• Today is: Sunday, November 24, 2024

Shpërndahet parlamenti në Kroaci

fakti
May19/ 2020

Shpërndahet parlamenti në Kroaci, duke detyruar mbajtjen e zgjedhjeve disa muaj përpara se parashikohej.

Propozimi nga partia e qendrës së djathtë të kryeministrit, Andrej Plenkoviç është aprovuar nga deputetët në “Sabor” me 105 vota pro nga 151 në total.

Tani i takon presidentit të vendit, socialdemokratit Zoran Milanoviç, të caktojë zgjedhjet e reja. Data e mundshme, sipas mediave kroate, janë katër: 21 qershori, 28 qershori, 5 ose 12 korriku.

Përpara shpërndarjes së parlamentit, votimi ishte caktuar të mbahej në vjeshtë. Partia në pushtet e arsyetoi këtë vendim duke thënë se në rast të një vale të dytë të pandemisë koronavirus në fund të verës, do ta bënte të pamundur për kroatët që të dilnin në votime.

Megjithatë, për analistët, pas këtij vendimi fshihet diçka tjetër. Sipas tyre, kryeministri Plenkoviç po kërkon të përfitojë nga mirëmenaxhimi i emergjencës së shkaktuar nga Covid-19 për të arritur një rezultat të mirë.

Sondazhet e fundit rendisin partinë në pushtet në kuotën e 30% ndërsa opozita socialdemokrate ndalet në 27.8%.