• Today is: Sunday, November 24, 2024

“Një grua në Berlin”, historia e një gruaje të hekurt gjermane

fakti
May15/ 2020

Një grua në Berlin është një ditar i jashtëzakonshëm, ku autorja ka shërbyer thjesht si një lloj sfungjeri, ka thithur çdo gjë dhe e ka nxjerrë jashtë, duke e shkruar, pa shtuar qoftë një ndjesi të vetme personale. Një libër që nuk duhet humbur!

Për tetë javë gjatë vitit 1945, ndërsa Berlini ra përballë ushtrisë ruse, një grua e re, anonime, regjistroi në ditar jetën në apartamentin e saj si dhe midis banorëve të kryeqytetit,  me një sinqeritet të pastër dhe lirizëm brutal. E thjeshtë dhe e paparashikueshme, e vështruar minutë pas minuti dhe krejtësisht pa asnjë keqardhje për veten, ky ditar tregon marrëdhënien e ndërlikuar ndërmjet qytetarëve dhe ushtrisë pushtuese, si dhe keqtrajtimet e turpshme të cilat, gratë e një qyteti të pushtuar i përjetojnë gjithmonë përdhunimet masive të vuajtura prej të gjithave, pavarësisht moshës apo dobësive.

Gjermania ishte në prag kapitullimi. Të gjithë botën e kishin kundër, por faturën për këtë luftë e paguan gratë gjermane, të cilat për të thënë të vërtetën dhe e ndërtuan Gjermaninë pas luftës. Hyrja e trupave sovjetikë përshkruhet aq thjeshtë dhe qartë, saqë e dyshova nëse kjo autore anonime, kishte të bënte me letërsinë. Më pas pasi e kisha përfunduar librin, lexova që ajo ishte një gazetare, që nuk lejoi kurrë t’i zbulohej identeti dhe veç pas vdekjes së saj u botuan këto ditar origjinal pa asnjë censurë.

Teksa lufta ishte në përfundim, gratë gjermane u gjendën të vetme dhe të pambrojtura nga prurjet në Berlin. Qyteti ishte kthyer në gërmadhë, nuk gjenin ushqim dhe një pjesë e tyre përdhunoheshin vazhdimisht, madje disa herë në ditë. Një fat të tillë e pati dhe autorja e këtij ditari, që i rrëfen ngjarjet aq ftohtë, aq qartë, pa shtuar apo pa hequr të vërtetën, ashtu siç ajo e shihte, pa mbajtur krahun e askujt. Për dy muaj me rradhë, kjo grua në Berlin i qëndron besnike qytetit të saj dhe të vërtetës. Mes gjithë asaj lufte që po bënin trupat Sovjetikë mbi gratë gjermane, ajo ia doli të mbijetonte. Kur e kam përfunduar këtë libër, realisht kam vuajtur shumë. Marrëdhënia ime me Berlinin gjente një lloj shpjegimi në këtë libër dhe pse në dy kohë kaq të ndryshme.

Ka pak gjasa që autorja, kur e shkroi, kishte ndër mend ta botonte atë. “Zhgarravinat personale”, që ajo shënon midis prill – qershorit të vitit 1945, në tri fletore shkolle (plus disa faqe të futura mes tyre, të shkruara me shpejtësi), e ndihmuan, para së gjithash, të ruante atë pak shëndet mendor, midis shkatërrimit të përgjithshëm dhe shembjes morale.

Të gjithë duhet ta lexojnë këtë libër, jo vetëm ata që duan librat bazuar në ngjarje të vërteta apo histori. Të gjithë duhet të njohin një pjesë tjetër të historisë, të cilët sot nuk e konsiderojnë të rëndësishme. Në fund të fundit sipas botës ato gra gjermane thjesht paguan faturën për një luftë që e nisi shteti i tyre. E megjithatë unë e shoh ndryshe. Libra si ky apo dhe shumë vizita në vende ku Lufta e Dytë Botërore është ende e prekshme, më kanë krijuar një lloj vizioni të qartë për atë çfarë ka ndodhur atëherë dhe po ndodh dhe sot në fakt.
Një grua në Berlin është një ditar i jashtëzakonshëm, ku autorja ka shërbyer thjesht si një lloj sfungjeri, ka thithur çdo gjë dhe e ka nxjerrë jashtë, duke e shkruar, pa shtuar qoftë një ndjesi të vetme personale.
Një grua në Berlin qëndron si  një nga librat thelbësorë mbi kuptimin e luftës dhe jetës. Një libër që nuk duhet humbur!

Koment nga Hans Magnus Enzensberger

Ndoshta nuk është rastësi që një libër i jashtëzakonshëm, siç është “Një grua në Berlin” pati një fat kaq të veçantë. Ka pak gjasa që autorja, kur e shkroi, kishte ndër mend ta botonte atë. “Zhgarravinat personale”, që ajo shënon midis prill – qershorit të vitit 1945, në tri fletore shkolle (plus disa faqe të futura mes tyre, të shkruara me shpejtësi), e ndihmuan, para së gjithash, të ruante atë pak shëndet mendor, midis shkatërrimit të përgjithshëm dhe shembjes morale.

Ato janë “fletore bodrumesh”, të shkruara nëpër strehimet kundërajrore, të cilat bënin një farë mbrojtjeje kundër gjuajtjeve të artilerisë, plaçkitjeve dhe abuzimeve seksuale të kryera prej fitimtarëve të Ushtrisë së Kuqe.

Autorja s’kishte në duar asgjë tjetër veç një copë lapsi, me të cilin i duhej të shkruante nën dritën e qiririt ngaqë Berlinit i qe ndërprerë elektriciteti. Ajo mbijetoi në një bunker, ku fusha e saj e vëzhgimit ishte fare e reduktuar, për shkak të mungesës së përgjithshme të informacionit.

Në mungesë të gazetave, të radios dhe të telefonit, lajmet nga bota e jashtme arrinin vetëm nëpërmjet thashethemeve. Disa muaj më vonë, kur një lloj ekzistence, pak a shumë normale, nisi ta marrë veten, ajo mundi t’i rikopjojë dhe t’i publikojë shënimet e saj që përbënin “njëqind e njëzetenjë faqe, me letër gri të ashpër, nga ato që fabrikoheshin gjatë luftës”.

Meqenëse unë jam përgjegjësi i ribotimit të këtij libri, që ngeli në harresës për më shumë se dyzet vjet, më bie si detyrë të respektoj vullnetin e autores për të mbetur anonime.

Koment nga Helena Kadare

Për një kohë të gjatë, ky libër i botuar pas lufte, kaloi në heshtje të plotë, pothuajse i mohuar nga opinioni gjerman i asaj kohe. Libri u botua në SHBA e në shumë vende të Europës, i shoqëruar me bujë e me habi të madhe, por në Gjermani, jo.

Ai nuk u pranua, për një arsye që nuk u tha asnjëherë haptas. Por shkaku kuptohet. Në ditarin e kësaj gruaje, ishin përshkruar ditë pas dite, tre muajt e fundit të ardhjes së ushtrisë ruse në Berlin dhe kapitullimi pa kushte i Gjermanisë naziste.

Gruaja anonime, me një përpikmëri dhe ftohtësi rrëqethëse tregon jetën e saj dhe të popullatës civile në këta tre muaj. Nga statistikat doli më vonë se njëqind mijë gra gjermane u përdhunuan nga fitimtarët e Ushtrisë së Kuqe, duke përfshirë edhe autoren e këtij ditari.

Ajo e vuan këtë fat bashkë me të tjerat, sepse, siç pohon shpesh edhe vetë, e ndiente veten thellësisht të lidhur me vendin e saj, si rrjedhim deshi ta ndajë fatin e vet me fatin e popullit të cili i përkiste.

Ajo që të habit, është se në faqet e ditarit nuk gjen asgjëkund as urrejtje, as zemërim. Është thjesht një kamera që regjistron çfarë ndodh. “A nuk kanë bërë të njëjtën gjë ushtarët tanë me gratë e tyre në Rusi?”, pyet veten ajo.

Ditari është mbajtur pa asnjë anësi. Me gjithë fatkeqësitë, urinë, përdhunimet, vdekjet e panumërta, shpeshherë tepër dramatike, në të nuk mungojnë gjykimet e sakta e të drejta, për një pjesë të ushtarakëve rusë, që pati rastin t’i njihte vetë.

Komente mbi librin

“Për tetë javë gjatë vitit 1945, ndërsa Berlini ra përballë ushtrisë ruse, një grua e re, anonime, regjistroi në ditar jetën në apartamentin e saj si dhe midis banorëve të kryeqytetit, “me një sinqeritet të pastër dhe lirizëm brutal.”/ Elle

“E thjeshtë dhe e paparashikueshme, e vështruar minutë pas minute dhe krejtësisht pa asnjë keqardhje për veten, ky ditar tregon marrëdhënien e ndërlikuar ndërmjet qytetarëve dhe ushtrisë pushtuese, si dhe keqtrajtimet e turpshme të cilat, gratë e një qyteti të pushtuar i përjetojnë gjithmonë – përdhunimet masive të vuajtura prej të gjithave, pavarësisht moshës apo dobësive.”/ The Plain Dealer, Cleveland

“Një grua në Berlin qëndron si një nga librat thelbësorë mbi kuptimin e luftës dhe jetës.”/  A.S. Byatt, autori i “Possession”