• Today is: Friday, April 26, 2024

NJERËZIT DHE BIFURKACIONI

fakti
May19/ 2020

(Homazh Sylë Zhitisë)

 

Nga Gani Bytyçi/ Zyrih

 

Njerëzit janë si Bifurkacioni, ndahen, ikin në drejtime të kundërta dhe nuk takohën kurrë ma. Këto janë ditët që na mbushin pikëllim.
Ndërrimin e moteve, këtë herë e kalova në Vendlindje. Ditët e para të fillimvitit, Miku im, shkrimtari Emin Azemi (nga Kumanova), më njofton se do të bëjmë një mbrëmje me miq, (tek Oxhaku) në Jezerc. -Je mysafir i imi, më thotë ai. Do të jemi një grup miqsh. Nuk më tha se kush do të ishin miqtë e grupit. E la befasi. Ashtu u tha, ashtu edhe u bë.
Takimi u bë në qytetin tim (në Ferizaj). Kur u mblodhëm, vërtet ishim një Grup. Gati të gjithë ishin familjarë të figurave historike. Ishte, Nipi i Patriotit Hasan Prishtina, (Mehmet Prishtina), Nipi i Tribunit dhe Strategut popullor, Shaban Polluzha (Xhavit Kastrati), Luftëtari i Lirisë, Gjenerali Isen A. Berisha, Vëllai i Dëshmorit Afrim Zhitia (Sylë Zhitia). Të gjithë së bashku mësymë Jezercin pitoresk e heroik. Kisha një ndjenjë krenarie e trazimi të përzier. Më bëhej sikur i isha futur tej për tëj historisë. Cilin nga ata heronj, do ta kujtoja më parë. Cdonjëri nga ata ishte i veçantë. Secili prej tyre ishte aq i rëndësishëm për historinë, për flijimin, për Lirinë e Atdheut. Ta kujtoja Hasan Prishtinën, atë trimin mendjendritur. Apo, Shaban Polluzhën, Tribunin popullor të Drenicës heroike. Ta kujtoja Afrim Zhitinë, ndër të parët luftëtarë të brezit të UCK-së. Në mendje, si në mjegull, më silleshin këto Tri Figura. Tre Heronjë, Tre Breza, Tri flijime për Lirinë e Atdheut. “Tek Oxhaku” jehonte rapsodia.

Buçiste kënga epike si kushtrim lirie. Sa shpejt na iku nata. Kur pushonte kënga, ndërronim ndonjë fjalë. Po çfarë mund të thuhej ndërmjet historisë gjithë trishtim, këngës epike dhe luftës për liri. Aty ishin edhe ata që kishin kapërcyer tmerrin, si në përralla. Hiseni, Syla, Xhaviti, Fadili, Saliu… Çdonjëri nga ata ishte një rrëfim në vete për luftën.
Syla ishte ulur i katëri me radhë. Rrinte i heshtur. Kishte një qetësi mitike. Fisnik gjithë elegancë. Modest fjalë pak po shumë përmbajtësor. Nuk foli gjë gati gjithë mbrëmjen. Apo foli ndonjë herë rrallë dhe fare pak. Kush kishte guxuar ta mendonte se kjo do tëmbetej hera e fundit që po rrinim bashkë. Në orët e vona të natës, u lëshuam nga Bjeshët e Jezercit si të dilnim nga ndonjë legjendë. Rrugës, të gjithë ishim disi fjalë pak, të heshtur. Ato çaste të vona kaluam përskaj Bifurkacionit. Aty, rrjedha e lumit ndahet në dy degë, të cilat ikin në drejtime të kundërta dhe derdhen në dy dete e kështu ndahen përjetësisht.
Në Ferizaj sërish pimë kafenë e fundit dhe u përshëndetëm. Ato ishin dhe fjalët e fundit. Sylë Zhitinë ma nuk e pamë. Ai shkoi në amshim. Atë natë, tek Bifurkacioni u bë ndarje e dyfishtë. Lumi iku në dy detra, ndëra ne u ndamë në dy botra!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Sylën!

19 maj, 2020