Marrëveshja ndërmjet UÇK-së dhe LKÇK-së kishte dy pika: e para, për efektivin ushtarak të LKÇK-së i cili do të sistemohej në strukturën operative të UÇK-së; dhe e dyta, për krijimin e një Fronti Politik që do të udhëhiqte luftën çlirimtare
Nga Dr. Arben FETOSHI/Prishtinë
Sot 22 vjet (11 Maj 1998). Në Açarevë të Drenicës. Në odën e Rexhep Shalës. Rexhep Selimi, përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sabit Gashi e Fatmir Humolli, përfaqësues të Këshillit të Përgjithshëm të LKÇK-së dhe unë nga Grupi Studentor “Bashkimi” në cilësinë e ndërmjetësit.
Qenë bërë gati dy muaj të përpjekjes tonë për unifikimin e frontit të luftës. Nga diskutimet e vazhdueshme me shokët dhe shoqet në Prishtinë, e sidomos pas Epopesë së Jasharëve në krye me Ademin e Hamzën, na u bë edhe më e qartë detyra.
Duke pasur parasysh, nga njëra anë, qëndrimin e Ibrahim Rugovës (president i “Republikës së Kosovës” dhe kryetar i LDK-së) dhe nga ana tjetër, aktivitetin e disa organizatave ilegale brenda Kosovës, ishim plotësisht të bindur se duhet të angazhoheshim për ‘Një’ front luftarak dhe politik drejt çlirimit të vendit. Shembullin e Bosnjës e kishim të freskët dhe s’duhej të lejonim përçarje që do t’na kushtonin shumë.
Ndonëse të brumosur me idealet më sublime dhe secili më i dëshmuar se tjetri gjatë luftës, sërish e ndjej për obligim që sot, 22 vjet pas, t’i falënderoj me respekt të gjithë shokët dhe shoqet që më kishin besuar detyrën t’i përfaqësoja në këtë qëllim fisnik.
Fillimisht Behxhetin dhe bacën Rexhep (babi i tij) për mikëpritjen e ngrohtë, sepse shtëpia e tij në Açarevë u bë shtëpia jonë e dytë, pastaj Hyrën (Hyrë Veliu), Ajshe Mulajn, Arbëreshën (Arbëresha Gashi) dhe Gëzimin (Gëzim Hoxhaj), Sami Cacajn e Ramë Xhikokën, si dhe shumë të tjerë që ishin me ne, angazhimi dhe vendosmëria e të cilëve ka sjellë Marrëveshjen historike të bashkimit ndërmjet UÇK-së dhe LKÇK-së, më 11 maj 1998 në Açarevë të Drenicës.
Nuk kam shkruar deri më sot për këtë ngjarje dhe këtë nuk e kanë bërë asnjëri prej shokëve, për ç’gjë edhe u jam shumë mirënjohës. Jo se s’kishte rëndësi, jo se nuk kam dashur, por sepse kam qenë i bindur që historinë e luftës nuk duhej personalizuar, nuk duhej përdorur dhe më kryesorja, nuk duhej shkruar keq, nën ndikimin e interesave ditore.
Pra, kam qenë i bindur se kërkohej distancë e nevojshme për sa më shumë objektivitet. As sot s’po shkruaj me qëllim vlerësimi apo afirmimi, por thjesht për ta shënuar, si kujtim dhe si mirënjohje për ata që në fakt e kanë mundësuar atë.
Roli ynë është përmendur sa herë që kanë folur për marrëveshjen, kryesisht përfaqësuesit e LKÇK-së, ndonëse shkarazi dhe si një fakt historik, pa një vlerësim real e të merituar të kontributit të studentëve.
Angazhimin tonë e kanë mirëpritur të gjithë. Nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ishim autorizuar për të gjitha aktivitetet që do të bënim. Nga fundi i marsit, me ndihmën e logjistikës së UÇK-së, Gëzimi, Behxheti dhe unë shkuam në Shqipëri. Për dy javë sa qëndruam në Tiranë takuam shumë njerëz. Atë ditë e kemi takuar për herë të parë Komandantin e Përgjithshëm. Rexha më kishte dhënë një numër telefoni të cilin duhet ta thërrisja kur të arrinim në Tiranë. Pimë nga një kafe te “Chaplin” pa e ditur se ai ishte Azem Syla. Na uroi punë të mbarë dhe u ndamë. Herën e ardhshme do ta takonim kur do të ktheheshim për Kosovë. Takimi me Sejdi Veselin (përfaqësues legal i LKÇK-së) na dha shumë shpresë. Takuam në një apartament edhe përfaqësuesit e KNK (Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare), Ibrahim Shalën, Gani Buçincën e Fuat Ramiqin. Me këta nuk patëm sukses, ndonëse na lanë të kuptojmë se nuk kishin organizim brenda dhe për pasojë nuk kishte rrezik të shfaqeshin si formacion ushtarak. Në hotel “Minir” e kam takuar një mbrëmje edhe Ibrahim Kelmendin (më kërkoi ta takoja vetë), mirëpo nuk u lëshuam në detaje. Fundja, marrëdhëniet e krerëve të UÇK-së ishin të afërta me LPK-në (Lëvizjen Popullore të Kosovës) dhe ne ishim të vetëdijshëm për këtë.
Në Tiranë tashmë kishin filluar të vijnë vullnetarë nga vende të ndryshme të botës.
Pas kthimit në Kosovë (në gjysmën e dytë të prillit), me Smajlin (Smajl Latifi, kryetar i Rahovecit), Safetin (Safet Latifi, dëshmor) e Shkumbin Demaliajn kemi shkuar në Dobërdelan (në shtëpinë e Abedin Balës, një bazë e rëndësishme e luftës më vonë) të Suharekës. Aty kam takuar Sabit Gashin (të cilin e kisha takuar dy herë ilegalisht përmes Smajlit), Valon Muratin, Agim Kuletën, Valbonën… kërkoj ndjesë për ndonjë që e kam harruar!
Takimi final për marrëveshjen është mbajtur më 11 maj pasdite. Në shtëpinë e Behxhetit, erdhën Sabiti e Fatmiri dhe Rexha. Takimi nisi me lot, pasi Rexha sapo e kishte marrë lajmin për rënien e “Mërgimit” (Ilir Konushevcit) të cilin e kishin njohur edhe Sabiti e Fatmiri. Një goditje e rëndë për luftën, por që duhej kthyer në forcë e bashkim.
Për shkak të rrethanave atë ditë nuk gjetëm dot makinë shkrimi, prandaj tekstin e e marrëveshjes e kam shkruar me dorë në cilësinë e procesmbajtësit.
Marrëveshja ndërmjet UÇK-së dhe LKÇK-së kishte dy pika: e para, për efektivin ushtarak të LKÇK-së i cili do të sistemohej në strukturën operative të UÇK-së; dhe e dyta, për krijimin e një Fronti Politik që do të udhëhiqte luftën çlirimtare.
11 maj 2020
P.S.
Këtë copë historie ia dedikoj të gjithë shokëve që vazhdojnë me fisnikëri ta ruajnë dinjitetin e sfiduar të luftëtarit.