• Today is: Monday, November 25, 2024

Kaosi i rrezikshëm përpara dialogut me Serbinë

fakti
May10/ 2020

Nuk do të ishte keq sikur Thaҫi, sa kohë ka një përplasje me Vetëvendosjen për dialogun, ta kishte ngarkuar Albin Kurtin me hartimin e tezave. Ta kishte sfiduar që të shikonte se a ka këllqe kreu i Vetëvendosjes që ta bëjë një gjë të tillë, e cila natyrisht do të ballafaqohej në publik.

 

Negociatat për të mbyllur problemin e Kosovës nga Fuqitë e Mëdha, siҫ duket do të mbahen menjëherë pas lehtësimit të masave nga pandemia dhe zgjedhjet serbe.

Më 21 qershor, Serbia rinovon parlamentin në mënyrë që të krijojë një Kuvend që do të ketë legjetimitetin për një zhvillim të madh: Të pranojë edhe ligjërisht se Kosova nuk është më pjesë e Serbisë edhe ta njohë atë.

Ndërkaq, serbët, pas një thirrje të Aleksandër Vuҫiҫit kanë nisur prej kohësh një proces diskutimi mbi atë se ҫfarë do të duhet të bisedohet me Prishtinën, kush janë vijat e kuqe të tyre dhe natyrisht kush është minimumi apo optimumi që ata mund të marrin në bisedime.

Tashmë e dimë të gjithë pazarin e Beogradit; është një autonomi e strukturës vetëqeverisëse serbe në komunat ku ata qeverisin, një agresivitet për të mos lëshuar Mitrovicën e Veriut, Leposaviҫin Zveҫanin dhe Zubin Potokun.

Po ashtu, Beogradi ka edhe kërkesa më ekspansioniste për të marrë përfundimisht pjesën industriale të Trepҫës dhe liqenin ujëmbledës të Ujmanit apo siҫ i thonë ata Gazivoda etj etj.

Këto janë diskutime të ardhura nga lart nëpër media për të bërë natyrisht një presion e për të nisur një proces të gjatë debati.

Pas zgjedhjeve parlamentare, ka shumë gjasa që Vuҫiҫ, së bashku me parlamentin e ri të themelojë ekipin që do të hartojë tezat e dialogut me Kosovën, ku natyrisht presidenti serb do të ҫojë kërkesat tek SHBA dhe BE, të cilat pritshmërisht do të jenë të gjata, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë.

Pra, me një fjalë, pala serbe duket e gatshme për një përballje si dhe po vijon pa ndalur përgatitjet.

Nga ana tjetër në Prishtinë, Tiranë a qendrat e tjera të gravitetit politik shqiptar, ka një ҫorganizim të organizuar.

Tirana zyrtare nuk mban prej kohësh asnjë takim koordinues të aktorëve politikë dhe civilë të botës shqiptare, që prej kur në krye të diplomacisë është një djalosh mendjemadh që nuk e ka idenë se cila është detyra e tij si ministër i Jashtëm.

Ndërkaq, kemi një kaos politik të aktorëve; ku Rama është tandem me Thaҫin, Ramushi me Metën e Berishën, kurse të tjerët vijojnë të jenë të izoluar në qëndrimet e tyre.

Nisma që Albin Kurti publikoi në një intervistë me Ilva Taren për një takim të tre krerëve të Shqipërisë me ata të Kosovës, veҫse pozitivitet e nuk do të ishte keq, por u refuzua duket prej Edi Ramës, pasi ai do të jetë i vetëm që merret edhe me ҫështje të mëdha si Kosova, ashtu edhe me gjëra më të vogla.

Diplomacia shqiptare apo shërbimet e inteligjencës do të duhet të përpunonin dhe gjurmonin se cilat janë planet e strategjia serbe në bisedime, kur në fakt kjo diplomaci thuajse nuk ekziston prej kohësh nga mediokriteti i ministrit të vockël i cili sa erdhi bëri disa shkarkime të vockla, por nuk e mbushi këtë vakum me njerëz të ditur dhe profesionistë.

Po ashtu në Kosovë, palët janë për ibret. Hashim Thaҫi që prej kohës kur i kanë thënë se do t’i bëjë ai negociatat me Vuҫiҫin, i ka hipur mania e njeriut që do të ndajë kufijtë e nëpërmjet Baton Haxhiut jep versione e hap debate.

Kur në fakt zgjidhja më e mirë do të ishte që Thaҫi të mblidhte krerët e politikës për të diskutuar për të gjitha skenarët dhe të hartohet një plan strategjik për negociatat.

Një tip dokumenti ku Kosova të ketë vijat e saj të kuqe që nuk mund t’i prekë askush në bisedimet me Beogradin. Bisedimet natyrisht që mund t’i përfaqësojë ҫdokush, por ai që e bën duhet të jetë thjesht i dërguar dhe jo fuqiplotë; siҫ ndodhi në Rambuje, por atëherë gjendja ishte më e lehtë, sepse firmosej vetëm për largimin e forcave serbe. Thaҫi do të duhet, ashtu si Vuҫiҫi në Serbi të kishte nisur një debat mbarëkombëtar për dialogun, duke përfshirë akademikët, shoqërinë civile, mediat dhe aktorë relevantë jo vetëm brenda Kosovës por edhe nga diaspora, trevat shqiptare, në mënyrë që shoqëria të kishte vibruar gjithë gjallëri dhe diskutime për një zhvillim që është shumë jetik.

Për herë të parë po vjen dita që shqiptarët të vendosin kufijtë me serbët; ata kufij do të jenë në një farë mënyrë edhe konturet e reja kombëtare.

Por veҫ për ego personale, një krenarie tribale e provinciale që mblidhet me shprehjen: më i mirë i pari katundit se i fundit në shehër, Hashim Thaҫi ka dëmtuar deri tani një proces, ku ҫdo komplikim mund të shkaktojë pasoja të rënda kombëtare, e përgjegjësia i mbetet vetëm Presidentit të Kosovës.

Nuk do të ishte keq sikur Thaҫi, sa kohë ka një përplasje me Vetëvendosjen për dialogun, ta kishte ngarkuar Albin Kurtin me hartimin e tezave. Ta kishte sfiduar që të shikonte se a ka këllqe kreu i Vetëvendosjes që ta bëjë një gjë të tillë, e cila natyrisht do të ballafaqohej në publik.

Por këtu presidenti Kosovës vuan nga sindroma e injorantit, i cili lufton me zhurmë që të mos lerë atë që di të shpalësë pikërisht atë që di.

Thaҫi në diskursin publik njihet për fjalitë e shkurtëra, krejt të thjeshta: kryefjalë-kallzus-kundrin që kur dikush i kërkon më shumë përgjigjet: “Veҫ për qef”, përdor gjithnjë frazat “e pavarur e sovrane”, kur realisht janë e njëjta gjë dhe mund thjesht të përdorë vetëm njërën dhe mjafton.

Kështu debati publik për një ҫështje kaq kardinale del i cunguar edhe në morfologji e sintaksë, lerë më në thelbin e ҫështjes.

Por nëse Thaҫi nuk e bën, atëherë nuk do të duhet të presë pjesa tjetër e politikës; qoftë në Kosovë, Shqipëri e treva. Mund ta bëjë edhe Albin Kurti vetë, duke udhëhequr një proces debat publik që mund të shërbejë edhe si prologu i një fushate zgjedhore në Kosovë që duket i pashmangshëm.

Do të ishte më efikase që këto zgjedhje të reja parlamentare në vend të kishin si strumbullar debatin e pakuptimtë e lagu s’e lagu, të kenë rezonante platformën strategjike për dialogun me Serbinë./Pamfleti