• Today is: Sunday, November 24, 2024

Albin Kurti sfidë të re Thaçit: Jep dorëheqje dhe eja në fushatë

fakti
May15/ 2020

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, tha se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është i frustruar dhe i ka bërë thirrje të japë dorëheqje nga posti i tij e të sfidojë veten në fushatë.

Kjo erdhi pasi gjatë ditës Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka hedhur një varg akuzash në drejtim të kryeministrit Kurti,  nisur nga rrezikimi i raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “sulmi” ndaj Kushtetutës dhe demokracisë, e deri tek përgjegjësia për vetëvrasjen e të riut nga Gjilani në karantinë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti duke iu përgjigjur deklaratave të sotme të Presidentit Thaçi, tha se ai është jashtë nivelit të detyrës.

“Presidenti i Kosovës nuk është i kënaqur me ulësen e tij dhe i bëj thirrje që ta lëshojë atë. E ftoj që ta lëshojë atë dhe të vijë në fushatë dhe aty të shikojë për vizionin që do të japë e votat që do t’i marrë. Qartazi ai dëshiron që të jetë më shumë se president dhe për këtë ai kërkon dikë që është më pak se kryeministër dhe te unë nuk mund ta gjejë këtë sepse këtë e ka treguar rezultati i 6 tetorit”.

Albin Kurti është shprehur se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ndihet i “frustruar”.

“Kemi një president të frustruar dhe si i tillë po bëhet gati për fushatën zgjedhore. Unë mendoj që më së miri dhe më së drejti dhe më sinqertë është që të dorëhiqet dhe të vijë në fushatë. Ne nuk kemi institucione të bllokuara, por kemi një karrige të bllokuar prej dikujt që nuk është në nivel të detyrës”, tha Kurti.