Është vlerësuar si një nga klasikët e gjuhës shqipe; një nga themeluesit e prozës moderne shqiptare, por gjatë jetës së tij, të gjitha këto vlerësime i mori të filtruara përmes ndëshkimeve…
Nodhi një periudhë që e renditën krahas Konicës, Fishtës e Koliqit, si poetë të padëshiruar. Ç’bëhet kështu?”, i thashë një ditë e frikësuar. Nuk e shikon, ma ktheu ai me buzën në gaz, po më nderojnë shumë dhe duhet t’i falënderoj”, ka rrëfyer bashkëshortja e Mitrush Kutelit, Efterpi, disa vite para se të ndërronte jetë, në një intervistë të botuar te gazeta Panorama.
Tregonte për vitet kur Mitrush Kuteli kishte dalë nga burgu dhe stërmundohej si përkthyes me normë për të siguruar të ardhurat e familjes. Lejen krijuese do ta merrte vetëm në verën e vitit 1966, 17 vjet pasi kishte dalë nga burgu, por ajo do t’i hiqej shumë shpejt, në fillim të vitit pasardhës, në një klimë shumë të rënduar që kishte krijuar Letra e Hapur e vitit 1967 që paralajmëronte dënime të reja. Kjo atmosferë kërcënuese do t’ia rrallonte ajrin zemrës së sëmurë të Dhimitër Paskos, i cili ndërroi jetë atë vit. Ai e ndjeu, para të gjithëve, fundin që po i afrohej nën këtë presion.
“Ti Efterpi”, më tha, “duhet të bëhesh e fortë. Është koha që duhet të iki. Më vjen keq për fëmijët, ata duhet të shkollohen, duhet të marrin bursa. Po të jem unë, inatet ndaj meje nuk do t’i lënë rehat. Me ikjen time diçka do të zbutet… Parandjenja për fundin e vet, mbi të gjitha lidhej me sëmundjen e rëndë nga e cila vuante prej vitesh, por edhe me mënyrën si u rrokullis jeta e tij. Burgu, përndjekjet, gjurmimet, mënjanimi, i shkurtuan ditët”, ka thënë gjatë së njëjtës intervistë Efterpi Pasko.
Më vonë do të vinte mbrëmja e fundit e jetës së tij, më 4 maj.
Kishin kaluar thuajse 20 vite nga maji kur e kishin arrestuar. Në ato vite, Sigurimi, Partia, kapteri i kampit, rrethi i intelektualëve që kishin në dorë fatin e shkrimtarit, me forma të ndryshme e bënë të provonte ndarjen nga njerëzit, zhdukjen, pamundësinë për kundërveprim, deri dhe dheun e ftohtë ku e futën të gjallë, në kampin e Vloçishtit, ku punoi si një i burgosur anonim. Ajo ditë maji e vitit 1947, i kishte mbetur në kujtesë me detaje bashkëshortes së Paskos.
Ishin martuar prej një viti dhe jetonin në shtëpinë që ish-punonjësi i Bankës Kombëtare kishte marrë me qira në Tiranë. Kishte dhënë dorëheqjen në korrik të vitit 1946 nga puna në Bankë, me shumë mundësi, për shkak të mos rënies dakord për kursin e shkëmbimit të lekut të fuqishëm, me dinarin e dobët që shteti shqiptar, mik me Jugosllavinë, imponoi në atë kohë, dhe ishte në kërkim të një pune në fushën e letrave. Synonte të punësohej në Institutin e Folklorit, ndërkohë që përkthente e përkthente nga disa gjuhë, derisa një ditë, u dëgjua një trokëllimë. “Data shënonte 16 maj ‘47, ishte ditë e enjte. Po rrinim në shtëpi te Shallvarja, kur u dëgjuan trokitje të forta në derë. E para dola unë”. ‘Këtu është Dhimitri?’, më pyetën tre burra të armatosur dhe u futën brenda. ‘Dhimitër Pasko, në emër të popullit, je i arrestuar!’, i tha njëri prej tyre. E morën pa e prangosur. Sakaq një grup tjetër nisi të kontrollojë banesën në çdo skutë. Nuk dija ç’të bëja…”, ka treguar Efterpi Pasko.
Pas asaj dite, familja qëndroi në terr të plotë për disa muaj, gjatë cilave u zhvillua hetuesia dhe gjyqi. Shkrimtari nuk do të fliste thuajse kurrë për gjithë atë kohë, përfshirë dhe burgun që e pasoi, por janë disa dokumente e dëshmi që hedhin dritë mbi të paimagjinueshmen që ndodhi në qeli dhe kamp.
Akuzat “fashist” dhe “anti-jugosllav” mbështollën arrestimin e intelektualit, por procesverbalet e hetuesisë dhe faktet e zbardhura dëshmojnë për mungesën e së vërtetës te e para dhe të fajit te e dyta. Dosja ku është dokumentuar dënimi i shkrimtarit mban urdhrin e prokurorit Publik, sipas të cilit “Dhimitër Pasko të ndalohet për një kohë të pacaktuar dhe të mbyllet në burgun e armiqve të popullit”. Në procesverbalin e hetuesisë, Dhimitër Pasko iu përgjigjet pyetjeve për përfshirjen e tij në front me forcat naziste të Rumanisë, ku ai jetonte në atë kohë, për veprimtarinë në Bankën Kombëtare gjatë pushtimit, për shkrimet e botuara në gazetën “Bashkimi i Kombit” dhe marrëdhëniet me Kostë Boshnjakun e Kolë Kuqalin, të shpallur tashmë armiq.
Dhimitër Pasko nuk e ka mohuar kurrë pjesëmarrjen në trupat që u nisën drejt Bashkimit Sovjetik në vitin 1941, në të cilat u rreshtuan me detyrim ushtarakë, civilë e intelektualë. Pyetjes nëse ai ka qenë vullnetar në atë grumbullim kundër Ushtrisë së Kuqe të Bashkimit Sovjetik, i është përgjigjur me mohim bindës. “Jo, nuk kam qenë dhe as që mendoja, por më morën disa muaj ushtar me forcë dhe prita rastin e parë që të largohesha. Atje kam qëndruar dy muaj dhe punoja si sekretar. Me anë të bankës u lirova, pasi kërkova vetë një gjë të tillë”, ka thënë ai, dhe largimi nga fronti, kthimi në Rumani e më pas në Shqipëri, ku fashistët i kishin vrarë të atin dhe djegur shtëpinë në Pogradec dhe qëndresa e faktuar ndaj pushtuesve gjermanë ndërsa punonte si drejtues banke, kur edhe filloi të ndiqet nga gjermanët për të përfunduar në listën e zezë të Gestapos në Vienë, vërtetojnë fjalët e tij. “Unë kam menduar si kundra okupatorit, për mos me i dhënë mjete financiare, për të larguar ose ngadalësuar ato që jipte qeveria, për të sigurue rezervën e arit dhe për të mos emetuar monedhë të re etj.”, është shprehur Dhimitër Pasko.
Për shkrimet në gazetën “Bashkimi i Kombit”, ka thënë që kanë qenë kritike ndaj qeverisë, ndërsa me Kostë Boshnjakun e Kolë Kuqalin që kishte vetëm marrëdhënie për hir të punës dhe studimeve dhe që nuk kishte zhvilluar asnjë nga ato bisedat që pretendonte Prokuroria për rrëzimin e pushtetit. E megjithatë, Dhimitër Pasko u dënua me pesë vjet heqje lirie. Ndoshta trupi gjykues e pranonte që ai nuk ishte rreshtuar vullnetarisht kundër Ushtrisë së Kuqe, por nuk mund të pranonte kurrsesi që ai ishte rreshtuar kundër Jugosllavisë, si financier, por edhe si shkrimtar, me poemën “Poemi kosovar”.
Vetëm pasi u dha vendimi, bashkëshortja dhe miqtë u lejuan ta takonin. Pas kësaj, e dërguan në Vloçisht, ku ai i nënshtrohet jo vetëm punës së rëndë, por edhe poshtërimit e torturës që përmblidhen në episodin makabër, që vite më vonë e ka treguar gjatë një përkujtimoreje të shkrimtarit, dëshmitari Hamza Tusha. “Ndërsa punonim të gjithë aty në atë kamp, një kapter që quhej Skënder, thërret me të madhe që t’i sillnin atë shkrimtarin. Pastaj urdhëroi dy të tjerë që t’i hapnin një gropë të madhe mbi një metër e gjysmë të thellë”… “Mbaj mend që atëherë ishte shumë ftohtë. Ishte ndoshta fillim prilli dhe koha ende nuk kishte nisur të ngrohej. Si e futën brenda në gropë, e mbuluan me plisat që kishin lënë rreth saj, derisa dheu i arriti deri te mjekra… pastaj, e lanë aty, të futur brenda në tokën e ftohtë e të lagësht afër kënetës së Maliqit. Si kaluan disa orë, atij filloi t’i ikë fytyra. Iu shtrembëruan nofullat dhe nuk nxirrte dot asnjë tingull nga goja. Ne të gjithë e shihnim, pa mundur të bënim asgjë. Të ktheje fjalë atëherë, sidomos në situata të tilla, ishte si ta kërkoje vdekjen me zor!!”… “Atë kohë komandant kampi ishte një i quajtur Tasi Marko. Në momentin që ai kishte ardhur për të thirrur të burgosurit, një shoku im që kisha në krah më thotë: ‘Sa keq, ky njeri që është groposur këtu është një shkrimtar i madh. Pse nuk i del komandantit përpara t’i tregosh (unë isha komandant i një brigade të vogël të burgosurish që udhëhiqja punën)’. Megjithëse kisha shumë frikë, e mora guximin dhe i dola përpara komandantit duke i thënë: ‘Kapter Skënderi ka futur një njeri të gjallë në dhe!’… Mbaj mend që ai u alarmua. Kërkoi me ngulm të gjente kapterin që kish bërë këtë veprim. Më pas e nxorën trupin e shkrimtarit duke i bërë shërbimet e duhura që ai të vinte në vete!”, ka mbyllur rrëfimin e tij Hamza Tusha.
E mbajtën 7 muaj në atë kamp, derisa e sollën në Tiranë, për ta bashkuar me një grup të të dënuarve me të cilët do të përkthente. Më pas, në prill të vitit 1949, lirohet. Arsyeja e amnistisë, që mund të ishte dhe prishja e marrëdhënieve me Jugosllavinë, u tha se ishte dënimi i Koçi Xoxes, duke e quajtur vepër të tij edhe arrestimin e Dhimitër Paskos. Si çdo vendim tjetër të rëndësishëm për Dhimitrin, që nga dita e arrestimit, Efterpi e mësoi rastësisht, duke lexuar emrat e të amnistuarve në gazetën “Zëri i Popullit”.
Në atë gazetë do të niste punë ca muaj më vonë si përkthyes, për shkak të nevojës për përkthime dhe jo sepse nga armik ishte kthyer papritur në intelektualin e mirëpritur të qarqeve mediatike dhe letrare të Shqipërisë. I tillë nuk u bë kurrë. Pas “Zërit të Popullit”, u çua si përkthyes në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, jo si nëpunës, por si bashkëpunëtor që paguhej me numër faqesh, një punë së cilës duhej t’i nënshtrohej deri në sfilitje për të mbajtur familjen, ku u lindën katër fëmijë. Të drejtën e botimit nuk ia jepnin në Lidhjen e Shkrimtarëve që e kishte bashkëthemeluar, nuk e anëtarësonin; emrin në përkthime nuk ia botonin e megjithatë Dhimitër Pasko vazhdoi të punojë dhe la te fëmijët e tij, amanetin “për të dashur atdheun dhe gjuhën deri në vuajtje, për të mos u shkarë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuanin pa faj”.
Sa e huaj për kohën ajo letër me këshilla biblike, e hapur në vitin 1967, kur Shqipëria u shpall shtet ateist. Dhe sa frymëzuese edhe sot! Bash si Mitrush Kuteli!
Ana më pak e njohur e Mitrush Kutelit
Shumë njerëz e njohin Dhimitër Paskon (Mitrush Kutelin) si shkrimtar, madje më të shquarin e prozës shqipe, por, fatkeqësisht, nuk njohin një fushë tjetër të veprimtarisë së tij, si ekonomist, nga më të mëdhenjtë, në një nga periudhat më të vështira që ka patur vendi ynë, atë të pushtimit fashist italian dhe nazist gjerman. Me veprimtarinë tij të spikatur, ai zë një vend nderi në historinë e financave, duke u cilësuar si “princ i financave shqiptare”
Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli) lindi më 13 shtator të vitit 1907 në Pogradec. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, shkoi në Selanik ku përfundoi studimet e mesme në Shkollën Tregtare Rumune në vitet 1921 -1928. Studimet e larta i përfundoi në Bukuresht, në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, në vitet 1928 -1931. Vitin e parë të studimeve e ndoqi duke punuar njëkohësisht si llogaritar, pasi shteti shqiptar nuk i dha bursë, sepse ai që kur ishte në vitin e fundit të studimeve në Selanik kishte kritikuar ashpër në shtyp politikën ekonomike dhe monetare të shtetit shqiptar. Bursën ia dha më vonë shteti rumun, duke parë rezultatet e tij të larta. Gjatë kohës së qëndrimit në Rumani, Dhimitër Pasko punoi edhe në Ministrinë e Financave, si nëpunës i lartë, ku drejtoi dhe bankën e Cernëucit.
Që në moshën 17–vjeçare filloi të botojë, sidomos në shtypin shqiptar të Rumanisë, në gazetat “Shqipëria e re” dhe “Kosova”, që dilnin në Kostancë. Dhe shkrimet e tij flisnin për ngjarjet në Shqipëri, trajtonin probleme ekonomike dhe financiare të vendit.
Në moshën 27 -vjeçare mori Doktoratën në Shkencat Monetare dhe Bankare me vlerësimin më të lartë: “Diplomam Magnam Cum Laude”. Pasi mori doktoratën në vitin 1934, Dhimitër Pasko u angazhua si funksionar dhe arriti brenda një kohe të shkurtër të bëhet drejtor i Bankës Nacionale të Rumanisë, duke iu përkushtuar ekskluzivisht kërkesave të një profesionaliteti të ngushtë, pa u regjistruar në ndonjë parti politike (sipas dëshmisë së shokut të tij të shkollës, Ionel Zeana, botuar tek “Flaka”më12.07.1995).
Kundërshtimi që i bëri politikës financiare të pushtuesve gjermanë në Rumani, i solli si ndëshkim mobilizimin në ushtri dhe dërgimin drejt Frontit të Lindjes (vjeshtë 1941). Duhet të thënë se në kohën e Vermahtit hitlerian ekzistonte ligji që ndëshkonte me plumb të gjithë ata njerëz që nuk i nënshtroheshin mobilizimit në ushtrinë naziste. Këtij ligji nuk iu nënshtrua vetëm Dhimitër Pasko por edhe nobelistë të tillë gjermanë si: Hajurih Bel, Gunter Gras, Zigfrid Lenc etj. Por Paskon tonë e ktheu nga rruga e vdekjes së sigurt një telegram ku njoftohej se nëna e tij ishte shumë e sëmurë. Mundi të arrijë në Shqipëri në shtator të vitit 1942, ndërsa nëna kish ndërruar jetë dy javë më parë.
Gjatë vitit 1943 punoi pranë shoqërisë SASTEB. Është interesant fakti se në vitet e okupacionit, Dhimitër Paskon e etiketonin si “të kuq”; shtëpinë në Pogradec ia dogjën dhe babain ia vranë italianët?! Gjatë okupacionit gjerman punoi pranë Bankës Kombëtare të Shqipërisë si konsulent për çështje monetare. Kjo detyrë e çoi përsëri të përballej me Komandën Gjermane për shkak të emetimit të monedhës së re, që kërkonin të nxirrnin gjermanët në Shqipëri për të financuar ushtrinë e tyre. Kundërshtimi dhe sabotimi i kësaj monedhe i rrezikoi përsëri jetën. Kur gjermanët shkojnë ta arrestojnë në Bankë, ai doli nga një portë anësore dhe më pas shkoi në çetën partizane, në Priskë (Kuptohet pse nuk shkoi tek Balli Kombëtar?!).
Po të kishin nxjerrë monedhë të re, Shqipëria do të kish patur pasoja katastrofike si në të gjitha vendet e pushtuara nga gjermanët. Një pjesë të bankënotave dhe një pjesë të arit, për ta mbrojtur nga bastisjet e gjermanëve, drejtuesit e Bankës, mes tyre dhe Dhimitër Pasko, e kishin hequr nga thesari i madh dhe e kishin futur në thesarin e vogël. Një pjesë tjetër e kishin dërguar në thesarin e Durrësit. Këto shuma i mori në dorëzim më vonë Banka e re, Banka e Shtetit Shqiptar.
Në nëntor të vitit 1944, Dhimitër Paskon e kërkuan në Berat, ku sapo ishte formuar Qeveria Demokratike e Shqipërisë e kryesuar nga gjeneral – kolonel, Enver Hoxha, ku punoi pranë Ministrisë së Financave. Personeli i kësaj ministrie në atë kohë përbëhej prej tre vetash: ministrit Ramadan Çitaku, sekretarit të Përgjithshëm, Qirjako Harito dhe këshilltarit për çështjet financiare e monetare, Dhimitër Pasko.
Më 27 nëntor u kthye në Tiranë dhe vazhdoi të punojë pranë asaj ministrie për hartimin e projekteve të para të ligjeve financiare, pra, të tatimeve të luftës dhe të shtetëzimit të Bankës. Pas hapjes së Bankës së Shtetit, u emërua drejtor në Drejtorinë Qendrore të saj dhe u zgjodh anëtar i Këshillit Administrativ. Si drejtor Dhimitër Pasko dha idenë, organizoi dhe mori pjesë në operacionet e para financiare: vulosjen e monedhës së vjetër, emetimin e çeqeve – monedhë për nevojat e para financiare etj. Kartëmonedhat me firmën e tij ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar.
Në muajin gusht të vitit 1946 dha dorëheqjen, pasi nuk pranoi parifikimin e monedhës shqiptare me monedhën jugosllave. Nën influencën e jugosllavëve dhe të politikës radikale, që u ndoq pas çlirimit, klani projugosllav i asaj kohe e arrestojnë në muajin maj të vitit 1947 dhe e dënojnë me pesë vjet heqje lirie. Ai u dërgua në kampin e Vloçishtit, bashkë me të burgosurit e tjerë që punonin për të tharë kënetën e Maliqit. U lirua nga burgu në prill të vitit 1949.
Që nga viti 1949, Dhimitër Pasko, i mbiquajtur Mitrush Kuteli, nuk u angazhua më me ekonomi, por u mor shumë pak me letërsi dhe më shumë punoi si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”. Zëmra e tij pushoi së rrahuri nga një infarkt, më 4 maj të vitit 1967.
…si shkrimtar brilant…
Dhimitër Pasko është një nga personalitetet më të mira letrare, pse mos të themi se ai është babai i prozës realiste shqipe dhe zë një vend të merituar nga më të lartit në Historinë e Letërsisë Shqipe. Në letërsinë artistike njihet me shumë emra, por më i përdoruri njihet me emrin Mitrush Kuteli.
Dhimitër Pasko ka një jetë të pasur letrare në shërbim të edukimit letrar të brezave të Shqipërisë. Ky personalitet i kulturës sonë nuk ka qenë vetëm krijuesi i tregimit të famshëm “Vjeshta e Xheladin Beut” apo autori i “Pesha e Mëkatit”, por është autor edhe i të tjera tregimeve – rrëfenja, si: “Netë Shqiptare”, “Ago Jakupi e të tjera rrëfime”, “Kapllan Aga i Shaban Shpatës”, “Pylli i Gështenjave”, “Xinxifilua”, “Tregime të Moçme Shqiptare”, “Baltë nga kjo tokë”, “Në një cep të Ilirisë së Poshtme” etj.
Subjektet e veprave të tij e marrin temën nga realiteti, ku mbizotëron tema e kurbetit, ajo e marrëdhënieve midis shtresave të varfra dhe bejlerëve dhe tema e gjakmarrjes. Mitrush Kuteli ose Dhimitër Pasko (dhe pseudonimet e tjera: Janus, J, Izedin Jashar Kutrulija, Iz, Iz – ja – ku, Lugati, M. Liqerasi), nuk ka qenë vetëm publicist kritik dhe antikonformist, por edhe një përrallëtar dhe përkthyes i mrekullueshëm. Ai na përktheu në gjuhën shqipe kryevepra të letërsisë botërore nga Gogoli, Krillovi, Shcedrini, Turgenjevi deri tek tregimet e hershme të Gorkit, Ostrovski etj.
Sipas profesorit të Universitetit të Tiranës dhe përkthyesit tone të mrekullueshëm, Jorgji Doksani, “Pasko ishte njeri i ditur e me kulturë të thellë. Kishte një talent të madh si krijues artistik dhe ishte origjinal në krijimtarinë artistike. Po ashtu ai ishte një lëvrues i mahnitshëm i gjuhës shqipe. Pas Fan Nolit, është përkthyesi më i mirë”.
Ai ka meritën se hodhi bazat e një tregimtarie origjinale moderne në letërsinë shqiptare. Kuteli botoi për së gjalli 12 libra në fushën e letërsisë artistike ku edhe këtu shpaloset talenti dhe aftësia e tij krijuese si prozator, poet, folklorist, publicist, përrallëtar dhe kritik letrar.
Dhimitër Pasko ose siç e njohin në letërsi, Mitrush Kuteli, njihte shumë mirë gjuhën rumune, ruse, greke, italiane dhe frënge.
…ekonomist i shquar…
Por mbi të gjitha Dhimitër Pasko ishte një specialist i shquar në fushën e financave, dhe pa frikë mund të themi se ka një kontribut të çmuar në bazat e kombit. Veç veprimtarisë ekonomike, të cilën e kam përmendur më sipër në këtë shkrim, Dhimitër Pasko ishte një ekonomist aktiv, shkencor dhe kritik.
Ai në vitet 1924 – 1933 ka me dhjetëra shkrime me karakter ekonomik dhe financiar në gjuhën shqipe e të huaj rreth monedhës, kreditit, reformës agrare, xhelepit, të dhjetave dhe sidomos kundër koncesioneve të dhëna kapitalit italian, Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe Shoqërisë AGIP, që kish zënë tokat vajgurore të vendit dhe mbante monopolin e karburanteve në Shqipëri. Po ashtu në shkrimet e tij, Dhimitër Pasko godiste dhe dilte kundër dhënies me qira të çifligjeve për 99 vjet, ndërmarrjeve italiane, që synonin kolonizimin e Shqipërisë. Një artikull interesant ka qenë edhe shkrimi mbi Krizën e koronës argjend në Shqipëri dhe mbi humbjet që pësoi populli shqiptar nga kjo krizë e shkaktuar nga Banka Kombëtare e Shqipërisë. Duhet theksuar se ky shkrim u botua si kryeartikull në gazetën “Telegraf” më 1927.
Më 1933 botoi në Rumani broshurën: “Tri probleme me Bankën Kombëtare të Shqipërisë”. Kjo broshurë u konfiskua në Shqipëri, por hyri dhe qarkulloi fshehtazi dorë më dorë. Gazeta “Liria Kombëtare” e Gjenevës e komentoi gjerë.
Në vitet 1943 – 44 botoi në shtypin shqiptar një sërë artikujsh ekonomikë dhe financiarë, të cilët synonin luftën kundër inflacionit monetar (nxjerrjes së monedhës së re), që donin të bënin pushtuesit gjermanë. Në gjuhën rumune, Dhimitër Pasko ka botuar 16 libra dhe broshura të ndryshme sidomos mbi problemet e monedhës dhe të kreditit në Ballkan, mes të cilëve:
“Mendime mbi Krizën Agrare në Rumani. (Bukuresht 1932, faqe102). Kjo vepër fitoi çmimin e parë në një konkurs dhe u botua më parë në “Buletini i Ministrisë së Bujqësisë”të Rumanisë dhe pastaj si libër më vete; “Huarat me forcë mbi qarkullimin e monedhës” (botuar më 1933 nga Instituti Ekonomik Rumun); Bankat Bujqësore të vendeve të Ballkanit” (viti 1934, broshurë); “Sistemet e Bankave të emisionit të vendeve të Ballkanit, ku përfshihen bankat turke, bullgare, greke, jugosllave, shqiptare, tezë për doktoratë, botuar më 1933, faqe 302; “Banka Kombëtare e Shqipërisë”, faqe 122, që u komentua gjerësisht në shtypin rumun e të huaj.
Revistat italiane “Rasegna Monetaria” dhe “Rivista Bancaria”, të njohura në rrethet financiare ndërkombëtare, nuk i mohuan vlerën shkencore dhe dokumentare, por kundërshtuan përfundimet e librit dhe kritikën e ashpër për spekulimet e Bankës në kurriz të popullit shqiptar në politikën e monedhës, të kreditit, të fitimeve dhe sidomos të përbërjes së kapitalit duke deklaruar se “aq mund të bëhej në ato rrethana”. Njëra nga këto revista e klasifikoi Dhimitër Paskon duke e quajtur “il Pasko rosso”. Një pjesë të dokumenteve të kësaj vepre ai i mori nga Seksioni Ekonomik i Lidhjes së Kombeve në Gjenevë dhe nga ekspertë të këtij organi me të cilët kish lidhur letërkëmbim. Ky libër u komentua pozitivisht nga revista “Les Balkans”, që dilte në gjuhën frënge në Athinë dhe nga revista “Bankarstvo” e Zagrebit. Shtypi shqiptar, i subvencionuar nga Banka, nuk e përmendi fare.
Shkrimet e botuara në këto revista titulloheshin: “Kapitalet e huaja në Bankat e mëdha të Bullgarisë” (viti 1936, botuar nga Instituti Ekonomik Rumun); “Krediti bujqësor në Rumani”, botuar më 1937 në organin e Shoqatës së Ekonomistëve Rumunë dhe pastaj si libër më vete; “Dhjetë leksione për monedhën, kreditin dhe shërbimet” më 1938; “Kriza e Kontrollit në shoqëritë parashtetërore, shkruar e botuar më 1938, etj.
Duhet thënë se veprimtaria financiare, ekonomike dhe bankare e Dhimitër Paskos, mendoj se është pak e njohur për opinionin tonë shqiptar, sepse ai i ka botuar këto libra, broshura apo studime me disa pseudonime si: Dr. Pas, PAS, Pas, AB etj dhe nuk përjashtohet mos njohja apo mos zbardhja e tyre apo lënia në harresë nga xhelozia dhe keqdashësia.
…publicist e teoricien
Edhe publicistika e Dhimitër Paskos ka karakterin e analizave kritike ekonomike. Ai në këto shkrime na paraqitet si një njohës i thellë e i vëmendshëm i halleve të Shqipërisë e i popullit shqiptar.
Në gazetën “Bashkimi i Kombit” të datës 16 shkurt 1944 gjendet një artikull shumë interesant i tij i titulluar “Vobektësohemi”. Pasi shkruan për mungesën e rrugëve, të urave, të makinave, për mungesën e karburanteve e të lëndës së parë; pasi shkruan për një nga fabrikat më të mëdha të Shqipërisë, siç ishte Mulliri i Vëllezërve Shijaku, “që po dëmtohet rëndë e po ndryshket”, Dhimitër Pasko e vlerëson këtë fabrikë jo vetëm si pasuri private, por edhe pasuri kombëtare. Po ashtu në këtë artikull ai shkruan “për një sasi të mallrave të tregtarëve të Korçës, mbase edhe për një sasi ari, që janë bartur edhe po barten për në Greqi për arsye sigurimi”.
Dhimitër Pasko në mënyrë profetike shkruan gjithashtu “për tokat e braktisura nga banorët e saj të Myzeqesë, Vlorës dhe Korçës…Po ashtu bën kritikë se në tokat e liruara dhe në shumë qendra të tjera konsumohen prodhime të monopolist bullgar si cigare, shkrepëse, letra cigaresh, kripë etj., të sjella me kontrabandë. “Kësisoj – shkruan ai – ne i paguajmë shtetit bullgar taksa konsumi të afta, në vend që t’ia paguajmë shtetit shqiptar.
Kritiku dhe vëzhguesi i rreptë i problemeve ekonomike dhe sociale, Dhimitër Pasko, shkruan gjithashtu se “buxheti i shtetit është ngarkuar dhe po ngarkohet me shpenzime të paprodhimshme, që i kalojnë mundësitë e një ekonomie normale e jo të një ekonomie të dërmuar si kjo e ditëve tona…Pikërisht në këtë fazë kur mund të aspironim në një shqiptarizim të tyre, institutet e kreditit të vendit janë të kanosura të mbyllin bilancet me humbje sepse ka shpenzime personeli të shumta dhe të ardhura të zvogëluara nga mungesa e veprimtarisë ekonomike – shkruan ai.
“Monedha kombëtare është ngarkuar që nga viti 1939 e gjer në shtator të vitit 1943 e këndej me ngarkesa – analizon Pasko – që nuk janë të tonat dhe kjo barrë e vënë mbi monedhën kombëtare rëndon efektivisht mbi ekonominë kombëtare të cilën e turbullon dhe e shtyp”. Më tej ky parashikues profetik shkruan: “Vobektësohemi dita më ditë. Do fillojmë emigracionin jashtë shtetit, porte më porte, kush të na qas për të punuar me krah për një kothere bukë. Kjo do të sjellë dobësimin tonë demografik dhe dobësimin tonë politik. Njëkohësisht me këtë do kërkojmë kapitale nga jashtë dhe do të pranojmë kushte përulësie ose gjunjëzim”. Ai kritikon shtetin e asaj kohe, i cili si përfaqësues i permanencave të kombit nuk e thotë fjalën e tij vendimtare me grushtin goditës.
Jeta jo shumë e gjatë dhe veprimtaria krijuese e Dhimitër Paskos, me privacione dhe dëshpërime, e bëjnë atë një figurë të dashur e të paharruar dhe krijimtarinë tij një nga më të çmuarat në fondin e artë të kulturës shqiptare.
“…Se unë këtë rrugë zgjodha, e shtrenjta Efterpi”!
Pjesë nga letra (testament) që Pasko ia ka lënë bashkëshortes së tij, Efterpit, dy muaj para se të vdiste, ku i flet për punën e tij si ekonomist
Ne u bashkuam, rrojtmë, dhe bëmë fëmijë në vjete stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Po atëhere kisha shëndet dhe i kapërxeva të gjitha. Tani, ti e di…Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngërn…Ndofta, pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime së kaluar: në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike…
…Kam punuar pa interes vetiak, bile kundër interesit vetiak…Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin. Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes, po se s’munda. Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave.
…Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetiak, udhën e “urtë e butë e lugën plot”. Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi, nuk kthehet dot, nuk ndreqet dot.
Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara bashkisë, kur muarr vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin. Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi as me veprimin tim në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë, luftova kundër grabitjeve jugosllave. Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi për veprimtarinë time praktike-në fushën ekonomike-në Rumani. Edhe atje kundër gjermanëve…
…Kam qënë kundër rusëve sepse ata mbajnë nënvete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë; kundër gjermanëve sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër anglezëve për të njëjtën arësye.
Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe. Në Rumani kam luftuar, aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vëndas dhe të huaj. Këtë qëndrim kam pasur edhe kur isha drejtor banke.
Një nga pasojat e para ka qënë një “skedë e zezë” në aparatin gjerman të Vjenës, më 1940-41. Për këtë “skedë të zezë” ardhi e më foli dikush në bankë: “Ç’po bën kështu? Nuk e di ç‘të pret? Pse kundërshton që vëndin e kapitalit çifut ta zerë kapitali mik gjerman?” Unë di një gjë: kapitali s’mund të jetë kurrë mik, po vetëm kapital. Ay ushqehet me fitime, mbahet me fitime, rron për fitime.
Dhe fitimet s’kanë kurrë të mbaruar. Njëja kërkon të bëhet dy, dyja katër, katra tetë, mija dhjetë mijë, milioni qindmilion e kështu me radhë. Në dëm të njerëzve, të popujve. Si ish drejtor tri bankash (gjithnjë i varfër) di se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitim të ri, siç nuk ngopet deti me ujë.
(Kujto, Gazeta Dita)