Masat qeveritare për parandalim të virusit korona, që përfshijnë ndalesat për grupimi të qytetarëve si dhe mbajtje të maskave mbrojtëse, te enjten në Strugë u shkelën në mënyrë flagrante, me rastin e një ceremonie fetare, në të cilën u mblodhën qindra besimtarë ortodoksë. Reagimi i shtetit me këtë rast nuk ishte si në Hasanbeg, kur një grup banorësh protestuan pas arrestimit të disa bashkfshatarëve dhe për rrjedhojë pasuan edhe masat ligjore sanskionuese
Shkup, 7 maj/Gazeta FAKTI – Në video incizimin e publikuar në faqen Bigorski Manastir shihet se si një pjesë e madhe e personave të pranishëm nuk kishin maska mbrojtëse kurse as nuk mbanin distance me njëri tjetrin. Në kumtesën e cila është në faqen zyrtarë Bigorski Manastir, ngjarja ishte paralajmëruar se do të mbahet me rregulla të veçanta, aty shënonte se vetëm klerikët do të marrin pjesë kurse të tjerët do të mund ta ndjekin atë nga një distancë e rekomanduar.
“Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme me pandeminë e virusit korona, në përputhje me masat parandaluese të Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, kësaj radhe liturgjia fetare do të vendoset vetëm nga një pjesë e klerikëve lokal, pa praninë e besimtarëve. Pjesëmarrësit do të ju përmbahen rregullave të nevojshme, të tjerët do të mund ta ndjekin atë nga trotuaret e rrugëve nga ku ajo do të kaloje, duke mbajtur distance e rekomanduar” thuhet në kumtesën.
Venko Filipçe: Kërkohet hetim mbi këtë ngjarje
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në një publikim në Facebook shprehi zhgënjimin nga tubimi i besimtarëve që u mbajt të enjten pasdite në Strugë dhe kërkoi hetim si është lejuar të ndodh kjo. Ai ka kërkuar nga qytetarët të përmbahen nga tubimet dhe të respektohen masat me qëllim të mbahet trendi pozitiv në ballafaqimin me virusin Kovid-19.
“Skenat që i shoh sot nga Struga janë jashtëzakonisht zhgënjyese për mua. Unë i interpretoj si mosrespektim i plotë ndaj punonjësve shëndetësor dhe të gjithë atyre që punojnë natë e ditë për të kapërcyer krizën. Që në fillim, vazhdimisht përsëris që pa mbështetjen e qytetarëve, punonjësit e shëndetësisë nuk mund të bëjnë asgjë. Nëse duam ta mbajmë këtë trend pozitiv, duhet të respektojmë masat pa përjashtim. Gjithashtu bëj thirrje të hetohet si është
lejuar të zhvillohej një lloj i tillë i tubimit, i cili është rreptësisht i ndaluar. U bëj thirrje qytetarëve që të përmbahen nga çdo tubim, në mënyrë që më në fund të fillojmë ta sjellim jetën përsëri në normalitet”, thuhet në komunikatën e ministrit Filipçe, transmeton MIA.
Bujar Osmani: Kjo është papërgjegjshmëri e nivelit më të lartë
As respektimi i distancës prej dy metrave, as maska në fytyrë apo ndonjë faculetë, ashtu siç janë rekomandimet e autoriteteve shëndetësore, sot u panë në liturgjinë e cila u mbajt në një Manastir në Strugë.
Madje në faqen e “Manastirit Bigorski” e tërë liturgjia është transmetuar live. Po ashtu edhe gjatë festës së Pashkëve u vërejtën të njëjta veprime.
Pas këtij skandali, kanë reaguar të gjithë partitë politike shqiptare duke kërkuar përgjegjësi nga shteti. Edhe zv.kryeministri Bujar Osmani për këtë papërgjegjshmëri tha se do të ketë përgjegjësi.
“Në Qytetin ku vdekshmëria nga virusi është 20% e numrit të infektuarve, kjo është papërgjegjshmëri e nivelit më të lartë. Tani më asnje masë nuk ka kuptim. Përgjegjësi do ketë!” ka shkruar Osmani.
Aleanca për Shqiptarët kritikon standadet e dyfishta të Qeverisë
Ndaj këtij tubimi kishtar në Strugë, ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët.
“Derisa apelet për respektim të masave, e madje edhe dënimet janë ashpërsuar pyesim publikisht qeverinë ku ishte sot për të parë Strugën?! Struga sot për fat të keq ishte plot, e mbushur me njerëz, turma e të cilëve nuk
respektuan distancën fizike, duke qëndruar pranë njëri tjetrit pa maska e pa doreza! Kjo i ndihmon pandemisë të vazhdojë rrugën e shpërndarjes së virusit ndërkaq neglizhenca e autoriteteve me zgjatjen e situatës do t’i kushtojë më së shumti qytetarëve të vendit, shumë prej të cilëve mbetën edhe pa punë. Ajo që ndodhi në Strugë sot, po ndodh për herë të dytë në territorin e vendit. Sepse një tubim tjetër fetar në manastir ortodoks ndodhi edhe gjatë festës së
Pashkëve dhe si në rastin e parë, si në atë sot gjithçka u transmetua live. Ndonëse qeveria herën e parë arsyetoi tubimin me arsyen se bëhej fjalë vetëm për persona kishtar, sot ky arsyetim tingëllon absurd sepse të pranishëm ishin qytetarë që kishin ardhur thjeshtë për të dëgjuar liturgjinë.
Kujtojmë se MPB reagoi shumë shpejt në Hasanbeg, madje personat e involvuar po ballafaqohen edhe me dënime derisa të tjerë pa asnjë pengesë po kryejnë obligimet fetare! Aleanca për Shqiptarët kërkon që të njëjtat standarde të aplikohen për të gjithë pa dallim! Qeveria nuk duhet të funksionojë me standarde të dyfishta. Shteti ynë ka ardhur në kulmin e neglizhencës dhe mos menaxhimit të mirë të situatës! Qeveria nuk guxon të neglizhojë hapjen e bizneseve nga të cilat varet ekonomia e vendit, dhe nga ana tjetër të lejojë tubime të ndryshme”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.