Plani Grenell”, i nisur ashtu siҫ e thotë me të drejtë Martin Vulaj, një “operacion biznesi” ka hasur në gozhdë edhe në vendin më aleat të SHBA si Kosova, pasi u hartua me logjikën që t’i pëlqejë Beogradit për të marrë aprovimin e tij. Logjikë që ka sukses kur arrihet “deal” për shitjen e një fabrike, por jo për ndarjen e kufijve ku përreth tyre gjallojnë jetë njerëzish.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm në diskutimin për planin e zgjidhjes përfundimtare të ҫështjes së Kosovës ka ardhur nga Uashingtoni.
Dhe ky zhvillim ka dalë pikërisht nga goja e arkitektes së Planit A të Fuqive të Mëdha për Kosovën; ҫlirimit të saj nga Serbia.
Ish-sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ka deklaruar në një seancë të posaҫme në Kongresin Amerikan se: “Çfarë ka ndodhur fatkeqësisht, është se tani ka pyetje rreth kufijve dhe asaj se Kosova ka qenë pjesë e Serbisë, mirëpo mendoj se në shumë mënyra, më duhet ta them këtë me keqardhje, Shtetet e Bashkuara nuk janë duke ndihmuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje me (presidentin serb, Aleksandër) Vuçiҫ dhe me atë që serbët kanë tentuar ta zhbëjnë, e që ka pasur për rezultat një spastrim gjenocid, të cilin e ka dënuar komuniteti ndërkombëtar”.
Në mënyrë të fare të qartë, zonja Albright, ka rrëzuar planin që po zbaton i dërguari i posaҫëm i Presidentit Trump për Kosovën, Richard Grenell.
Dikush mund të thotë edhe se ish-sekretarja e Shtetit, duke qenë se është demokrate, kontestimin e saj e ka në nivelin partizan apo partiak të ligjërimit, duke kritikuar kundërshtarin Trump.
Por realisht, Albright edhe pse një demokrate e afiluar, nuk është aktive në politikë dhe nuk ka përse të dëmtojë imazhin e saj për një ҫështje të rëndësishme të skenës botërore, në profilin super të vlerësuar të shefes së diplomacisë amerikane.
Madeleine Albright, është njeriu kyҫ në hartimin dhe zbatimin e planit të fazës së parë për Kosovën, atë të ҫlirimit të saj nga Serbia.
Një plan perfekt deri në detaje, si nga pikëpamja strategjike por edhe taktika e zbatimit.
Albright arriti që të ndryshojë realisht kufijtë e Europës duke mos futur asnjë ushtar amerikan për të luftuar në tokë, me një sukses fantastik diplomatik, pasi arriti të mbajë të bashkuar aleancën Perëndimore, madje duke e zgjeruar atë dhe duke siguruar që Rusia, Fuqia e Madhe që krijoi Serbinë të rrijë “sus”.
Por ҫfarë ndodhi që plani i ҫlirimit funksionoi?
Në radhë të parë, sepse gjithҫka u përgatit me kujdes dhe me shumë, shumë inteligjencë.
Njeriu që Albright ngarkoi të hartonte planin, cilësohet një nga mendjet më të zgjuara në planet: përkatësisht Zv.Sekretari Amerikan i Shtetit Strobe Talbot.
Shoku i ngushtë i Bill Clintonit që në Oxford, njohës perfekt i Rusisë dhe i rusishtes, sa kishte përkthyer në anglisht librin me kujtime të Hrushovit- një bestseller, arriti të gjejë telat e duhur në Moskë, duke futur një frazë që ishte thelbësorja e planit për Kosovën, e cila ishte edhe tek teksti i Marrëveshjes së Rambulliet, por edhe pjesa e ultimatumit ndaj Slobodan Milosheviҫit më vonë.
Ajo frazë ishte: “të gjitha”- “të largohen të gjitha, të gjitha forcat Serbe nga Kosova”. Pikërisht kjo fjali ishte edhe ҫelësi i suksesit, duke qenë se ishte studuar me hollësi e gjithë historia e Kosovës, por edhe zhvillimet e saj politike, ekonomike e sociale në vite e vite.
Ata e dinin se largimi i forcave serbe nuk do të shkaktonte asnjë vakum në Kosovën post- Beograd, përkundrazi, pasi Kosova kishte resurset e saj njerëzore, madje edhe ekonomike për të mbijetuar.
Si një kompromis me aleatët europianë dhe natyrisht me Rusinë, u vendos administrimi i përkohshëm i Kosovës nga OKB deri në zgjidhjen e statusit përfundimtar.
Plani i administratës Clinton ishte që ҫështja e pavarësisë së Kosovës të zgjidhet shpejt, madje në kohën kur në krye të Serbisë u zgjodh Zoran Xhingjiҫ, i përkrahur fort nga SHBA e BE.
Por administrata e George W Bush-it e vonoi, e siҫ dihet Xhingjiҫ u vra në selinë e kryeministrit të Serbisë në vitin 2003. Siҫ e tha edhe një tjetër “peshë e rëndë” e ekipit Clinton, Richard Holbrooke, në 2006-n, “Bush i ka komplikuar gjërat, sa ҫështja e Kosovës do të shtyhet nëpër pazaret e fuqive të vjetra”.
Pra e thënë më shkoqur, plani i parë, ai i ҫlirimit, u hartua me një saktësi shkencore nga ca mendje shumë të zgjuara si: Albright e Talbot.
Me këtë plan perfekt, presidenti Bill Clinton, me aftësinë e tij sociale të nivelit të lartë, arriti të bëjë pro të gjithë liderët e Fuqive të Mëdha, përfshirë edhe Boris Jelcinin.
Dhe më pas ai u zbatua me saktësi kirurgjikale nga diplomatët Holbrooke e Chris Hill, si dhe kryegjenerali i NATO-s, Wesley Clark.
Nga ana diplomatike u hartua Marrëveshja e Rambuliet, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Marrëveshja e Kumanovës që ishte dhe kapitullimi ushtarak i armatës së Milosheviҫit.
Duke mos harruar një fushatë super hightech ushtarake të kryer nga të gjitha trupat e NATO-s mbi Serbi.
Ndërkaq, në fazën e ndërmjetme, atë të pavarësisë së Kosovës, George W Bush, u hodh menjëherë në fushë edhe personalisht në 2007, duke përgaitur gjithҫka nëpërmjet riciklimit të “planit Albright”; rithirrja e Marti Ahtisarit si kryenegociator, i cili përgatiti atë që tashmë është Kushtetuta e Kosovës së pavarur. Plan që pas shpalljes së pavarësisë pati një përgjigje rrufe të shumicës së botës për të njohur Kosovën, sovraniteti i së cilës u vulos edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Ndërsa sot jo vetëm që nuk kemi një plan, por ka një kaos në këtë aspekt dhe shumë teori konspiracioni e dyshime, mbi një marrëveshje të mundshme për të mbyllur dosjen “Kosova”-pra për të siguruar një njohje të saj nga Serbia dhe përcaktimin final të demarkimit kufitar.
Kjo fazë është më e rëndësishmja, pasi përfundimisht pritet “nyja gordiane” e Ballkanit dhe rajoni nis një epokë krejt të re zhvillimi.
Por Donald Trump, me një logjikë tipike biznesmeni ka caktuar Richard Grenell-in si “drejtor ekzekutiv” për ta zgjidhur këtë ҫështje pa diskutuar si, kur dhe me ҫ’kosto.
Martin Vulaj, biznesmeni dhe lobisti i njohur shqiptaro-amerikan, në një koment të publikuar këto ditë në media, theksonte pikërisht këtë logjikë, duke ju referuar mentalitetit të biznesmenit të Trump, i cili si një CEO i rëndësishëm, cakton një person që ose ta kryejë punën ose ndryshe të pushohet, siҫ ndodh në ҫdo korporatë të madhe.
E pikërisht ky është defekti i kësaj ndërmarrjeje, pasi një nyje e ngjizur që në mesjetë dhe e vulosur nga fuqitë më të mëdha botërore në fillim të shekullit të 20-të, e cila nisi të prishet në fund të këtij shekulli, nuk është as operacion shitjesh, e as spekulim në bursën e Wall Street-it.
Kjo ҫështje është një operacion diplomatik që do të ndryshojë historinë e botës dhe si i tillë ai kërkon jo thjesht seriozitet, por gjenialitet.
Pikërisht ata që kanë kryer operacione të tilla në historinë e botës kanë shënuar emrin e tyre në librin e sukseseve.
“Plani Grenell”, i nisur ashtu siҫ e thotë me të drejtë Martin Vulaj, një “operacion biznesi” ka hasur në gozhdë edhe në vendin më aleat të SHBA si Kosova, pasi u hartua me logjikën që t’i pëlqejë Beogradit për të marrë aprovimin e tij. Logjikë që ka sukses kur arrihet “deal” për shitjen e një fabrike, por jo për ndarjen e kufijve ku përreth tyre gjallojnë jetë njerëzish.
Ndaj qëndrimi i Madeleine Albright, kësaj gruaje që në Kosovë ka përmendoren e saj, si të gjithë ҫlirimtarët e tjerë, shërben si një këmbanë e fortë reflektimi për opinionin publik dhe politikën e Kosovës.
Deri tani vetëm Albin Kurti rezulton se e ka kapur këtë logjikë në diskursin politik, ndërsa grupi i elitës së vjetër që përfitoi nga faza e ҫlirimit dhe pati fatin të firmosë Pavarësinë, po e trajton qorrrazi këtë moment fondamental.
Kush e mban mend Hashim Thaҫin në Rambuje, ai(pavarësisht se ishte taktikë e sugjeruar nga amerikanët) shtyu firmosjen e marrëveshjes për tu konsultuar me komandantët e UҪK-së në terren dhe u vonua 2 javë. Kurse këtë herë, koordinatori i delegacionit shqiptar në fazën e ҫlirimit, jo vetëm nuk është konsultuar me asnjë nga krerët e politikës, por ende po shërben duke frymëzuar përҫarjen…/Pamfleti