• Today is: Friday, April 26, 2024

SA SHUMË MR. DR. E SA PAK REZULTATE KONKRETE NË SHKENCË!

fakti
May06/ 2020

Individët e paisur me tituj të pamerituar, mund të krekosen para fëmijëve dhe gruas se tyre kur në fund të muajit në shtëpi çojnë rroga të majme, sepse, fundja, ata këtë qëllim të vetëm kanë. Ata, as që kanë botuar libra origjinal, as kanë patur ndonjë kontinuitet në zhvillimin e tyre si shkencëtar e inteletual. Paisja me mr. e dr. buron jo nga etja për të zgjeruar horizontet e diturisë, por nga lakmia për të zënë poste të pamerituara dhe për të zhvatur rroga që mund të jenë mbi mesataren e pagave të këtushme.

Nga Emin AZEMI

Sikur juve, edhe mua, na ka rënë, viteve të fundit, të shohim shumë persona që, fluturimthi, brenda natës, stolisen me tituj mr. e dr. dhe ata sikur përnjëherë e bindin veten para pasqyrës (dhe gruan e vet në shtëpi) se janë më të mençurit e dynjas. Mund ta kuptojmë garën për dije dhe për karrierë të ndershme profesionale, por nuk mund ta kuptojmë garën e analfabetëve për t’u bërë brenda natës “të mençur”.

Ata që deri dje kishin krye me çykë të zorit shkollën e mesme, e disa nuk dihet pastaj a kanë krye fare fakultet, sot krekosen si gjelat në pleh, me tituj shkencor dhe na bëjnë saora t’u besojmë se titulli i tyre shkencor do ta çojë përpara zhvillimin tonë mendor e profesional.

Bartësit e titujve shkencor që përhapin këso farë broçkullash në opinion janë pasqyra më e mjerë e një shoqërie e cila fatkeqësisht po popullohet edhe me larva të tilla të pseuododijes dhe pseudoshkencës.

Ata që kanë kryer fakultet para njëzetë e më shumë vjetëve, mund ta kenë mbajtur mend ende ankthin dhe frikën e daljes para profesorit dhe ballafaqimi me të për të marrë një gjashtëshe. Gjashtëshja e atëhershme ishte aq e zorshme për ta “pushtuar” sa shumë studentë kishte rast të përsëritnin disa vite, sepse ajo plasçe gjashtëshe vëshirë shënohej në indeks.

Sot, është aq lehtë të bëhesh magjistër a doktor, sa njeriu thjeshtë nuk e ka të qartë në cilën kohë jeton? Në kohën e përparimit teknologjik, me kërkesa më të mëdha për avancim shkencor dhe begatim të dijes, apo në kohën e halabakëve që kontrabandojnë me dijen shkencore, duke i dhuruar kësaj shoqërite të lodhur dioptri të rrejshme për të sotmen dhe të ardhmen.

Copy past magjistrat dhe doktorat e sotëm janë krimi më i shëmtuar intelektual që i bëhet një shoqërie. Jo vetëm që shoqëria nuk ka nevojë për këta shkencëtarë të mendermethënshëm, por ajo për çdo ditë pëson nga një humbje. Individët e paisur me tituj të pamerituar mund të krekosen para fëmijëve dhe gruas se tyre kur në fund të muajit në shtëpi çojnë rroga të majme, sepse, fundja, ata këtë qëllim të vetëm kanë. Ata, as që kanë botuar libra origjinal, as kanë patur ndonjë kontinuitet në zhvillimin e tyre si shkencëtar e inteletual. Paisja me mr. e dr. buron jo nga etja për të zgjeruar horizontet e diturisë, por nga lakmia për të zënë poste të pamerituara dhe për të zhvatur rroga që mund të jenë mbi mesataren e pagave të këtushme.

Hiq rastet e veçanta të individëve që me meritë i marrin titujt shkencor, ka plotë të tjerë, (dhe këta të fundit, fatkeqësisht ta zëjnë frymën, sepse po shumohen si krimbat në pleh), të cilët marrjen e një titulli e kanë shndërruar në mani dhe të tillët i ka kapluar masteromania dhe doktoromania.

Se kemi shumë mr. e dr. dhe kemi pak rezultate konkrete në shkencë dhe në kulturë, për këtë nuk duhet lodhur shumë mendjen për të bërë ndonjë observim të posaçëm. Nëse u ka rënë të dëgjoni dhe t’i shihni se çka nxjerrin nga goja këta halabakë të stolisur me tituj, me siguri keni mundur të vëreni tek ata një sintaksë të çoroditur të mendimit dhe një zbrazëtirë të madhe të fjalëve që përsëriten dhe renditen pa ndonjë kuptim logjik a përmbajtësor.

A e dini pse ata dalin ashtu të mjerë para opinionit publik? Sepse, kanë kaluar shkallët e gradimit shkencor ekspres, pa një përgatitje të mirëfillt paraprake shkencore e inteleketuale, sepse për shumë autorë e studuies të shquar ata kanë dëgjuar pasi i kanë marrë titujt shkencor, sepse shumica prej tyre kanë qenë, zakonisht, nxënës a studentë të dobët, sepse ata që u japin këtyre dibiduzave tituj shkencor, janë qyqarët më të mëdhenjë që meritojnë burgim të përjetshëm.

Kanë thënë se një gjysëmhoxhë të len pa iman, kurse një gjysëm-mjek të len pa shëndet. Tash duhet thënë ruana Zot prej disa mr. dhe dr. të cilët po na e marrin jo gjysmën por komplet ardhmërinë tonë në emër të do ambicjeve të tyre të sëmura.