Vendosja e mjeteve teknologjike të survejimit masiv, që si qëllim ka vënien nën kontroll të gjendjes shëndetësore të njerëzve, a ka gjasa të shndërrohet pastaj në njëfarë “policie të fshehtë” biokimike në duart e qeverive apo korporatave të caktuara. Ajo që tani për tani po rezulton si dilemë e madhe globale është fakti se sa kjo pandemi do të përdoret për të vendosur disa rregulla të reja në jetën publike e private të njerëzve
Nga Emin AZEMI
Alarmi global që po përhapet pas paraqitjes së pandemisë së virusit Kovid-19, më shumë se efekte parandaluese, pati efekte manipuluese të të dhënave mbi bilancin e përgjithshëm të vdekjeve në rang botëror. Gjatë kësaj periudhe, sa po zgjatë kjo pandemi, publiku ende nuk e mori vesh se sa njerëz vdiqën vetëm nga virusi korona dhe sa nga shkaqet tjera. Futja në një “thes” e të gjitha vdekjeve, shkaktoi një hutesë globale dhe analizat e mëvonshme, që do të bëhen, sigurisht do të nxjerrin të dhëna krejt tjera, dhe mbi të gjitha, diferencuese, ku qartësisht do të shihej se cili ishte shkaku i vdekjeve në periudhën nëntor 2019 – maj 2020.
Qeveritë dhe institucionet përgjegjëse i mbeten borxh publikut dhe mediave t’ia sqarojnë metodologjinë që përdorën ata në përcaktimin shkaqeve të vdekjeve brenda periudhës së lartpërmendur. Kjo çështje bëhet edhe më konkrete pasi të kesh dëgjuar lloj-lloj rrëfimesh për vdekje misterioze të njerëzve, teksa pëshpëritej për raste të caktuara kur njerëzit të sëmurë janë futur nëpër klinika me një diagnozë tjetër dhe prej andej kanë dalë të vdekur me diagnozën e të infektuarit nga Kovid-19(!).
Deri tani askush publikisht nuk ka folur mbi këto mistere, por ky nuk është një devijim dosido që do të duhej të trajtohet si një çështje margjinale, për arsye se intensiteti i panikut nganjëherë ishte më i lartë se vet intensiteti i përhapjes së pandemisë globale.
Me devijime të tilla janë marrë edhe mediat botërore dhe analistë e studiues të shumtë dhe tek të gjithë dominon njëfarë habie sa i përket faturimit përgjithësues të vdekjeve, duke e mbivendosur virusin korona si shkaktarin kryesor të të gjitha vdekjeve, ndërkohë që statistikat thonë se njerëzit në gjithë globin vdesin edhe nga shkaqet tjera.
Rreth 1.25 milionë njerëz humbin jetën çdo vit nga aksidentet rrugore në mbarë botën dhe miliona të tjerë plagosen. Në Indi, bie fjala, më shumë se 150,000 njerëz vdesin në aksidente rrugore çdo vit.
Disa statistika të tjera tregojnë se mesatarisht 25,844 njerëz në të gjithë botën vdesin nga sëmundjet e zemrës në ditë, mushkonjat vrasin rreth 2740 njerëz në ditë, rreth 1300 njerëz në ditë vrasin veten,gjarpërinjtë vrasin rreth 137 njerëz në ditë. Këto janë statistika dhe shifra që përfshijnë të gjithë botën jo vetëm një shtet apo kontinent.
Si pasojë e virusit korona në mbarë botën janë shkaktuar më shumë se 258.500 vdekje dhe ka infektuar mbi 3.741 mijë njerëz, ndërkohë që pacientët e shëruar janë të paktën 1.247.660 deri më sot, sipas Universitetit “John Hopkins” në SHBA.
Alarmi global për Kovid-19 po shumëfishohet me publikimin e përditshëm të numrit të viktimave, ndonëse nëse i bëhet një krahasim i shkaqeve të vdekjeve, shifrat duken të frikshme dhe krijojnë përshtypjen se po ndodh diçka vërtet e pangjarë më parë.
Po a është vërtetë kështu? Sigurisht që jo! Në kushte normale në Itali ndërrojnë jetë mbi 2000 persona në 24 orë, ndërsa në Gjermani shifra shkon në mbi 2300 njerëz në 24 orë.
Gjithsesi kjo krahasueshmëri e shifrave nuk e justifikon panikun e përhapur pas shpërthimit të pandemisë së Kovid-19, sidomos nëse i referohemi mediave italiane, të cilat kanë publikuar disa statistika të vdekjeve në shtetin e tyre, duke krahasuar me vdekjet e mëhershme dhe atyre të infektuarve me koronavirus. Ndonëse ishte raportuar se Covid-19 po mbyt në numër të madh italianët, ndryshe thonë numrat e publikuar nga “Corrieredelveneto”. Kësisoj, ky medium ka krahasuar vdekjet e viteve paraprake dhe 2020, në këtë periudhë kohore. Sipas “Corriere-s”, numri i vdekjeve është thuajse identik. Vdekjet në Treviso, Conegliano, Oderzo, Montebelluna dhe Vittorio Veneto janë thuajse të njëjta si në vitin 2019, pavarësisht viktimave të virusit, ndërkohë që të dhënat e vdekjet totale në spitalet Treviso në tre muajt e parë të vitit 2020 janë në përputhje me ato të viteve të kaluara.
Nga monitorimi që bërë kjo medie, erdhi në të dhëna mjaft interesante pas një një krahasim të vdekjeve në periudhën midis 1 janarit dhe 29 marsit në katër vitet e fundit në provincën e Treviso: 995 persona në 2017, 908 në 2019, 933 në 2020.
Nëse bëhet krahasimi, del që numri është 25 më shumë vdekje në tremujorin e këtij viti sesa në 2019. Vdekjet me covid-19 ishin, saktësisht 108.
Ekspertët e ndryshëm të shëndetit, por edhe psikologë e sociologë, gjithnjë e më tepër janë të bindur se ndikimi i Covid-19 në vdekshmëri do të jetë i papërfillshëm, pas qasjeve të detajuara analitike mbi shkaqet e vdekjeve në rang global. Duke iu referuar një testimi të bërë në Nju Jork, bie fjala, ekspertët kanë konstatuar se vdekshmëria është 0.46%. Që do të thotë se nëse 1000 mijë persona sëmuren me koronavirus, 4-5 persona mund të vdesin, ndërsa gripi normal e ka 2 për një mijë. Kjo gjetje në Nju York e ndryshon atë konceptin e frikshëm që ne kishim në fillim për këtë sëmundje
Nëse shikohen grafikonët e të dhënave mbi vdekjet, na bëhet sikur situata është e tmerrshme, por ekspertët presin që vlerësimi total do të bëhet në dhjetor, ose do të bëhet kur çdo vend të ketë kaluar një cikël 1 vjeçar. Por statistikat më të besueshme janë ato mbi lindjet dhe vdekjet, ndërkohë që në fund të vitit do të ulen shkencëtarët dhe do të zbulojnë sa ka qenë ndikimi i Covid në vdekshmëri dhe a ka qenë i justifikueshëm gjithë ky alarm në shkallë globale që nuk e arsyeton bilancin e vdekjeve krahasuar me vdekjet tjera normale që ndodhin për çdo ditë në rrugët dhe spitalet e botës.
A mund të ndodhë që ky alarm të ketë një prapavijë tjetër, për të cilën njerëzimi teksa do të njoftohet në vitet në vijim dhe kjo ndoshta do të jetë sfida më e madhe globale e shekullit XXI.
Sikundër dihet, teknologjia e survejimit po zhvillohet me një shpejtësi të rrezikshme. Vendosja e mjeteve teknologjike të survejimit masiv, që si qëllim ka vënin nën kontroll të gjendjes shëndetësore të njerëzve, a ka gjasë të shndërrohet në njëfarë policie të fshehtë biokimike në duart e qeverive apo korporatave të caktuara, ku do të kalohet nga survejimi “mbi lëkurë” në atë “nën lëkurë”.
Ky monitorim biometrik do t’i fusë njerëzit në dilema aq të thella, sa do të duhej të vendosin mes privatësisë dhe shëndetit dhe cili njeri normal nuk do të zgjidhte shëndetin si prioritet kundrejt privatësisë. Por ky është një avantazh për “policinë e fshehtë biokimike”, sepse nëse deri më tani gishti ynë prekte vetëm ekranin e smartphone-it dhe klikonte një adresë, kjo lehtësisht iu jepte mundësi shërbimeve të dinë saktësisht çfarë përmbajtje mediatike po pëlqehej nga publiku dhe çfarë orientimi ideologjik, kulturor a fetar mund të derivohej nga këto përmbajtje. Por tani me virusin korona, fokusimi i interesimit mund të zgjerohet dhe thellohet, sepse tani shkohet edhe më tej duke ta matur edhe temperaturën e gishtit dhe presionin e gjakut poshtë lëkurës.
Se çfarë pasojash mund të ketë nga ky monitorimi i centralizuar biokimik, nëse ato bëhen të aplikueshme në vende të ndryshme të botës, kjo mbetet të shihet, por ajo që tani për tani po rezulton si dilemë e madhe globale është fakti se sa kjo pandemi do të përdoret për të vendosur disa rregulla të reja në jetën publike e private të njerëzve.