• Today is: Sunday, May 5, 2024

Asani: Kërkojmë nga Qyteti i Shkupit që sa më shpejt t’i rikthejë themelet e shtëpisë së Nënës Terezë

fakti
May11/ 2020

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup ka reaguar lidhur me ndryshimet në sheshin e Shkupit “Maqedonia”.

ITSHKSH vlerëson se me ndryshimet në këtë shesh janë mbuluar gjurmët e shtëpisë së Nënës Terezë, kurse në parkun para pllakës përkujtimore praktikisht është mbyllur rruga.

ITSHKSH shpreh indinjatë për këtë veprim të Qytetit të Shkupit.

Në reagimin e këtij instituti kërkohet që sa më shpejt të korrigjohet ky lëshim dhe të rikthehen themelet e shtëpisë së Nënës Terezë, transmeton gazeta shqiptaro amerikane Illyria e Nju Jorkut.

Njëkohësisht, kërkon që teksti në pllakën përkujtimore të Nënës Terezë të shkruhet edhe në gjuhën shqipe.

Drejtori i Institutit, Skender Asani, ka reaguar kundër këtij veprimi të autoriteteve te Shkupit edhe në rrjetet sociale.

Reagimi i plotë i ITSHKSH:

Të mbrohen gjurmët e Nënës Terezë

Pas ndryshimeve të bëra në sheshin e Shkupit “Maqedonia”, me ç’rast janë mbuluar gjurmët e shtëpisë së Nënës Terezë, ndërsa me parkun e vendosur para pllakës përkujtimore praktikisht është mbyllur rruga që të vendosen lule edhe te pllaka, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, përkatësisht Departamenti për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, shpreh indinjatë dhe habi të thellë për këtë veprim të papërgjegjshëm të Qytetit të Shkupit.

Në kohën që gjithë bota mburret me emrin dhe veprën e Nënës Terezë dhe ajo është bërë identiteti dhe letërnjoftimi i vendit tonë, të mbulohen gjurmët e shtëpisë së saj dhe të pengohet mundësia e vendosjes së luleve në pllakën përkujtimore nuk ka si lexohet ndryshe, pos si një veprim i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm për Qytetin tonë, por edhe për gjithë vendin tonë.

Nisur nga kjo, kërkojmë nga Qyteti i Shkupit që sa më shpejt ta korrigjojë këtë lëshim, t’i rikthejë themelet e shtëpisë së Nënës Terezë, ndërsa në të mirë të marrëdhënieve të mira ndëretnike, është koha e fundit që teksti në pllakën përkujtimore të bëhet edhe në gjuhën shqipe.

Me shpresë se nuk do të ketë nevojë për reagime në instanca më të larta vendore dhe ndërkombëtare dhe në forma të tjera.

Shkup, 11.05.2020                                                                            Dr. Skender Asani, drejtor