• Today is: Sunday, November 24, 2024

Gropa kriminale e Kosovës nuk mund të mbulohet me shoshë…

fakti
May13/ 2020

Tashmë po bëhet gjithnjë e më e qartë ҫdo ditë, se Isa Mustafa kreu një operacion vetëvrasës politik duke rrëzuar qeverinë e Albin Kurtit, pasi ai dhe grupi i politikës së vjetër nuk donin të gërvishtet sadopak mbulesa e llumit kriminal që ka ndodhur në Kosovë për rreth 20 vite.

E bëri të qartë edhe deklarata e Selim Selimit të AAK-së, ministrit të Drejtësisë së qeverisë që kërkon të ndërtojë AAK me LDK, se do të bllokohej menjëherë vettingu që ka nisur kabineti Kurti.

Ka një panik mjaft evident nga politika e vjetër për hapjen e dosjeve kriminale, të cilat nisën menjëherë pas ҫlirimit, ku politikanët e rinj u pasuruan në mënyrë të pakonceptueshme duke u lidhur me mafian dhe kokën e krimit të organizuar.

Dhe duhet thënë se gjithë operacioni i pasurimit të krerëve të politikës dhe lidhja e tyre me krimin u bë edhe me bekimin e disa ndërkombëtarëve që administruan Kosovën e pasluftës, të cilët morën pjesën e tyre në këtë skandal që pas 20 vjetësh e ka vulosur Kosovën si “shtet të mafias”.

Mbetet emblematike deklarata e kryeadministratorit të parë të Kosovës, francezit Bernard Kushner, i cili i ftuar në emisionin e Adem Mikullovcit, përdori ironinë e thellë për të shpotitur politikanët e dalë nga lufta që po pasuroheshin.

Mjeshtri i ironisë dhe satirës në Kosovë, Adem Mikullovci e pyet Kushnerin, i cili me profesion ishte mjek: “Baca Bernard, pse nuk po hap ndonjë ordinancë private që të bësh para në Kosovë”?

Dhe përgjigja e shefit të UNMIK me ironi ishte e menjëhershme: Dëgjo bac, më shumë para bëhen me pompat e benzinës dhe mirë do të ishte të hapja ndonjë”…

Ishte pikërisht kontrabanda e karburanteve biznesi i parë i njerëzve të politikës që morën në dorë menjëherë territoret e lëna bosh nga derzhava serbe për të abuzuar me pushtetin.

Më pas nisi ndërtimi, biznesi ku edhe bën para edhe lan para, vendi ku simbioza e krimit me politikën bëhet më e pandarë sikur elektroda me ҫelikun kur saldohet.

Shumë pak pas ҫlirimit, ndodhi në Prishtinë edhe vrasja më e rëndë e parë dhe kuptimplote mafioze, atentati ndaj arkitektit të njohur Rexhep Luҫi, shefi për urbanistikë i komunës së Prishtinës, i cili u pushkatua se kishte firmosur një akt prishjeje të një ndërtese.

Mjafton vetëm një fakt: Sot në Prishtinë janë ndërtuar 46 mijë objekte ilegale që nuk kanë marrë firmën e një urbanisti dhe ato vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë, edhe pse asnjë arkitekt nuk ka hedhur nënshkrimin në të.

Një akt kaq brutal e i hapur i politikës, që edhe pse ligjërisht ka të gjitha mundësitë për të shkatërruar ndërtesat ilegale nuk i bën, imagjino pastaj ndërtesat e firmosura dhe lejet e dhëna në mënyrë abuzive.

Vrasja e Rexhep Luçit i vuri vulën frikës ku të gjithë nën zë flisnin për “mafinë” por që askush nuk e përmendte. Ajo ngjarje ishte edhe hapja e një zhinxhiri të gjatë vrasjesh që u shitën si politike, por që në fakt nuk kishin asgjë të bënin me politikën.

Ishin vrasje tërësisht mafioze, për të mbyllur gojën e ҫdokuj që kishte parë dhe dinte një krim, e ҫdokuj që merrte përsipër të fliste në një zyrë shtetërore, apo të firmoste një dëshmi.

Dhe ajo që është më e rënda në gjithë këto vite, për krimet e ndodhura, media e cila duhet të zbardhte gjithҫka, përkundrazi i ka lënë faqet e saj bosh ose duke i nxirë me propagandë.

Për të gjithë këto ngjarje të nëntokës së Kosovës do të publikojmë një cikël të plotë për të sjellë sadopak kujtesën dhe ndërgjegjen qytetare, gjithashtu do të publikojmë një seri profilesh të të gjithë protagonistëve të politikës kosovare, për të hedhur dritë mbi hijet që mbizotërojnë prej 20 vitesh. Do të flasim për ngjarjet më të bujshme që trazuan njerëzit por edhe për faktet e personat e lidhura mbi to. Gropa kriminale e Kosovës u hap tashmë, ajo nuk mund të mbulohet me shoshë…/Pamfleti