(Në kujtim të Artistit RRUSTEM SELCA)
Në skenë, herë ishte stuhi e furtunë e herë bëhej zog qielli gjithë elegancë. Ishte impozont si një rrebesh, që e mbushte skenën cep me cep. Në pamjet që krijonte me rolet që luante, kishte një lirizëm të thellë epiko-dramatik krejt të veçantë Nga Gani BYTYÇI/ Zyrih
Ai ishte artist i lojës së zogut. Ishte artist i lëvizjës në qiell. Ai ishte magjistar i figurës e i simbolit. Ishte mjeshtër i të shprehurit të lëvizjes artistike dhe i lojës gracioze. Ishte njeri e mik shumë i dashur, i urtë e tolerant, fisnik e gjithë respekt. Ndonëse, fushat e të shprehurit artistik dhe mjetet e tyre, i kishim të ndryshme, artin e kishim pasion të përbashkët. Ai, mjete artistike i kishte lëvizjen e formën ndërsa unë, fjalën e ngjyrën.
Ishte artist i spikatur e me ndjeshmëri të hollë, i pasionuar e virtuoz. Përherë ishte kudo që frymonte arti. Ai, sapo niste lojën e tij magjike, shndërrohej në Yll. Në skenë, herë ishte stuhi e furtunë e herë bëhej zog qielli gjithë elegancë. Ishte impozont si një rrebesh, që e mbushte skenën cep me cep. Në pamjet që krijonte me rolet që luante, kishte një lirizëm të thellë epiko-dramatik krejt të veçantë. Kur e shihje tek merrte hapin në skenë, të bëhej sikur nisej për betejë dhe hidhej mbi të ligën njerëzore. Herën tjetër të dukej si engjull, që po ngjitej në qiell, për të mos u kthyer ma. Kështu ndodhi edhe atë ditë, kur u nis në rrugëtimin e tij të fundit, kur iku në përjetsi!
Rrustemi do të kujtohet përherë si mik i çmuar dhe si artist i spikatur.
17 maj, 2020