• Today is: Friday, April 26, 2024

KUKUVAJKAT FLASIN PËR TË VETËM NË DITËN E TIJ

fakti
May18/ 2020

(Në përvjetorin e 21-të të zhdukjes së profesorit Ukshin Hotit)

Në përvjetorin e 21-të të zhdukjes së profesorit Ukshin Hotit, Hashim Thaçi derdh lotë krokodili. Frazeologjizmat dhe patriotizmat dalin të jenë tragjikomike. Hoti gjatë gjykimit të tij, më 27 shtator 1994 tha: “Në paraburgosjen time ka gisht edhe një pjesë e LDK-së”. Ai mu falënderua për raportimin tim në gazetë. Mbrojtësi i Hotit, avokati dr. Hysni Bytyçi përgjaket në banesën e tij në Beograd, më 16 mars 2000. Britania e Madhe i jep azilin politik. Alfred Dreyfusin e shpëtoi nga ishulli i djallit shkrimtari francez Emil Zola, më 1898. Atëbotë Parisi brohoriti “Viva la justice” (Rroftë drejtësia).
Tjetër është Franca, tjetër Serbia armike.



Nga Agim MUHAXHERI/ Kaçanik

Para 21 vjetësh, më 16 maj 1999, në ditën e lirimit nga burgu, rrëmbehet profesori Ukshin Hoti. Mbahet ai 5 vjet brenda grilave në burgje të Mitrovicës së Sremit, Nishit dhe së fundi në Duvravë të Istogut. Dhe koincidenca, më 16 maj 1994 – paraburgoset, më 16 maj 1999 – “lirohet” – zhduket.

Krijesat kriminogjene e rrëmbejnë nga burgu i Dubravës, më 16 maj, ditën e diel! Zhduket profesori Hoti pa dokë e nishan. E rrëmbejnë njerëzit e kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviqit.

Ditën e përvjetorit dalin në skenë politikanët. Kukasin, derdhin lotë krokodili për profesorin. Nuk mungojnë as elozhet që ia bënë… Njëri nga ata që derdhi lotë krokodili ishte Hashim Thaçi.

E kujtoi ky profesorin Hoti për kapuç të madh. Këtij nuk iu ndie zëri në dialogun me Aleksin e Serbisë në Bruksel. Për të, Hoti dhe shumë të pagjetur tjerë, ishin cikërrimë, ngase u mor me çështje “më madhore” ! Frazeologjizmat dhe patriotizmat e tij dalin të jenë tragjikomike dhe karikaturë e kohës.

Zhdukja e Hotit dhe likudimi i intelektualëve tjerë, dr. Fehmi Aganit, dr. Bardhyl Çaushit, profesorit të së drejtës romake, avokatit Bajram Kelmendit, i ekzekutuar bashkë me dy fëmijët e tij – më 24 mars 1999, s’ishte rastësi, vrasja në mënyrë më makrabre e. profesorit Latif Berisha nga paramilitarët serbë në shtëpinë e tij në Mitrovicë e shumë raste të tjera të ngjashme

Bajram Kelmendi ia theu qafën Milosheviqit në Gjykatën e Hagës. Kundër tij bëri kallëzimin penal për gjenocidin ndaj shqiptarëve. Por, siç doli më pas, kallëzimi penal i kushtoi me kokë…

E kam ndjekur procesin e profesorit Hoti në Gjyqin e Prizrenit, më 27 e 28 shtator 1994. Ditën e parë të seancës, profesori në gjykatore tha:

“Në burgosjen time ka gisht edhe një pjesë e LDK-së”. Këtë deklaratë e përmendi në raportin tim për gazetën “Bujku”.

Kisha parandjenjë se kjo deklaratë do të cenzurohet. Parandjenjën ia kam shprehur kolegut tim Veli Bytyçit…

Ashtu ndodhi.

Redaktorët bëjnë cenzurën, e heqin deklaratën…

Të nesërmën, në gjykatore, bëj bisedën me profesorin.

Atij i them:

– Profesor, e ke lexuar raportin e gjykimit në gazetë ?

– Po. Ishte i shkëlqyeshëm. Kam vetëm një vërejtje. Nuk e ke përmendur se unë kam thënë se në paraburgosjen time ka gisht edhe një pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

– Unë e kam përmendur këtë, por redaksia, nuk e di pse, ka bërë cenzurë !, i thash profesorit.

– Të falenderoj… Ti s’ke faj ! – Megjithëkëtë, ke treguar të vërtetën për procesin.

Pas shpalljes së aktgjykimit, dënimit me 5 vjet burg, profesori Hoti iu drejtua publikut: “Ju qofshin për hajr republikat e bashkuara shqiptare. Republika e Kosovës, deshëm s’deshëm, do të jetësohet…”.
Ukshinhoti Instagram posts - Gramho.com

Nga notesi im shkëpus atë çfarë ndodhi brenda e jashtë gjykatores. Jashtë gjykatores, në oborr, prisnin më tepër se 300 të interesuar.

Në gjykatore ishin të pranishëm i biri i profesorit, Andini 8 vjeç dhe nipi Etriti 15 vjeç. Para se të nis seanca Andini (sot deputet) hidhet në përqafim të babait të tij. Sken; emocionuese. Ndërkaq, pas dy orë e gjysmë me kërkesën e gjykatëses Nada Haxhiperiq gardiani i largoi këta nga gjykatorja me arsyetim se ishin të mitur.

Trupi gjykues ishte në përbërje të Nada Haxhiperiqit dhe dy asistentëve të saj – porotët Ajvaz Xhaferi, i përkatësisë myslimane dhe Jovan Delimaniq.

Ukshin Hotin e mbronin pesë avokatë. Njëri nga ta, dr. Hysni Bytyçi ishte më luftaraku. Ky nuk e la vet klientin e tij. E bëri luftën në burgje. I njoftoi zyrtarët më të lartë serbë. Më 28 prill 1999 shkëputet lidhja me klientin e tij. Kontaktin e fundit e ka pasur me sekretarin e atëhershëm të Ministrisë së Drejtësisë për Kosovë, Jovica Jovanoviqin, ish – prokurorin e Prishtinës. Ky i ka kumtuar lajmin për lirimin e Hotit.

Më 16 mars 2000, avokati Hysni Bytyçi sulmohet në banesën e tij në Beograd – nga huliganët serbë. Përgjaket dhe alivanoset… Këtij i del në ndihmë ambasadori britanik duke i dhënë azilin politik në Londër.

Sot Bytyçi rron në Londër.

Disa ditë pas rrëmbimit të Hotit, në gazetën “Fakti” të Shkupit publikoj shkrimin për të dhe të burgosurit tjerë, më 3 qershor 1999.

Shkrimi me titull “Ku janë ata, cili është ‘trajtimi’ i tyre ?!”, i paralajmëruar në ballinë, del në afro dy faqe.

Botuesi i kësaj gazete, Emin Azemi, më pati thënë: Kur është fjala për Hotin, mos u kufizo, shkruaj çdo gjë që di për të.

Shkrimtari francez Emil Zola, më 1898 – dridhi Francën. Pas letrës së tij “AKUZOJ” – drejtuar Presidentit të shtetit, lirohet nga ishulli i djallit kapiteni fatkeq, hebraiku Alfred Dreyfusi.

Parisi brohoriti “Vive la justice” (Rroftë drejtësia).

Tjetër është Franca, tjetët Serbia.

Megjithëkëtë, BE e përkëledh Serbinë armike !

 

18 maj, 2020

As Kurti, e as Çitaku, por ishte Ukshin Hoti që para shumë vitesh ...

UKSHIN HOTI : 3ème partie, où est Ukshin Hoti ? | l'edoniste