Teatri nuk shembet sepse 80 vjet histori e kulturë nuk i tretë as betoni as forca, po kalaja e demokracisë do të rindërtohet siq u rindërtua edhe teatri “La Fenice” i djegur deri në themel në Venezia, apo siq po rindërtohet Katedralja e djegur “Notre dam” e Parisit.
Gëzim Muçolli/ Padovë
Natën vonë Edi Rama dhe Erion Veliaj në emër të Rilindjes mbyllën një kapitull të qytetërimit, artit dhe kulturës shqiptare. Në emër të “progresit” siq vepronin dikur edhe komunistët serbë e jugosllavë ndaj trashëgimisë kulturore e historike shqiptare në Kosovë, Maqedoninë shqiptare, Malin e zi (Albania Veneta), në Kosovën Lindore e në Sanxhakun shqiptar, me parullën më antirevolucionare dhe shfarosëse “Ndërtojmë socializmin duke rrënuar të vjetrën”. Kështu zhveshën Prishtinën, Shkupin, Pazarin e ri dhe të gjitha qytetet shqiptare nga ndërtesat e vjetra tradicionale duke i zëvendësuar me arkitekturë të stilit sovjetik. Gjatë kësaj nate makineritë e pushtetit duke dëshmuar forcën e bijve të klasës së dikurshme që e shkeli për një gjysmë shekulli popullin shqiptar, treguan prirjen e tyre prej kusari kur filluan rrënimin e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë i cili është vlerësuar si monument i rëndësishëm kulture. Shqiptarë të ndershëm dhe patriotë në Shqipëri dhe diasporë e kanë përkrahur me forcë protestën e artistëve të prirë nga regjisori dhe artisti i famshëm shqiptar, profesor Edmond Budina, të cilët per gati dy vite e gjysmë e bënë teatrin kala të pamposhtur të rezistencës qytetare dhe artistike. Edmond Budinën policia e regjimit sot e arrestoi bashkë me aktivistë të tjerë të Aleancës per Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Shqiptarë të dashur , një pjesë e juaj keni heshtur dhe keni bërë sikur struci, sikur nuk dinit, nuk shihnit dhe nuk dëgjonit asgjë qe më shumë se dy vite. Shikuat punën tuaj, do të thoni përballë këtij shkatërrimi kulturor. Mos harroni se luga e eskavatorit që po gërryente duke hedhur poshtë ndërtesën historike të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë ishte dora e pushtetit që sot dëshmoi prapambeturinë e vet kulturore dhe zellin rrënues komunist. Po karburant i atyre makinerive dhe i atij aksioni është edhe heshtja e juaj dhe atyre që botërisht paraqiten si njerëz kulture dhe arti sidomos në mërgatën shqiptare ku dihet se përfundoi ajka e klasës kulturore shqiptare. Shembja e Teatrit Kombëtar i gjeti në gjumë, në gjumin historik që ka kohë që ka kapluar ata intelektualë, artistë , shkrimtarë e poetë sidomos ata që sot ngushëllohen me botimin e ndonjë libri me poezi që nuk i lexon gati askush. Dhe gjumi vazhdon duke trashur zullumin e asaj që sot po merr ngjyrat e një diktature antikulturore që shemb në stilin e talebanëve që rrënonin monumente kulture në vitin 2001. Teatri nuk shembet sepse 80 vjet histori e kulturë nuk i tretë as betoni as forca, po kalaja e demokracisë do të rindërtohet siq u rindërtua edhe teatri “La Fenice” i djegur deri në themel në Venezia, apo siq po rindërtohet Katedralja e djegur “Notre dam” e Parisit. Pra kultura e popullit më të vjetër në Gadishullin Ilirik nuk u shua as nga djegjet e legjioneve romake, as nga dyndjet shkatërruese sllave, as nga djegjet që bënë per 500 vite hordhitë turko-otomane, as nga luftat ballkanike e botërore e as nga 50 vitet e zeza të komunizmit shqiptar. Kultura shqiptare bashkë me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë do të rilindin si feniksi, duke ngjallur guximin qytetar. Sepse Teatrin nuk e bëjnë muret nga betoni po kujtesa dhe vlera e artit shqiptar. Por për ringjalljen e vërtetë të Teatrit Kombëtar si simbol të kulturës duhet zëri i njerëzve të kulturës e të artit në mërgatë. Ky zë i duhur i cili po nuk u ngjall dhe nuk u dëgjua sot, mos u ndëgjoftë kurrë më.