për ta rrezikuar bashkëpunimin shumëpalësh, veçanërisht jo sot kur po e presim miratimin e një rezolute që është prezantuar nga BE-ja dhe vendet anëtare në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë”, shtoi Battu-Henriksson.

Trump kërcënoi se do t’i ndërpresë të gjitha fondet e Shteteve të Bashkuara për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, nëse ky institucion nuk u përmbahet zotimeve për përmirësim në 30 ditët e ardhshme.