• Today is: Tuesday, April 23, 2024

INFORMIM AMATORESK, BRUTAL E I PAMORALSHËM

fakti
May09/ 2020

(Me shkas)

 

Këto ditë të krizës me pandemi dhe të krizës së thellë politike, sikur na ka zënë një ngërrç dhe një krizë e thellë edhe morale! . A i besohet një politikani, një pushtetari, një mbrojtësi të drejtësisë, një njeriu me një fjalor e moral rrugaqërie, një gënjeshtari e shpifësi ordiner, një militanti vulgar, një analfabeti, një të padituri dhe injoranti?!

Dy dekada e gjysmë më parë Shumë vjet më parë ndodhesha në Francë (në Provence). Isha për vizitë tek miq të mi. Ishte ditë maji, si sot. Ata miqtë e mi, në oborrin e shtëpisë kishin (nuk di nëse e kanë akoma) një pemë qershie. Atë pasdite, isha ngjitur në majë të pemës dhe po mblidhja qershi. Në shtëpinë e miqve të mi (Familja Cayron) vazhdimisht qëndronte e ndezur një radio e vjetër. Kështu, gjatë gjithë kohës mund të informoheshim për ato që ndodhnin në Francë. Krejt befas, radioja ndërpret programin për t`i dhënë hapësirë një kryelajmi: – Ministri i Kulturës së Francës, Dost Blazi, është plagosur. Ai ka marrë një goditje thike nga një shqiptar i dezekuilibruar. U trondita. Zbrita nga pema dhe gjithë pasditen e dëgjova këtë lajm të përsëritur çdo orë. Asnjë fjalë më shumë rreth kësaj plagosjeje.
Të nesërmen, lajmi ma nuk u përsërit. Pas dy a tri dite, lajmi u plotësua edhe me një fjali, se është herë e dytë që ministri francez ishte cak i sulmit nga i njëjti person. Herën e parë, personi në fjalë, Ministrin e kishte sulmuar me kaçavidë. Dihej se Ministri Blazi ishte nga komuniteti Gey. Që nga ajo ditë, kurrë ma nuk dëgjova asgjë për sulmet e “shqiptarit të dezekulibruar” ndaj Ministrit francez. Jam shumë i sigurtë që hetimet për shkaqet e sulmit janë bërë të plota nga ana e drejtësisë. Edhe ndëshkimi i fajtorit (cili do të ketë qenë motivi) gjithësesi është bërë konform ligjit. Por, atë e ka bërë Drejtësia, e jo “gazetaria”, jo rrugaqëria: Pra, atë nuk e kanë bërë opinionet e çarshisë.
Miq të nderuar, a mund ta imagjinojmë vetëm një çast, po të kishte ndodhur kjo ngjarje në Kosovë, si do të trajtohej ky rast. Mendoj se këtu, më së paku punë, do t`i mbetej punë drejtësisë. Atë do ta kryenin, televizionet (ju thënçin televizione), gaze(p)tarët, anal(istët) e të hurit e konopit. Dhe më së paku ose fare, këtu do të bënte punë drejtësia, institucionet kompetente. Aktualisht Ditë më parë, pas kthimit nga Gjermania, tek ishte vendosur në karantinë, humbi jetën tragjikisht i riu 26 vjeçar. Cilit, që ka një fije shpirt, nuk i theri zemra për këtë të ri që iu shua jeta dhe për prindërit e familjen e tij. Për të qenë kjo dhembje edhe më tragjike, i riu ishte dhe i vetmi fëmijë i prindërve! Atyre Zoti ju dhashtë forcë për ta përballuar tronditjen! Ditën kur u dha ky lajm tragjik, u ngriten në këmbë “gazetarë” e “analistë”, u hapen studio televizive dhe u hodhen në fushatë militantë partiakë!!! Shumica prej tyre, gati kishin harruar se atë ditë ishte fikur një jetë dhe riti i vdekjes kërkon që të respektohet një kod moral. Ata,gati të gjithë pa përjashtim, shkumonin duke paragjykuar, duke “informuar” e duke “komentuar”. Ishte aq tronditëse dhe e shemtuar pamja, kur ditën e dhënies së lajmit, një “gazetare” me mikrofon në dorë dhe me kamerën pas vetes, futet në oborrin e shtëpisë së familjes së të riut të vetëvrarë. – Tani, (i drejtohet ajo publikut), do të mësojmë se çfarë mendon babai i të riut të vetëvrarë!!!
Përsias gjithandej, një populli me një vetëdije e moral sado mesatar, një populli me gazetari e gazetarë sado pak profesionistë, një populli me institucione kompetente të drejtësisë, kjo nuk mund t`i ndodhte kurrësesi! Edhe hetuesit e prokurorët do t`i linin kohë familjes për të kryer ceremoninë e pasmortit dhe për t`i bërë vend dhembjes së pafundme, që i ka goditur prindërit! Ata (hetuesit dhe prokurorët) punën e tyre do ta bënin në heshtje dhe në mënyrë shumë diskrete. Kam bërë gjatë gazetari dhe këtë zanat e kam dashur shumë (edhe e dua përherë). Kur shoh veprime të tilla (të shëmtuara) në këtë fushë, skuqem e turpërohem, për ata që i bëjnë ato! Këto veprime janë neveritëse!

9, maj