• Today is: Monday, November 25, 2024

PAS PRESIONIT PUBLIK, QYTETI I SHKUPIT KORRIGJON GABIMIN ME NËNËN TEREZË

fakti
May19/ 2020

“Figura e Nënë Tereza është pasuria më e madhe shpirtërore që mund ta ketë një shtet si ky i yni për faktin se ajo prej këtu doli në botën e madhe, ku i shpërfaqi të gjitha vlerat më kulmore të humanizmit dhe solidaritetit, prandaj kërkojmë që institucionet tona të gjejnë një modalitet ligjor për ta shpallur trashëgiminë e saj shpirtërore e materiale aset kombëtar nën mbrojtjen e shtetit”, tha Dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH 

Shkup, 19 maj/Gazeta FAKTI – Sot përfundimisht ka mbaruar me sukses beteja për rikthimin e dinjitetit të nëpërkëmbur të fugurës së Nënës Terezë, me rivendosjen e gjurmëve të themeleve të shtëpisë së lindjes së saj dhe rihapjen e një shtegu që shpie tek pllaka përkujtimore.
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, në krye me drejtorin Dr. Skender Asani është bartës i këtij suksesi, ku nuk munguan edhe presionet publike të mediave e asociacioneve të ndyrshme.
Sot në Shkup, përpos ITSHKSH në një konferencë për media, kishin ardhur edhe Universiteti “Nënë Tereza” – Shkup, IN Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës – Shkup, Shoqata Qytetare “Shkupjania Nënë Tereza” – Shkup, Shoqata Humanitare “Nënë Tereza” – Strugë, të cilët shprehën kënaqësinë e tyre që më në fund u gjet një mirëkuptim me Qytetin e Shkupit që një padrejtësi e shkaktuar kohët e fundit, të korrigjohet dhe gjendja të rikthehet siç ka qenë më parë.

Për të shprehur detajet ekëtij mirëputimi, Dr. Skender Asani, para mediave dhe gjithë opinionit publik tha se  jemi sot këtu, disa institucione, që jemi bashkuar pa dallim etnie e përcaktimi tjetër, si dhe pa kurrfarë tendence, por duke u lidhur gjithnjë dhe vetëm për emrin e nobelistes sonë të madhe nga Shkupi – Nënës Terezë.

“Përveç Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, që e përfaqësoj unë, këtu është edhe Universiteti “Nënë Tereza” – Shkup, IN Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës – Shkup, Shoqata Qytetare “Shkupjania Nënë Tereza” – Shkup dhe Shoqata Humanitare “Nënë Tereza” – Strugë.
Ne jemi sot këtu që t’ju kumtojmë se – për fat të mirë të të gjithëve – Qyteti i Shkupit ka reflektuar dhe ndonëse bëhet fjalë për një pronë të privatizuar padrejtësisht dhe në kushte të tjera, është arritur të gjendet një zgjidhje, duke mundësuar hapjen e një shtegu për të vendosur lule te pllaka përkujtimore e shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, si dhe për përcaktimin e vijave të themeleve të shtëpisë Bojaxhiu.
Fotografia e Skender Asani

Duke falënderuar Qytetin e Shkupit dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë, ne e përshëndesim këtë vendim dhe shpresojmë që mos të ketë nevojë të shtrohet më kjo çështje.
E kur jemi këtu, duam ta përmendim edhe një fakt tjetër, që është po i aq i rëndësishëm. Ky bredh, që është në këtë park, në të vërtetë është bredhi që Nëna Terezë më 1980 – gjatë vizitës së saj në Shkup – e ka mbjellë me duart e saj, duke e shënuar pikën ku dikur ka qenë shtëpia e saj. Prandaj, duke i pasur parasysh këto elemente, ne në të ardhmen do të përpilojmë një elaborat që do u dorëzohet institucioneve përkatëse të kulturës që kjo zonë të shpallet e mbrojtur dhe ajo të mos mund të rrezikohet më nga askush në të ardhmen.
Figura e Nënë Tereza është pasuria më e madhe shpirtërore që mund ta ketë një shtet si ky i yni për faktin se ajo prej këtu doli në botën e madhe, ku i shpërfaqi të gjitha vlerat më kulmore të humanizmit dhe solidaritetit, prandaj kërkojmë që institucionet tona të gjejnë një modalitet ligjor për ta shpallur trashëgiminë e saj shpirtërore e materiale aset kombëtar nën mbrojtjen e shtetit.

Themelet e shtëpisë së Nënës Terezë janë pika mbase më e rëndësishme e historisë së një personaliteti që e ka nderuar më shumë se askush tjetër qytetin tonë në botë, ndërsa – përveç tjerash – ajo është pika e vetme e pelegrinazhit në Shkup, si dhe një pikë e rëndësishme turistike e Kryeqytetit. Prandaj, duke i pasur në konsideratë këto fakte, ne do të jemi këtu gjithnjë për ta afirmuar këtë ide, ndërsa jemi fort të bindur se edhe autoritetet do të jenë po kaq të interesuara për këtë.
E derisa të gjithë jemi në favor të promovimit të personalitetit të figurës dhe veprës së Nënës Terezë, në frymë të dashurisë e mirëkuptimit që ajo e promovonte në botë, do të donim që edhe teksti i pllakës përkujtimore këtu ta reflektojë respektin tonë të ndërsjellë qytetar, si dhe përkufizimin ligjor për përdorimin e gjuhëve në Kryeqytetin tonë.

Mbrojtja e figurës dhe veprës së Nënë Terezës nuk kërkon kurrfarë protagonizmi shoqëror, për arsye se mbrojtja më e mirë që mund ti bëhet asaj është qasja konstruktive e gjithë neve, duke përfshi edhe mediat, si ato në gjuhën shqipe, ashtu edhe në atë maqedonase, të cilat gjatë gjithë këtyre ditëve ishin në nivel të lakmueshëm të profesionalizmit dhe nuk lanë kurrfarë hapësire keqkuptimi publik. Kjo qasje profesionale meriton një duartrokitje nga gjithë ne që ishim këtyre ditëve pjesëmarrës në këtë debat konstruktiv”, tha Dr, Skender ASANI, drejtor i ITSHKSH në Shkup..