• Today is: Monday, November 25, 2024

Simbolika e Maks Velos: një qytetar par- excellence

fakti
May10/ 2020

Edhe pse sot një pjesë e madhe e shtresave të shoqërisë kanë shprehur simpatinë për Maksin në ditën e ikjes, kjo nuk do të thotë se ai ishte një person që donte t’u pëlqente të gjithëve. Madje ai e urrente që të pëlqehej; thjeshtë jepte mendimin e tij.

Ikja nga kjo botë e Maks Velos ka sjellë shumë reagime në opinionin publik shqiptar dhe jo vetëm. Rezonantja e të gjithë përshpirtjeve ndaj të ndjerit ka qenë dhimbje e pafund, respekt edhe afeksion ndaj një personi i cili edhe pse “i vetmuar” siҫ thoshte dikush me cinizëm në homazhin e vet, solli aq shumë impresion për të thënë diҫka të mirë e pozitive për një njeri që padyshim përbënte një nga personat më të famshëm në Shqipërinë e 30 viteve.

 Disa nga e djathta u rrekën ta quanin si një simbol të antikomunizmit, dhe natyrisht kanë të drejtë pasi Maks Velo ishte një ikonë e rezistencës ndaj dhunës e diktaturës, ndaj spiunimit dhe depersonalizimit, ishte një simbol i lartë i rezistencës kundër “realizmit socialist” si kushtetutë dhune ndaj artistëve që nuk i përshtaten këtij kanuni.

Por Maks Velon e kanë përkujtuar edhe socialiste, si për shembull Erion Braҫe, i cili duket se kishte një lidhje të ngushtë miqësore dhe fjalët e shkruara për artistin e intelektualin e njohur dukeshin si të ndjera.

Dhe në fakt, përveҫ Arlind Qorajt, e Shinasi Ramës, ҫdokush që foli e shkroi diҫka thanë vetëm fjalë të mira për Maksin.

Pasi siҫ dukej secili shikonte tek ai një pjesë që nuk e gjente askund në këtë shoqëri të mjerë dhe primitive shqiptare.

Maks Velo ishte një artist i rangut më të lartë, i vlerësuar nga tregu i egër kapitalist i kësaj fushe, ku pikturat, skulpturat, grafikat, instalacionet bliheshin sapo dilnin në ekspozitë.

Maks Velo ishte një intelektual i angazhuar në debatet publike për një koshiencë që ai e kishte shumë të kultivuar; koshiencën për trashëgiminë dhe të mirën publike.

Edhe pse sot një pjesë e madhe e shtresave të shoqërisë kanë shprehur simpatinë për Maksin në ditën e ikjes, kjo nuk do të thotë se ai ishte një person që donte t’u pëlqente të gjithëve. Madje ai e urrente që të pëlqehej; thjeshtë jepte mendimin e tij. I burgosuri i regjimit komunist, mbrojti Piramidën si monument publik kur donte ta prishte Berisha, thjesht nga koshienca e arkitektit dhe urbanistit, urrente hipokrizinë e spiunëve në art, sa nuk arrinte dot të përtypte që njerëzit që e kishin denoncuar jo vetëm atë por edhe Ismail Kadarenë e Dritëro Agollin kishin status social edhe në demokracinë për të cilën aq shumë Maksi kishte luftuar.

Ishte një kundërshtues i rreptë dhe kritikues i vulgut, mediokritetit, orientalizmit si koncept për të kapur shoqërinë shqiptare që sipas Maksit të lindur në Paris, ishte e destinuar të ishte perëndimore.

Maks Velo ishte një dizident 24 karatësh, ishte një qëndrestar kundër dhunës, ishte një luftëtar i së vërtetës dhe i lirisë, por mbi të gjitha ai ishte një qytetar par exellence dhe për këtë term ai luftoi aq fort e pa asnjë kompromis, i urrente shumë anti-qytetarët…/Pamfleti