• Today is: Monday, November 25, 2024

HERONJTË DHE IDEALI

fakti
May15/ 2020

(Persiatje në kohë pandemie)

 

“Kur të fitohet liria, duhet të vihet drejtësia. Drejtësinë e vënë heronjtë, çlirimtarët. Për të vënë drejtësinë ata duhet të vënë kufizime, rregulla. Kufizimet, ata së pari duhet t`i bëjnë për veten e tyre. Këtë, ata nuk mund ta bëjnë ngase i pushton lakmia. Kështu ata nuk mund të bëjnë drejtësi”, shpjegon kolosi grek i letrave Niko Kazanxaq

Nga Gani BYTYÇI/ Zyrih

 

Aktualisht vendi ynë (Kosova) është në një gjendje politike kaotike dhe me rreziqe e pasoja të pariparueshme për të ardhmen e gjithë kombit. Nëse historikisht faji ka qenë i fqinjëve, të cilët kishin synime grabitqare, dhe donin që vendin tonë ta shihnin të shtrirë e të përmbysur dhe ata pastaj t`i turreshin e ta copëtonin atë, sot fajin e kemi absolutisht vetë ne, ngase nuk po arrijmë që Atdheun ta ngremë, ta zhvillojmë dhe ta emancipojmë ekonomikisht, politikisht, moralisht dhe intelektualisht!

 

A i kemi edhe ne Napoleonët, De Golët, Mitteranët tanë?

 

Tek po përcillja një dokumentar (në tv francez) për figurën e Gjeneral De Golit, mahnitesha me modestinë dhe njerzillëkun e atij kolosi të historisë. Aty shfaqej qartë gjithë madhështia e personalitetit të këtij vigani (hero gjithsesi), që e ka shënuar epokën e vet në përmasë planetare. Jo njëherë gjatë emisionit m`u krijua përshtypja se Gjenerali gjithë jetën kishte jetuar vetëm për Francën e tij dhe të ardhmen e saj.

Sot shumëkush nga ne, do të pyeste se a patëm ne njerëz, që jetuan për Atdheun, si Gjenerali francez. Pa dyshim se po. Madje shumë, gjatë gjithë historisë.

A patëm njerëz që luftuan për Atdheun? Absolutisht po. Kemi pasur aq shumë luftëtarë lirie. Përherë.

Po, a thua kemi ne heronj të tillë nga të gjallët? Pa dyshim se po!

A janë pushtetarët tanë ata heronjtë e djeshëm? JO, absolutisht nuk janë! Ata sot nuk janë as hija e heronjve që ishin, nuk janë as hija e vetvetes!

Atëherë çfarë ka ndodhur me ta?

 

Pse nguten heronjtë drejt vdekjes?

 

Një nga shkrimtarët dhe filozofët më të spikatur, Niko Kazanxaqi, në bashkëbisedim me Pierre Sipriot shpjegon se heronjtë përherë nxitojnë drejt vdekjes.

-Pse, nguten heronjtë drejt vdekjes, e pyet Spiriot.

-Sepse ata nuk duan që t`i tradhtojnë idealet e veta, i përgjigjet shkurt Kazanxaqi.

-Kur të fitohet liria, duhet të vihet drejtësia. Drejtësinë e vënë heronjtë, çlirimtarët. Për të vënë drejtësinë ata duhet të vënë kufizime, rregulla. Kufizimet, ata së pari duhet t`i bëjnë për veten e tyre. Këtë, ata nuk mund ta bëjnë ngase i pushton lakmia. Kështu ata nuk mund të bëjnë drejtësi, shpjegon Kazanxaq.

Dhe vërtet këta heronjtë tanë nuk mundën t`i vinin vetes kufizime. Ata i pushtoi lakmia për pushtet, lakmia për pasuri, lakmia për gjithçka… Lakmia, atyre ju kthye në sëmundje kronike. Kështu, ata i tradhtuan idealet e veta. Ata i përmbushën lakmitë personale por jo idealet e tyre.

Sërish u ktheva tek dokumentari për Gjeneral De Golin. Një bashkëkohës i tij rrëfen se, kur Gjenerali lëvizte nëpër Francë, sapo mbaronte takimet, ai nuk shkonte në hotel por u bënte vizita miqve, që kishte në atë qytet dhe aty e kalonte natën. Kështu ai e kursente arkën e shtetit.

Pas karrierës së luftës dhe karrierës shumë të gjatë të udhëheqjes së vendit, ai iku pa asnjë pasuri. Franca e ka vënë në Panteon dhe kombi do ta kujtojë gjithmonë me nderim.

Kujtim me përbuzje për heronjtë e dikurshëm!

 

Në dokumentarin (historik) flitet edhe për ish – Presidentin Fransuas Miteranin, njërin nga figurat më të rëndësishme të politikës dhe diplomacisë franceze, evropiane e botërore. Ai ishte një De golist i vërtetë dhe i pa luhatshëm në pikëpamjet dhe idealin e vet. Për 16 vjet që e udhëhoqi Francën, Ai la gjurmë në gjithë politikën evropiane e botërore. Ish-shoferi i tij zyrtar, rrëfen: – Kur u zgjodh president Mitterani, erdhi dhe më mori nga rruga, ku punoja për bukën e gojës:

– Eja, më tha, do të bëhesh shoferi im.

– Po unë nuk di të ngas makinë, i thash unë atëherë.

– Do të mësohesh, m`u përgjigj ai aq bindshëm.

Kur Mitterani e mbylli karrierën e tij, një ditë më ftoi të pinim kafe. Tek bisedonim, e futi dorën në xhep dhe nxori një grusht para. Merri këto, më tha. Nuk i dihet.

Kuptohet që edhe Mitterani e mbylli karrierën e tij pa asnjë lloj pasurie. Këta pra janë heronj të vërtetë, ngase këta i kanë përmbushur idealet e tyre ndaj atdheut.

Po, këta heronjtë tanë, kur të largohen ose kur të përmbysen nga pushteti, a thua si do të shkojnë? Pa dyshim se do të ikin sikur të kishin qenë tregtarë tokash e pallatesh e jo si udhëheqës të vendit të tyre! Napoleoni, Gjeneral De Goli, Fransuas Mitterani ishin idealistë. Këta tanët janë pushtetarë materialistë. Personalitetet mësipërme, e kanë mbrojtur, e kanë ndërtuar e zhvilluar, e kanë pasuruar e përparuar vendin e tyre, ndaj në kujtesën e kombit, kanë ngelur heronj. Pushtetarët tanë e plaçkitën dhe e rrënuan, e varfëruan dhe e shkatërruan atdheun dhe e dëmtuan në mënyrë të pariparueshme kombin e vet. Ndaj, ata do të kujtohen, jo si heronj që ishin, por për fat të keq, do të kujtohen me përbuzje!

15 maj, 2020

Fotografia e Gani Bytyçi
Damian Tirado: Njeriu me valixhe të kuqe (1)