• Today is: Sunday, November 24, 2024

Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore nuk solli liri në mbarë Evropën

fakti
May14/ 2020

Në Ditën e Evropës 2020, a është Shqipëria në gjendje të shprehë gatishmërinë e saj për bashkëpunim me vendet tjera evropiane për një Evropë të fortë dhe të lirë, ku respektohen dhe zbatohen të drejtat e njeriut, demokracia dhe sundimi i ligjit? 30 vjet pas shembjes së komunizmit, a është Shqipëria gati të trajtojë viktimat e komunizmit me të njëjtin respekt  siç ka bërë e mbarë Evropa?  Viktimat e komunizmit të Enver Hoxhës, me gjithë pafajësinë e tyre, nuk kanë kërkuar kurrë hakmarrje për vuajtjet e tyre, por, sot, në Ditën e Evropës 2020, ndihen të zhgënjyer me klasën politike shqiptare të tri dekadave të kauara.

Nga Frank SHKRELI

Këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë u shënua 75-vjetori i mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, me ceremoni të posaçme dhe me fjalime e deklarata të veçanta nga udhëheqës botërorë, individualisht dhe së bashku, përfshirë përshëndetjen e Sekretarit të Përgjithëshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili me një video-mesazh e shënoi 75-vjetorin e fitores së aleatëve në Evropë, në Luftën e Dytë Botërore, duke falënderuar forcat aleate, të cilat si pjesë e NATO-s, tha ai, vazhdojnë të luajnë një rol kritik në përballimin e sfidave të sigurisë, përfshir pandeminë Covid-19.

Por, një deklaratë e përbashkët që veçanërsisht më tërhoqi vëmendjen me këtë rast është deklarata e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, së bashku me 9 homologë evropianë – ministra të jashtëm të 9 vendeve ish-komuniste:  Bullgarisë, Republikës Çeke, Estonisë, Hungarisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë. Pasi nuk e pashë të reflektuar askund në median shqiptare këtë deklaratë shumë me vend të përfaqsuesve të lartë të këtyre vendeve ish-komuniste, vendosa ta pasqyroj me këtë shkrim modest, për më tepër, për faktin se deklarata në fjalë më bëri të pyes veten: Po pse nuk është Shqipëria nënshkruese e kësaj deklarate, së bashku me vendet simotra ish-komuniste, por edhe si anëtare aktuale e organizatës së Atlantikut Verior, NATO-s.  A është e mundur që Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera ish-komuniste të Evropës,  konsideron se fitorja mbi nazizmin në të vërtetë solli lirinë për Shqipërinë dhe se në parim ishte kundër deklaratës? Janë pyetje këto që dikush duhet t’ia bëjë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.  Por, le të vazhdojmë me përmbajtjen e deklaratës së nënshkruar nga përfaqsuesit e lartë të 9 vendeve ish-komuniste evropiane dhe nga Sekretari Amerikan i Shtetit.

Shefat e lartë të diplomacisë së këtyre 10-vendeve aleate, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot të gjitha anëtare të aleancës ushtarake NATO, në 75-vjetorin e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, me deklaratën e tyre të përbashkët, kujtuan viktimat dhe të gjithë ushtarët të cilët luftuan për të mundur Gjermaninë naziste dhe për t’i dhënë fund hollokaustit. https://www.state.gov/joint-statement-on-the-75th-anniversary-of-the-end-of-the-second-world-war/

Por, përfaqësuesit e lartë të 9 vendeve ish-komuniste, së bashku me Sekretarin Amerikan të Shtetit, shkuan më larg kësaj radhe dhe kujtuan njëkohësisht se mbarimi i luftës nuk solli lirinë për një pjesë të madhe të vendeve të kontinentit evropian. “Ndërsa Maji i vitit 1945 e solli mbarimin e Luftës së Dytë Botërore në Evropë, mbarimi i luftës, në të vërtetë, nuk e solli lirinë për gjithë Evropën.  Pas luftës, pjesa qendrore dhe lindore e kontinentit mbetën nën regjimet komuniste për pothuaj 50-vjet”, shkruajnë ata në deklaratën e tyre. “Shtetet Baltike ishin okupuar dhe aneksuar ilegalisht ndërsa Bashkimi Sovjetik ushtroi kontroll të tmershëm mbi vendet e tjera të robëruara nga komunizmi, duke përdorur forcën e madhe ushtarake, shtypjet dhe kontrollin ideologjik”.

Shefat e diplomacisë së këtyre 10-vendeve theksojnë gjithashtu në deklaratën e tyre se “Për shumë dekada, një numër i madh evropianësh nga Evropa qendrore dhe lindore sakrifikuan jetën e tyre duke luftuar për liri, ndërkohë që miliona të tjerëve iu mohuan të drejtat dhe liritë themelore të njeriut nën tortura të tmershme dhe shpërngulje të detyruar.  Shoqëritë pas perdes së hekurt, të dëshpëruara nga mungesa e lirisë nën komunizëm, kërkonin me çdo kusht rrugën e demokracisë dhe të pavarësisë” për vendet e tyre vasale të ish-Bashkimit Sovjetik, nenvizojnë ata, ndër të tjera, në mesazhin e botuar dje me rastin e 75-vjetorit të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ndër përpjekjet e vendeve ish-komuniste për liri e demokraci, ata përmendin në deklaratën e tyre ngjarjet e vitit 1956 në Hungari, themelimin dhe veprimtaritë e Kartës 77 në Çekosllovaki, Lëvizjen Solidarnoshq në Poloni, Vjeshtën e Kombeve të vitit 1989 dhe më në fund shembjen e Murit të Berlinit, si ngjarjet më me rëndësi që kontribuan shumë në rivendosjen e lirisë dhe të demokracisë në Evropën Lindore dhe Qendrore.

Në deklaratën e tyre të fortë dhe të jashtzakonshme, ata shfaqin besimin e përbashkët në liri dhe demokraci. “Sot jemi duke punuar së bashku për një Evropë të fortë dhe të lirë, ku respektohen dhe zbatohen të drejtat e njeriut, demokracia dhe sundimi i ligjit”, thuhet në deklaratë. Udhëheqësit e lartë të 9 diplomacive evropiane dhe asaj amerikane paralajmërojnë nostalgjikët e komunizmit dhe të gjithë ata që përpiqen, madje edhe pas 75 vjetësh, të falsifikojnë faktet e historisë: “E ardhmja duhet të bazohet në faktet e historisë dhe në drejtësi për viktimat e regjimeve totalitare. Ne jemi të gatshëm për dialog me të gjithë ata që janë të interesuar t’i ndjekin këto parime. Manipulimi i ngjarjeve historike që çuan në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore dhe në ndarjen e Evropës pas luftës përbën një përpjekje të shëmtuaer për të falsifikuar historinë”, deklaruan 10 ministrat e jashtëm evropianë (Bullgarisë, Republikës Çeke, Estonisë, Hungarisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë) dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Zyrtarët e lartë e përfundojnë deklaratën e tyre duke u bërë thirrje dhe duke ua kujtuar të gjithë anëtarëve të komunitetit ndërkombëtar se siguria, stabiliteti dhe paqja e përhershme ndërkombëtare këtkojnë zbatim të plotë të ligjeve dhe normave ndërkombëtare, përfshirë sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha shteteve. “Duke marrë mësim nga leksionet mizore të Luftës së Dytë Botërore, i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bashkohet me ne, ashtu që vendosmërisht të hedhim poshtë konceptin e sferave të influencës dhe të këmbëngulin për barazi midis të gjitha shteteve”, përfundon mesazhi i tyre, me rastin e 75-vjetorit të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

Unë nuk e di pse Shqipëria nuk është ndër vendet nënshkruese të kësaj deklarate. Duhet pyetur Kryeministri Rama, në rolin e tij edhe si ministër i Jashtëm ose ministrin e Jashtëm në detyrë, përse Shqipëria nuk është njëri prej vendeve ish-komuniste evropiane që duhej ta nënshkruante këtë deklaratë. Shqipëria e ndan këtë histori të 75-vjetëve më parë me Evropën dhe, sidomos, me këto shtete evropiane ish-komuniste, të cilat u shkelën keq nga çizmja e rëndë e komunizmit, por të cilat nëpërmjet ministrave të tyre të punëve të jashtme, nënshkruan dje këtë deklaratë, me rastin e 75-vjetorit të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

Por, në Ditën e Evropës 2020, Shqipëria, fatkeqësisht, nuk është ende me Evropën. Mos vallë Shqipëria ende nuk i sheh vlerat e përbashkëta, siç janë paqja, liria, demokracia, të drejtatthemelore të njeriut, tolerance, e të tjera, me sytë e Evropës e, sidomos, historinë e 75-vjetëve të kaluara, jo se jo?  A nuk beson Shqipëria e sotme ashtu siç mendojnë 9 vendet ish-komuniste nëpërmjet zyrtarëve më të lartë të këtyre diplomacive evropiane dhe asaj amerikane, se “e ardhmja duhet të bazohet në faktet e historisë dhe në drejtësi për viktimat e regjimeve totalitare”?  Në Ditën e Evropës 2020, a është Shqipëria në gjendje të shprehë gatishmërinë e saj për bashkëpunim me vendet tjera evropiane për një Evropë të fortë dhe të lirë, ku respektohen dhe zbatohen të drejtat e njeriut, demokracia dhe sundimi i ligjit? 30 vjet pas shembjes së komunizmit, a është Shqipëria gati të trajtojë viktimat e komunizmit me të njëjtin respekt  siç ka bërë e mbarë Evropa?  Viktimat e komunizmit të Enver Hoxhës, me gjithë pafajësinë e tyre, nuk kanë kërkuar kurrë hakmarrje për vuajtjet e tyre, por, sot, në Ditën e Evropës 2020, ndihen të zhgënjyer me klasën politike shqiptare të tri dekadave të kauara. Të vetmen gjë që ata kërkojnë është që të mos harrohen ato vuajtje dhe që, sipas deklaratës së ministrave të jashtëm të 9 vendeve ish-komuniste dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, që e kaluara dhe e “ardhmja të bazohen në faktet e historisë dhe në drejtësi për viktimat e regjimeve totalitare”?  Këtë e shprehu më së miri, në një komunikim me mua, sot, mbi këtë çështje, ish-i burgosuri dhe i ish- i përndjekuri i regjimit komunist dhe fashist në Shqipëri, Profesori i nderuar shqiptaro-amerikan, Z. Sami Repishti, i cili megjithëse vuajti nën komunizëm dhe fashizëm, prapë se prapë, me shpirtin e tij human,  i fal ata që e persekutuan dhe e burgosën, vetëm e vetëm sepse kishte pikëpamje të ndryshme për një të ardhme më të mirë për vendin e vet.

Profesor Repishti, duke kujtuar viktimat e komunizmit dhe zhgënjimin e tij, shprehet kështu:

“Frank, kurrë nuk e harroj fjalën e Jezusit që mbas të gjitha torturave deklaroi: ’ Zot fali, sepse nuk dinë çka bajnë!’  Ate që kuqalashet na kanë ba ne dhe te gjithe kombit shqiptar, nuk shlyhet as me nji gjyq të Nurernbergut as edhe me njiqind.  Por duhet mendue se çka bahet mbas saj.  Fitorja ma e madhe e anës sonë, të persekutuemve, ashtë fakti moralisht ma i naltë: refuzimi i hakmarrjes.  Kështu na krijueme premisat e nji pajtimi permanent.  U zhgenjyem! Ajo që na deshpëron ashtë mosdhanja e llogarisë për krimet monstruoze që kemi pësue. Zoti i shpërbleftë vuejtet e lotët tona. Amen!  Sami”

Vazhdojmë të bëjmë pyetjen: kur do të ngrihet Shqipëria në nivelin moral të ish-përndjekurve të pafajshëm të regjimit komunist, si Profesor Sami Repishti? Kur, më në fund, Shqipëria do të pranojë “faktet e historisë dhe të vë drejtësi për viktimat e regjimeve totalitare”, ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste, përfshirë 9 vendet evropiane ish-komuniste që së bashku me Sekretarin Amerikan të Shtetit nënshkruan Deklaratën e mësipërme, me rastin e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe në Ditën e Evropës, 2020?  Pa një përballim të sinqertë me të kaluarën komuniste, kam drojë se Kombi Shqiptar vonë do të gjejë paqe dhe rehati.