(Dr. Skendër Asani me letër drejtuar komunitetit ndërkombëtar)
“Para disa ditëve në sheshin e Shkupit, “Maqedonia”, aty ku dikur ishin gjurmë e shtëpisë së Nënës Terezë, është mbjellë një park i vogël, duke i mbuluar kështu gjurmët e shtëpisë së familjes Bojaxhiu, por edhe duke e mbyllur rrugën për të vendosur lule në pllakën përkujtimore që ekziston aty”, shkruan Dr. Skender Asani.
Lidhur me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me denigrimin figurës së Nënë Terezes nga ana e autoriteteve të Shkupit, Dr. Skender Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtëore dhe Kulturore të Shqiptarëve, ua ka dërguar një letër përfaqësuesve të jashtëm diplomatik dhe kreut të Selisë së Shenjtë, Papa Françeskut.
Në letrën e tij Dr. Asani thotë se arsyeja e këtij komunikimi është një shqetësim i përgjithshëm publik, që na ka brengosur jo vetëm neve si studiues e si shkupjanë, por edhe shumë dashamirë të qytetit tonë, që i kanë sytë kah ne.
“Para disa ditëve në sheshin e Shkupit, “Maqedonia”, aty ku dikur ishin gjurmë e shtëpisë së Nënës Terezë, është mbjellë një park i vogël, duke i mbuluar kështu gjurmët e shtëpisë së familjes Bojaxhiu, por edhe duke e mbyllur rrugën për të vendosur lule në pllakën përkujtimore që ekziston aty. Për informacionin Tuaj, ai vend për vite me radhë konsiderohej si shenjë e shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë dhe ishte shndërruar në një pikë pelegrinazhi dhe turizmi për admiruesit e personalitetit të saj.
Nisur nga kjo, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, si institucion i vetëm shkencor në vend që ka departament për studimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, i cili është akredituar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e ngriti këtë çështje duke iu drejtuar me letër Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit të vendit, si edhe Kryetarit të Qytetit të Shkupit, me kërkesë që ta rikthejnë gjendjen e mëparshme, të krijojnë shteg për të vendosur lule në pllakën përkujtimore të shtëpisë së Nënës Terezë dhe, përveç kësaj, propozuam që do të ishte e udhës që përfundimisht edhe teksti i asaj pllake ta respektojë dygjuhësinë në Kryeqytet.
Por, për fat të keq, kjo gjendje nuk ka ndryshuar, ndërsa Kryetari i Qytetit të Shkupit e shfajësoi veten duke dhënë shpjegime se bëhet fjalë për pronë private, mbi të cilën Qyteti nuk ka kompetenca. Duket paradoksale që Qyteti i Shkupit të mos ketë fuqi mbi epiqendrën e tij dhe madje aq lehtë ta kalojë faktin se ashtu janë mbuluar gjurmët e nobelistes së vetme të Shkupit dhe personalitetit më të madh në historinë botërore të bamirësisë dhe humanizmit, të pranuar ashtu edhe ndërkombëtarisht, por realiteti i hidhur është pikërisht ky.
Prandaj duke besuar në bashkëpunimin Tuaj miqësor me vendin tonë, po Ju drejtohem me këtë letër për të kërkuar mbështetjen e vendit tuaj në këtë temë dhe, në përgjithësi, të komunitetit të qytetëruar ndërkombëtar, sepse Gonxhe Bojaxhiu ishte nga Shkupit, por Nëna Terezë i përket gjithë botës.
Me shpresë kjo gjendje të korrigjohet sa më shpejt dhe me nderimet më të larta miqësore!”, thuhet në letrën e Dr. Skender Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, drejtuar përfaqësuesve të jashtëm diplomatik dhe kreut të Selisë së Shenjtë, Papa Françeskut.