• Today is: Thursday, April 25, 2024

PANDEMIA POLITIKE MË E DËMSHME SE COVID-19!

fakti
May06/ 2020

Kosova po përballet me dy kriza, por kriza më dëshpëruese është ajo e cila vjen nga politika e papërgjegjshme, e cila ka dështuar të jetë në nivelin që e kërkojnë rrethanat

Nga Mehmet PRISHTINA

Kosova po kalon nëpër dy kriza: Atë shëndetësore, me pasoja për shëndetin dhe jetën e njerëzve dhe politike – me pasoja për ardhmërinë e vendit. Përderisa kriza e parë është e imponuar nga jashtë, si një deus ex machina, e dyta është motivuar dhe zhvilluar brenda. Përballja me këto dy kriza, e vë në sprovë çdo qeveri, kurse në rastin e Kosovës, sprova është e shumëfisht.
Jo vetëm për faktin se aktualisht kemi një qeveri në detyrë, por edhe për shkak të kompleksitetit të skenës politike kosovare, e cila është me mjaft me kundërthënie e armiqësi të brendshme, këto kriza në të shumtën e rasteve gjejnë pikëtakime, duke e ushqyer njëra tjetrën me çështje që e bëjnë jetën tonë edhe më të padurueshme.
Pandemia globale në gjithë botën po trajtohet me mjetet adekuate që i kanë në dispozicion shtetet dhe qeveritë e ndryshme. Në Europë dhe në rajon tash më janë bërë publike strategjitë për rikthimin e gjendjes normale, duke paralajmëruar hapje graduale të bizneseve e veprimtarive të cilat janë të domosdoshme për jetën e qytetarëve, por pa rrezikuar shëndetin e tyre.
Për rrjedhojë edhe BE ka hartuar planin për hapjen graduale, pas izolimit më shumë se një mujor. Plani parashikon tri faza. Faza e pare ka filluar më 14 prill me hapjen e bibliotekave dhe kioskave. Do të vazhdohet më 18 prill me rihapjen e ndërmarrjeve bujqësore dhe industriale. Më 4 maj ka  rinisë lëvizja e njerëzve, por me maskë dhe duke mbajtur distancë sigurie me njëri-tjetrin. Më 4 maj gjithashtu janë hapur dyqanet e mëdha të tekstileve, mobileve dhe veshjeve por jo qendrat tregtare. Më 11 maj do të hapen gjykatat dhe zyrat profesionale. Baret, restorantet dhe aktivitetet e tjera të hotelerisë do të hapen më 18 maj, por klientët duhet të respektojnë distancën mes njëri-tjetrit. Më 25 maj mund të rifillojnë punën parukeritë dhe berberë, por me maskë dhe me një klient të vetëm. Më 31 maj do të rifillojnë kampionatet e futbollit dhe sporteve të tjera kolektive, ndërsa më 8 qershor rihapen qendrat sportive, vetëm për sporte individuale. Në shtator të këtij viti shkollat e mesme do të rihapen me turne dhe me mësime në internet. Ende nuk është vendosur për çerdhet dhe shkollat fillore. Në Dhjetor parashikohet hapja e kinemave dhe teatrove. Në mars 2021 do të hapen diskotekat dhe stadiumet, ndërsa më 31 mars të vitit të ardhshëm parashikohet rihapja e kufijve dhe përfundimi i të gjitha kufizimeve të deritanishme.
Ky është një plan që mund të ndryshojë në varësi të situatës në konsultim me ekspertët, duke parë ecurinë dhe mbarëvajtjen e gjendjes shëndetësore në terren.

Edhe Kosova do të ndjek ritmin e shteteve evropiane sa i përket rikthimit të gjendjes normale, kështu që, siç është paralajmëruar, heqja e kufizimeve do ta bëhet në tri faza. E para nga 4 maji deri në 18 maj, që nënkupton shtimin e kohëzgjatjes së lëvizjes nga 1.5 deri në 3 orë, hapja e ndërtimtarisë, zyrat e konsulencës, bizneset e vogla. Faza e dytë do të filloj nga 18 maji deri në 1 qershor, ndërkohë që masat e reja relaksuese do të varen nga rekomandimet e IKSHPK-së. Nëse nuk ka rritje të rasteve të të infektuarve me Covid-19, atëherë do të ecet përpara, nëse ka infektime atëherë sigurisht institucionet shëndetësore do të jenë të detyruar ta rikthejnë gjendjen e mëparshme.

Pra, siç po shihet kriza shëndetësore po arrin të mbahet nën kontroll, ndonëse në situata të tilla emergjente ka edhe njerëz të pakënaqur, por edhe të tjerë që mbi këtë situatë duan të përfitojnë ndonjë poen të lirë politik. Aktualisht, madje kjo e fundit po ndodhë pas vdekjes së një 26 vjeçari nga Gjilani, i cili ka ngjallur reagime të shumta ndaj kryeministrit në detyrë Kurti dhe ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia. Përgjegjës sipas partive tjera politike shkaktar i vdekjes së 26 vjeçarit janë Kurti dhe Vitia, kështu duke i kërkuar edhe dorëheqje. Duke parë këtë fluks të madh të akuzave ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka deklaruar që edhe e ka menduar dorëheqjen.
Por, a është koha që energjitë politike të shpenzohen në një rast fatkeq si ky, i cili ende nuk është ndriçuar dhe hetuar deri në fund dhe përgjegjësia eventuale do të kufizohet mbi ata persona apo institucione që kanë bërë lëshime, por jo edhe krerët qeveritarë e institucional.
Kur jemi te ky rast është për t’u admiruar apeli i kryetarit të Gjilanit, Lutfi Hazirit, i cili kërkoi që kjo tragjedi të mos politizohet dhe me të drejtë edhe ai kërkoi hetim dhe përgjegjësi.
Roli i opozitës është të korrigjojë veprimet e pushtetit dhe madje jo rastësisht është thënë se pushteti moral i një populli është opozita. Mirëpo jo gjithmonë opozita duhet të luaj në kartën e korrigjuesit kur situatat nuk janë normale dhe në kushte të tilla kur as parlamenti nuk funksionon, atëherë çfarë efekti do të kenë sjelljet e tilla të opozitës,kur dihet mirëfilli se në shumë shtet demokratike të botës opozita i ka ulë armët dhe është bashkuar me pushtetin për t’i luftuar sfidat me të cilat ballafaqohen.
Sigurisht që në kohët më të mira që do të pasojnë do të ketë hapësirë edhe për kacafytje partiake dhe vetëm në kushte normale ka sens gara politike.

Jehona e grindjeve politike të Kosovës ka mbërri edhe në dyert e Europës dhe zyrtarët e ndyrshëm në Bruksel dhe Strazburg deri më tani kanë shprehur disa here shqetësimet e tyre mbi përmasat e kësaj situate kaotike politkke në Koasovë. Raportuesi i Asamblesë Parlamentare i Këshillit të Evropës (APKE-PACE dhe deputeti gjerman i PE-së bie fjala, Peter Beyer, ka kërkuar përgjegjësi politike dhe sundim të ligjit nga Kosova në këtë kohë të pandemisë dhe krizës politike që po mbretëron në vend. Aka thënë se populli i Kosovës është goditur rëndë nga kriza aktuale me koronavirusin, sikurse edhe shumë vende tjera nëpër botë, ndërkohë që ka mirëpritur koordinimet e kohëve të fundit ndërkomunitare dhe ndërkufitare, si dhe solidaritetin e treguar mes profesionistëve kryesorë shëndetësorë dhe zyrtarëve, përtej dallimeve etnike dhe politike.
Por politikani gjerman nuk ka lënë pa përmendur edhe situatën politike në Kosovë. Sipas tij Kosova gjendet edhe në mesin e një krize politike e kushtetuese që nga rrëzimi i qeverisë me votë mosbesimi në fund të marsit, pikërisht në kohën kur kriza me Covid -19 po shpërfaqej.

“Në këtë situatë dramatike është qenësore për të ardhmen e Kosovës dhe popullit të saj të sigurohen kontrollet dhe pushtetet (balancimi i pushteteve). Kjo vlen në veçanti për një Kuvend plotësisht funksional dhe për një sistem të pavarur kushtetues gjyqësor”, tha Beyer.

Nëse në ditët e javët në vazhdim do të  gdhijë një ditë e bukur pa pandemi, çka mund të thuhet për ekonominë e cila ka përjetuar goditjen më të madhe që prej krizës globale financiare të vitit 2008. Parashikimet  ekspertëve thonë se ekonomia e Kosovës do të humbë deri në 500 milionë euro si pasojë e pandemisë me Covid-19, ndërkohë që pas përfundimit të pandemisë dhe largimit të masave kufizuese, rimëkëmbja ekonomike do të varet shumë nga masat ekonomike të ndërmarra gjatë dhe pas pandemisë.
Kosova për fat të mirë ka një nivel të ulët të borxhit publik në raport me BPV-në gjë që mundëson fleksibilitet për sa i përket pakos së rimëkëmbjes, por pasojat e krizës shëndetësore mbetet të shihen në një të ardhme jo të largët, pasi të jetë skenuar gjendja e përgjithshme në të gjithë sektorët ekonomikë.

Krejt në fund: Kosova po përballet me dy kriza, por kriza më dëshpëruese është ajo e cila vjen nga politika e papërgjegjshme, e cila ka dështuar të jetë në nivelin që e kërkojnë rrethanat. Po del që pandemia politike të jetë më e dëshme se Covid-19, kurse gjetja e terapisë për këtë lloj pandemie mbetet sfida më e madhe në të ardhmen.

Prishtinë, 6 maj 2020