Ditë më parë lideri i LSDM, Zoran Zaev dhe disa anëtarët të kabinetit qeveritar, kishin dalë me propozimin që gjendja e jashtëzakonshme në Maqedoni, të vazhdojë edhe pas 17 majit të këtij viti. Këtë propozim Zaevi e pat mbështetur në implikimet ekonomike që mund të ndodhin nëse hiqet gjendja e jashtëzakonshme.
“Iniciativa të shpallim gjendje të jashtëzakonshme u soll te presidenti i shtetit dhe atëherë arsyet ishin implikime ekonomike, që të mundet Qeveria të sjellë dekrete me fuqi ligjore dhe t’u ndihmojë qytetarëve, ekonomive, ndërsa edhe për shkak të gjendjes shëndetësore. Të gjitha masat të cilat i shikoni se si dimensionohen rreth kufizimeve nuk janë dekrete me fuqi ligjore, por janë vendime të Qeverisë. Dekretet më së shumti kanë të bëjnë me implikimet ekonomike, ashtu që nëse vazhdohet do të jetë për shkak të implikimeve ekonomike, ndërsa nëse nuk vazhdohet kjo do të jetë për shkak të asaj se më nuk ka arsye ekonomikë”, theksoi Zaev në një intervistë televizive para pak ditësh.
Këto sygjerime si duket kanë motivuar qeverinë teknike që në mbledhjen e sotme të del me vendim që t’i dorëzohet presidentit Stevo Pendarovski kërkesa për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në 30 ditët e ardhshme.
“Qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e 53-të konkludoi t’i paraqesë propozim presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me raport mbi aktivitetet e ndërmarra deri më tani të institucioneve shtetërore, ku argumentohet se për menaxhim të suksesshëm me cornavirusin nevojitet gjendje të jashtëzakonshme edhe në 30 ditët e ardhshme”, shprehen nga shërbimi qeveritar për shtyp.
Ndryshe, gjatë ditës së nesërme përfundon gjendja e jashtëzakonshme që u soll më 16 prill.
Stevo Pendarovski më herët deklaroi se do të mendohej dy herë nëse do të shpallë gjendje të jashtëzakonshme për herë të tretë, ndërsa sot do të bëhet e ditur nëse do të ketë gjendje të jashtë zakonshme pas takimit të Këshillit për Siguri.
Republika e Maqedonisë së Veriut prej më 19 mars të vitit 2020, është në gjendje të jashtëzakonshme dhe nëse vazhdon edhe një muaj, kjo do të ishte një ngjarje që then të gjitha rekordet përcjellur edhe me shumë pikëpyetje.